Aeroporti i Rinasit: “Vjedhja”, kopje e provës që kishte bërë Policia e Shtetit dhe Autoriteti i Aviacionit Civil
Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Policia e Shtetit kane bërë 3 testime të fshehta për sigurinë në aereoport në datën 20 Prill 2016. Testimi 1: futja e eksplozivit; testimi i dytë: futja e armëve të ftohta dhe testimi i tretë: çarja e rrethimit (perimetrit të jashtëm), saktësisht tek e njëjta derë ku kanë hyrë grabitësit. Në të tre testimet, siguria e aereoportit ka dështuar të detektojë rrezikun. Tritoli është futur, po ashtu edhe thika. Por, më e rënda, është realizuar futja pikërisht në të njëjtën pikë ku u fut edhe makina e grabitësve.
Për 10 minuta simulatorët kanë çarë rrethimin dhe nuk janë kapur nga sistemi i kamerave të ICTS-së, i cili nuk ka funksionuar. Top Channel posedon të plotë këtë raport tronditës dorëzuar aeroportit dhe Ministrisë së Transporteve në mes të muajit maj. Ai tregon sesa vulnerabël dhe i pasigurtë është aeroporti dhe sesa me indiferencë është trajtuar çështja nga “Airport Partners” dhe kompania ICTS, përgjegjëse për sigurinë e Rinasit.
Testimi sekret i 20 prillit 2016 i është njoftuar drejtuesve të aeroportit në 13 maj, duke ngritur alarmin e rëndë mbi cënueshmërinë e sigurisë së pistës së vetme ndërkombëtare në vend.
“Testimet e fshehta të datës 20 prill 2016 në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Rinas, u kryen në mbështetje të Programit Kombëtar të Cilësisë dhe Sigurisë në Aviacionin Civil. Testimet e fshehta u organizuan dhe u drejtuan nga ana e Drejtorisë së Mbikqyrjes së Sigurisë në Aviacion, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë në Rinas. Testimi i fshehtë u mbajt më datë 20 prill 2016, nga ora 10:15 deri në 11:15 në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Drejtoria e Mbikqyrjes së Sigurisë në Aviacionin Civil kreu 3 testime njëkohësisht në 3 pika, brenda në terminal dhe në perimetrin rrethues. Një testim ishte i shkallës së lehtë (diktimi i të cilit dhe ndalimi i tij do të duhej të ishte i lehtë) dhe dy të tjerët ishin të shkallës mesatare”.
Sipas kësaj shkrese që Top Channel e disponon të plotë, tre testet e dështuara përfshijnë futjen e eksplozivit në bagazh dore dhe të detonatorëve, futjen e një thike të ftohtë përmes daljes së stafit dhe ekuipazhit dhe më e rënda edhe futjen në perimetrin rrethues, pikërisht aty ku ndodhi grabitja e pak ditëve më parë.
Top Channel disponon edhe fotot e mjeteve me të cilat janë bërë testet, për të cilat kanë qenë në dijeni autoritetet përkatëse: Aviacioni Civil dhe Policia e Shtetit.
“Testimet e fshehta me të cilat testuam sistemin e sigurisë në aeroport ishin: përpjekja për t’u futur në pikën e kalim-kontrollit si pasagjer, me bagazhin e dorës ku ishin fshehur artikujt e ndaluar. Testimi i parë ka kaluar pa u vërejtur nga ana e stafit të sigurisë në pikën e kalim-kontrollit për pasagjerët, në terminalin e aeroportit, para hyrjes në zonën e kufizuar të sigurisë. Testuesja që do të udhëtonte si pasagjere e kishte fshehur artikullin e ndaluar në bagazhin e dorës dhe në tentativë arriti ta kalonte kontrollin e sigurisë pa u diktuar. U vërejt se bagazhi i dorës u kontrollua sipas procedurës me anë të skanerit me rreze X. Nga ana e agjentit të skanerit nuk pati asnjë reagim apo dyshim për asnjë nga objektet testuese të fshehura në bagazhin e dorës. Bagazhi u konsiderua i pastër dhe u lejua të kalonte.
Testimi i dytë ka kaluar pa u vërejtur nga ana e stafit të sigurisë në pikën e kalim-kontrollit për ekuipazhin dhe stafin. Në terminalin e aeroportit, para hyrjes në zonën e kufizuar të sigurisë, testuesja, teksa u paraqit me fletëhyrje të rregullt si staf i AAC, e kishte fshehur artikullin e ndaluar në njërën nga këpucët e saj dhe në tentativë, arriti ta kalojë kontrollin e sigurisë pa u diktuar. U vërejt se testuesja kaloi WTMD sipas procedurës dhe meqenëse ura dha sinjal alarmi, iu nënshtrua kontrollit me dorë, i cili u krye në përputhje me procedurat e sigurisë. Më pas, agjenti i sigurisë ka përdorur edhe detektorin e dorës, i cili dha sinjal alarmi te pjesa e këpucës së testueses. Por, edhe pas këtij kontrolli, testuesja u konsiderua e pastër dhe u lejua të kalonte në kundërshtim me procedurën, që kërkon zgjidhjen e shkakut të alarmit”.
Por testi i tretë është padyshim më skandalozi, pasi lidhet drejtëpërdrejtë me ngjarjen e dy ditëve më parë. Ai është bërë pikërisht në pikën ku grabitësit u futën me makinë, me ndihmën edhe të stafit brenda.
“Përpjekja për të kaluar nga zona publike në zonën e kufizuar të sigurisë në aeroport, nga rrethimi i pistës në anën perëndimore, në afërsi të stacionit të furnizimit me karburant. Testimi i tretë ka kaluar pa u vërejtur nga ana e stafit të sigurisë në shërbim të ruajtjes dhe patrullimit si dhe nga operatorët në sallën e kamerave. Testuesi, artikujt e ndaluar i përdori për mbi 10 minuta në tentativën e tij për të realizuar hyrje të paautorizuar nëpërmjet rrethimit të aeroportit, në zonën ajrore në afërsi të stacionit të furnizimit me karburant të avionëve. Patrullat e shërbimit në lëvizje dhe sistemi i vëzhgimit me kamera përgjatë rrethimit të sigurisë së perimetrit dështuan në diktimin e tentativës për hyrje të paautorizuar. Për më tepër, u mësua se 2/3 e kamerave të vëzhgimit ishin prej disa ditësh jashtë funksionimit, në kundërshtim me kërkesat e shtojcës 25 të ligjit nr. 9312”.
Raporti për dijeni edhe të Ministrisë së Transporteve i është dërguar drejtuesit të aeroportit të Rinasit në 13 maj. Por nga ICTS dhe aeroporti nuk u mor asnjë masë, së paku deri në 29 qershor, kur edhe ndodhi grabitja spektakolare në pistën e “Nënë Terezës”.