Agjenti 007 – Cili ishte frymëzimi real për legjendarin James Bond?
Për kultin e Agjentit 007, shkrimtarit Ian Fleming i shërbyen shumë modele e shembuj frymëzues – ndër ta më i njohuri është ai i William Stephenson. Në vitin 1940, Winston Churchill, me bekimin e vet, e dërgoi mjeshtrin e talentuar të spiunazhit drejt Nju Jorkut. Misioni i tij: të tërhiqte SHBA-në në luftë përkrah Britanisë. Me çdo çmim …
William Stephenson ishte i shokuar. Njerëzit e tij sapo kishin perceptuar një sinjal nga një stacion i fshehtë i nazistëve në Nju Jork. Një marinar, siç mësoi një kryespiun britanik në SHBA, ishte ai që u kishte treguar nazistëve në këmbim të parave, rrugët e anijeve. Anijet që dërgonin armë nga “bota e re” në drejtim të Britanisë së Madhe. Në Atlantik, transportierët më pas mund të bëheshin një gjah i lehtë për nëndetëset gjermane.
Nuk zgjati shumë, derisa Stephenson arriti të marrë vesh se ku fshihej tradhtari. I vendosur, ai la me vrull zyrën ku qëndronte në “Rockefeller Center” në Nju Jork, selinë e zyrës koordinative të shërbimit sekret britanik, BSC, një organizatë e kamufluar e “Intelligence Service”. Kur më pas gjatë natës, ai u kthye sërish në zyrë, një agjent i FBI-së partnere, i tha: “Këtij biri k… tradhtar duhej t’i jepnim një dru të mirë”. Stephenson i ra tavolinës së tij, duke thirrur: “Tashmë ka ndodhur”. Amerikani përballë tij kujtoi se ai po bënte shaka – ndërsa marinari tradhtar u gjend i vdekur më pas në një qilar.
I pasur nga hapëset e konservave
Këtë histori që duhet të ketë ndodhur diku mes korrikut 1940 dhe dhjetorit 1941, e përcolli në fakt Ian Fleming, autori dhe krijuesi i personazhit legjendar të spiunit 007, James Bond. Emrin e tij, megjithatë ai e pati dëgjuar fillimisht nga shefi i FBI-së amerikane, J. Edgar Hoover. Fleming, që më vonë do të bëhej një shkrimtar shumë i njohur, ishte mjaft i impresionuar nga aftësitë e Stephenson-it, siç tregoi ai vetë gjatë një interviste të dhënë në vitin 1962 për “Sunday Times”: James Bond, sipas tij, ishte vetëm “versioni i romanizuar” i një agjenti, porse i vërteti ishte Stephenson.
Fleming e kishte njohur idhullin e tij gjatë Luftës së Dytë në funksionin e tij si oficer ndërlidhës të shërbimit të fshehtë të Marinës Britanike. Përveç shumë agjentëve të tjerë që kishte njohur e rekrutuar, ndër ta edhe britanikun Edward Yeo-Thomas dhe agjentin e dyfishtë jugosllav, Dushko Popov, i cili i kishte paralajmëruar pa sukses amerikanët për sulmin mbi Pearl Harbor, Stephenson shërbeu si një idhull frymëzues për krijimin e të famshmit James Bond.
Sikurse romani i tij dhe më vonë edhe personazhi i njohur kinematografik, edhe William Stephenson kishte një biografi të pasur. Lindur në vitin 1896 në dominionin britanik kanadez, ai kishte luftuar qysh në Luftën e Parë kundër gjermanëve në Francë. Në fillim si ushtar këmbësorie e më pas si pilot luftarak. Kur francezët e qëlluan një herë gabimisht, ai e gjeti veten në një kamp gjerman për robërit aleatë. Gjatë arratisë që ndodhi në tetor 1918, ai vodhi një hapëse të re konservash. Sërish në liri, ish-ushtari e patentoi si të vetën shpikjen që kish gjetur në kampin gjerman – dhe bëri pasuri me të.
Në vitin 1924, Stephenson gjatë një udhëtimi në Berlin, ia doli të bënte “furore” edhe një herë. Në një dyqan ai zbuloi një ekzemplar të makinës deshifruese gjermane, “Enigma” – dhe ia kaloi atë shërbimit sekret britanik. Ky i fundit e rekrutoi atë – dhe e dërgoi në misione të rëndësishme gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më 21 qershor 1940, Stephenson, nën emrin e koduar “Intrepid”, që në shqip përkthehet pak a shumë si “i patrembur”, shkon në Nju Jork. Kryeministri britanik, Winston Churchill, e kishte dërguar atë me propozim e mbështetje personale në SHBA. Për Britaninë e Madhe bëhej fjalë për çështje madhore sigurie. Ajo ishte e vetmja fuqi madhore që akoma po i bënte rezistencë nazizmit në Europë. Me të gjitha mjetet në dispozicion, Stephenson duhej të përpiqej ta bënte SHBA-në të hynte në luftë përkrah Britanisë. Detyrë jo e thjeshtë, pasi rreth 80 për qind e amerikanëve refuzonin një pjesëmarrje direkte në luftë.
