Te ndryshme

Afrika Qendrore, atje ku një granatë kushton më lirë se një Cola

Me municione të ardhura nga shumë vende të botës, stabiliteti politik dhe social është vështirë të thuhet se ekziston në një shtet ku granatat e dorës kushtojnë më lirë se një pije freskuese.

afrikaGranatat vijnë nga Kina ose Bullgaria. Mortajat janë sudaneze. Raketëhedhëset janë prodhuar në Iran. Plumbat janë britanikë ose belgë, apo çekë. Spanja dhe Kameruni ofrojnë mbushjet e shotganëve. Dhe kështu me radhë.

Një kërkim i detajuar mbi armët që qarkullojnë aktualisht në Republikën Qendrore Afrikane (CAR) ofron disa të dhëna intriguese në industrinë globale të armëve dhe zgjeron rrjetin se si shkojnë, ligjërisht ose jo, në duart e rebelëve.

Ndikimi i tregtisë së armëve mund të jetë i gjatë dhe shkatërrues.

Kur armët zotëroheshin nga Seleka, një koalicion i kryengritësve kryesisht myslimanë, që morën pushtetin në 2013, një luftë civile u shkaktua dhe për pasojë u zhvendosën qindra mijë civilë.

“Lloji 82-2 i granatave të dorës është artikulli ushtarak më i përhapur në Republikën Qendrore Afrikane”,-thotë raporti, i hartuar nga Grupi Kërkimor Britanik i Armatimeve në Konflikte, për Bashkimin Europian.

“Ky lloj është aq i përhapur saqë mund të blihet për rreth 0.50-1.00 dollarë secili, pra më pak se një shishe Coca-Cola”, thotë raporti.

“Të vogla dhe lehtësisht të fshehura, ato kishin një ndikim domethënës në siguri, duke shkaktuar plagosje te civilët dhe vdekje në Bangui dhe kudo gjatë vitit 2014”.

Një ngarkesë me më shumë se 25,000 granata të tipit 82-2 u gjurmua nga kërkuesit në një dërgesë të vitit 2006, të prodhuara në Kinë dhe sipas paketimit, destinacioni është “Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Mbretërore të Nepalit”. Ushtria e Nepalit këmbëngul se nuk ka përdorur asnjëherë këto lloj granatash.

‘Shkelja’

Disa nga armatimet e tjera u plaçkitën. Të tjera u kontrabanduan, ranë në duart e mercenarëve të huaj, përtej kufijve. Por shumë armatime duket se kanë hyrë në Afrikën Qendrore nga shtetet fqinje, përfshirë Sudanin.

“Dërgesat e reja të 2013-s përfshinin të paktën dy ngarkesa armësh nga ajri prej Sudanit në Bangui”, thotë raporti.

“Në disa raste, prania e armatimeve kineze dhe (dyshohet) iraniane në CAR, duket të jetë ritransferuar nga Sudani. Në rastin e Kinës, kjo mund të shkelë marrëveshjet që ka mes qeverisë kineze dhe Sudanit. Por duhet të theksohet se dërgesat e Sudanit erdhën përpara një embargoje armatimesh të OKB-së, që u imponua mbi Seleka-n në fund të 2013.

“Pavarësisht se nga vijnë armët, rezultati përfundimtar është i qartë: Seleka, përmes marrjes së pushtetit, përmbyti një rajon që ishte tashmë i mbingarkuar me armë. Ata kryen krime serioze mbi njerëzit, përfshirë vrasjen e grave dhe fëmijëve”, thotë Levis Mudge nga Monitorimi i të Drejtave të Njeriut.

Të dhënat e CIA-s

Ish-kolonia franceze e Ubangi-Shari u bë Republika Qendrore Afrikane gjatë pavarësisë në vitin 1960. Pas tri dekadash të trazuara të keqqeverisjes, kryesisht nga qeveritë ushtarake, u vendos udhëheqja civile në vitin 1993, e cila zgjati për një dekadë.

Në marsin e vitit 2003, Presidenti Ange-Felix Patasse u rrëzua nga pushteti nga një grusht shteti, drejtuar prej gjeneralit Francois Bozize, i cili krijoi një qeveri tranzicioni.

Zgjedhjet e mbajtura në vitin 2005 e konfirmuan gjeneralin Bozize si President dhe e njëjta gjë ndodhi në vitin 2011 në votimet që u panë gjerësisht si me të meta.

Qeveria nuk ka ende kontroll të plotë mbi periferitë, ku ekzistojnë xhepat e paligjshmërisë. Grupimi militant i Ushtrisë së Rezistencës së Perëndisë, vazhdon të destabilizojë juglindjen e Republikës Qendrore të Afrikës.

Disa grupe rebelësh u bashkuan në fillim të dhjetorit 2012 për të nisur një seri sulmesh që i dhanë kontrollin e disa qyteteve në pjesët veriore dhe qendrore të vendit. Ata morën emrin Seleka.

Rebelët e Seleka-s, që nuk ishin të kënaqur me qeverisjen e Bozize, morën pjesë në bisedimet e paqes në fillim të janarit 2013, që solli një koalicion qeverisës përfshirë lidershipin e rebelëve.

Në mars 2013, koalicioni qeverisës u shpërbë, rebelët zaptuan kryeqytetin dhe Presidenti Bozize u largua nga vendi.

Lideri i rebelëve, Michel Djotodia, mori Presidencën, ricaktoi Nicolas Tiangaye si kryeministër dhe krijoi një qeveri tranzicionale më 31 mars. Më 13 prill 2013, Këshilli Kombëtar Tranzicional e konfirmoi Djotodia si President.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button