Abrashi: Asociacioni dhe Demarkacioni tanimë janë qartësuar
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe raportit të komisionit ndërkombëtar për demarkacionin, rruga është e qartë se çfarë duhet të bëhet me këto dy probleme që tash sa muaj janë bërë “kauza” të opozitës. Kështu thotë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, ministri Arban Abrashi, në një bisedë për Ekonomia Online.
“Tani është radha e Kuvendit që ta japë fjalën e vet për demarkacionin. Edhe për Asociacionin ka pasur ftesa publike, nga kryeministri, që edhe opozita të përfshihet në draftimin e rregullativës së Asociacionit, pasi tani kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili tregon që Asociacioni si i tillë i ka këto korniza dhe nuk duhet të shkelë asnjë ligj dhe duhet të themelohet, pasi që parashihet me një marrëveshje të mëhershme të vitit 2013”, ka deklaruar Abrashi.
Sipas ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Kosova ka humbur shumë gjatë kësaj periudhe, jo vetëm në imazh, por edhe në investime. Mes tjerash, situata e krijuar në Kuvend, e ka vonuar miratimin e Ligjit për Investime Strategjike. “Kemi një listë të gjatë të investitorëve që po presin kalimin e këtij ligji që i thjeshtëson procedurat e investimeve”.
“Unë mendoj që jo vetëm Qeveria, por edhe Kosova ka humbur. Skenat e dhunës e dëmtojnë imazhin e Kosovës. Tash kjo çështja e imazhit edhe nuk po merret seriozisht, por në botë investitorët e huaj kur shohin skena të tilla largohen nga ato vende. Janë humbur gjashtë muaj duke u marrë me menaxhim të krizave, të gazit, molotovit, sulmit, deklaratave të panevojshme të secilit, dhe kjo i ka marrë kohë edhe Qeverisë, por edhe mua personalisht. Mendoj që është një kohë e humbur që nuk është dashur të ndodhë, sepse është Kuvendi aty ku duhet të debatohen të gjitha kauzat, problematikat, telashet qoftë të pozitës, qoftë të opozitës”, ka deklaruar Abrashi, në këtë intervistë.
“Ne e kemi pasur një plan qeverisës. Ligji për Investime Strategjike ka kaluar në leximin e parë, por është vonuar. Te kishim pasur disa muaj më herët, ne jemi të bindur se do të kishim edhe investitorë më herët, sepse kemi një listë të gjatë të investitorëve që po presin kalimin e këtij ligji që i thjeshtëson procedurat e investimeve”.
Sipas kreut të MMPS-së, infrastruktura ligjore aktuale është e komplikuar dhe ka shumë burokraci saqë e bën Kosovën vend joatraktiv për investitorët. “E lidha me investitorët, si politikë themelore e kësaj qeverie. Dhe mendoj se gazi, kjo dhunë që është shfaqur gjatë kësaj periudhe, ka ndikuar edhe në këtë ligj (për Investime Strategjike) dhe rrjedhimisht edhe në investime”.
“Nuk dihet se sa ka humbur specifikisht Kosova gjatë kësaj periudhe, por humbjet janë të mëdha. Janë vonuar shumë procese, procesi i investimeve, qoftë procesi i liberalizimit, ndoshta ka pasur pak ndikim edhe në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, por shpresojmë që skenat e dhunës të mos i shohim më në Kosovë”.
Por, zëdhënësi i Qeverisë Mustafa shpreson se skenat e dhunës tanimë kanë mbaruar. “Po e shohim se edhe në publik eksitojnë deklarata më të matura”.
Për dy “temat e nxehta”, demarkacionin dhe Asociacionin, Abrashi mendon se tashmë rruga është qartësuar, pas raportit profesional të komisionit ndërkombëtar për demarkacion, dhe vendimit të Kushtetueses. Ekspertët e thirrur nga presidentja Atifete Jahjaga, më herë gjatë javës thanë se nuk kanë gjetur shkelje gjatë procesit të shenjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Derisa opozita vazhdimisht vë theksin te konstatimi i Gjykatës Kushtuese se marrëveshja për themelimin e Asociacionit është “kundër frymës kushtetuese”, Qeveria vë në dukje se Gjykata ka kërkuar që të procedohet me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, duke korrigjuar gabimet gjatë hartimit të statutit të Asociacionit.
“Rruga është e qartë se çfarë duhet të bëhet për këto dy problematika kryesore. Dhe ne e ftojmë, dhe e kemi ftuar opozitën, që të jetë pjesë e këtyre proceseve”, thotë Abrashi.
Po albini eshte e keqeja e Kosoves qe jane ngecur numri i njohjeve te pavarsis se Kosoves.
Albini eshte ai qe ngec Kosoven-Albini eshte ai qe trazon Kosoven ne interes se serbis.
Po mos te lam ne hares dhe laramushin qe per pushtete eshte ne gjendeje qe dhe Kosoven ta shenderoj ne nje Siri ne zemeren e BE-EU!!..
Sa per hajnin “fatmir limen skame nevoj qe tja ceki te keqijat e tij!!.