Abissnet Superiore: Rezultatet dhe renditja pas javës së 6-të, kryeson Teuta
Java e 6-të e kampionatit të Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH, solli 5 përballje me rezultate të rëndësishme, ku spikati fitorja e Tiranës në derbin ndaj Partizanit. Teuta dhe Egnatia bindën, duke siguruar secila 3 pikët, ndërsa Vllaznia fitoi minimalisht ndaj Dinamos. Në barazim u mbyll sfida mes Elbasanit dhe Vorës.
Derbi mes Partizanit dhe Tiranës ishte kryendeshja e javës së gjashtë dhe u mbyll me fitoren 3-1 të bardhebluve. Tirana kaloi në avantazh që në minutën e 7-të me Xhixhën, duke e nisur ndeshjen me ritëm të lartë. Partizani reagoi dhe barazoi në minutën e 36-të me Himallarin, duke rikthyer ekuilibrin para pushimit.
Në pjesën e dytë, bardheblutë gjetën golin e avantazhit në minutën e 79-të me Ilievskin. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Kish shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke vulosur fitoren 3-1 të Tiranës në derbin kryeqytetas. Ky rezultat i jep Tiranës tri pikë të rëndësishme, ndërsa Partizani mbetet me 4 pikë pas gjashtë javësh kampionat.
Egnatia mori një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Laçin me rezultatin 2-0. Pas një ndeshjeje të luftuar, skuadra rrogozhinase zhbllokoi rezultatin në minutën e 81-të me Loukili. Në minutën e 89-të, Diabate shënoi golin e dytë, duke siguruar tri pikët për Egnatian. Me këtë sukses, Egnatia ngjitet në kuotën e 15 pikëve dhe vijon të qëndrojë në vendin e dytë, vetëm një pikë pas Teutës.
Vllaznia siguroi tri pikët përballë Dinamos, duke fituar me rezultatin minimal 1-0. Goli vendimtar u shënua nga Murataj në minutën e 31-të, duke i dhënë skuadrës shkodrane një fitore të rëndësishme në këtë javë. Nga ana tjetër, Dinamo mbetet në kuotën e 12 pikëve, ndërsa Vllaznia shkon në 5 pikë pas gjashtë javësh.
Elbasani dhe Vora ndanë nga një pikë, pas barazimit 1-1. Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 22-të me Mazarin, por Vora reagoi në fundin e pjesës së parë, kur Karrica barazoi në minutën e 45’+4’. Elbasani dhe Laçi janë të dyja me nga 7 pikë, ndërsa Vora shkon në 5 pikë.
Teuta fitoi 2-0 ndaj Skënderbeut në shtëpi, duke konfirmuar formën e mirë në këtë fillim sezoni. Kallaku zhbllokoi rezultatin në minutën e 16-të, ndërsa Martelo dyfishoi shifrat në minutën e 32-të. Me këtë fitore, Teuta arrin në 16 pikë dhe kryeson e vetme renditjen e Abissnet Superiore pas gjashtë javësh. Skënderbeu, nga ana tjetër, mbetet në fund të tabelës me 3 pikë.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.