Rekrutime masive në shërbim të çështjes
Në një kohë rekord, agjenti në fjalë ia nisi të rekrutonte bashkëpunëtorë për misionin e tij. Në zyrat e BSC-së, ai për maskim kishte vënë një tabelë me shënimin “Autoriteti i lëshimit të pasaportave”. Nga fundi i luftës numëroheshin rreth 3000 burra e gra që punonin për Stephenson – në SHBA, Kanada dhe Karaibe. Presidenti amerikan, Franklin D. Roosevelt, ishte jo vetëm i informuar për misionin e tij, por ai madje e ndihmoi misionin e tij me sa mundi. Shefi i FBI-së, Hoover, mori urdhër të mbështeste pa rënë në sy BSC-në britanike. Tekstshkruesi i Roosevelt-it i paraqiste Stephenson-it madje edhe fjalimet e Presidentit, para se ato të mbaheshin në publik.
Britaniku bëri gjithçka për të dëmtuar kundërshtarin në luftë të Britanisë, Gjermaninë hitleriane. Dikur në vazhdën e vitit 1941, BSC hapi dy fabrika falsifikimi nën emrin “Camp X” dhe “Station M” në Kanada. Atje prodhoheshin bomba false, ndërsa ekspertët prodhonin pa fund uniforma, letërnjoftime dhe pasaporta. Në fund të vitit 1941, Stephenson arriti një sukses të veçantë, kur ai tërhoqi në anën e kundërshtarëve të Boshtit Itali-Gjermani, Brazilin, me një arsenal të madh e shumë të dobishëm për luftën, në prodhimin e kauçukut.
Në fakt, ai donte të ndërpriste vetëm funksionimin e linjës ajrore italiane LATI, e cila mbante më këmbë një linjë të rregullt mes Italisë dhe Rio de Janeiros.
Diskreditim politikanësh kritikë të luftës
Por ndikimi i opinionit publik në SHBA ishte sidoqoftë edhe preokupimi kryesor i Stephenson-it. Për këtë qëllim, ai instaloi së pari një agjent në institutin e famshëm të sondazheve “Gallup”, i cili punoi me zell për të manipuluar rezultatet e sondazheve publike. Por Stephenson sidoqoftë duhej të mbështetej edhe në disa botues gazetash. Paul Patterson, botues i “Baltimore Sun”, iu nënshtrua sharmit të agjentes së tij, princeshës Alice – kjo e fundit një mbesë e ish-mbretëreshës britanike, Victoria.
Për të ushtruar edhe më shumë presion, J. Edgar Hoover urdhëroi agjentët e tij të përpunonin redaktorët e gazetave më të vogla, në mënyrë që këta të fundit të riprodhonin komente e materiale të gazetave më të mëdha. Me radiostacionin e vet “World Radio University Listeners”, BSC-ja arriti të korrte më shumë fansa për qëllimet e veta. Dëgjuesit e mendonin atë radiostacion si një transmetues vendor.
Politikanët që nuk përpunoheshin dot, diskreditoheshin. Këtë e ndjeu nën lëkurë edhe Gerald Nye. Në qindra mijë broshura e pamflete, në lajmërime gazetash dhe në radio, senatori republikan – kritik i luftës – u akuzua se ishte një “adhurues i nazistëve”. Foto të manipuluara e shfaqnin shokun e tij të partisë, Hamilton Fish, në një takim me fashistët amerikanë. Imazhi i atij përfaqësuesi të popullit dhe të ngjashmëve të tij, më pas sigurisht se u shkatërrua tërësisht.
Më 7 dhjetor 1941, William Stephenson më në fund e arriti synimin e tij – me ndihmën e japonezëve. Në atë ditë, marina luftarake japoneze sulmoi pa paralajmërim flotën amerikane në Pearl Harbour në ishujt Hawaii. Katër ditë më pas, SHBA-ja i deklaroi luftë Hitlerit dhe aleatëve të tij. Amerikanët tashmë edhe zyrtarisht ishin pjesë e aleancës antihitleriane, që i shtynte të punonin ngushtësisht me britanikët.
Stephenson qëndroi në Nju Jork dhe ndihmoi në ndërtimin e paraardhëses së CIA-s, OSS. Për shërbimet e tij, ai u dekorua me urdhrin e kalorësit dhe pensionin e kaloi në ishujt e Bermudës. Për Ian Fleming, ai mbeti sidoqoftë gjithnjë si njeriu që miksonte koktejin më të madh të Martini-t në Amerikë. Me tundje apo me përzierje, kjo mbetet akoma e panjohur.
Përgatiti: Armand Plaka