Ah, sikur të bjerë shi në ditën e Evropës
Nga Frrok Çupi
Edhe mund të bjerë shi atë ditë. Në Bruksel mund të jetë ditë bore, ose edhe një termet mund të shkundë ndonjë cep të botës. Por po rrimë te fenomeni më i mundshëm i natyrës.
Është fjala për ditën kur Shqipëria do të bëhet anëtare e BE.
Ata që luten që ajo të jetë ‘ditë shiu’, nënkuptojnë një gjë që sado pak ta pengoje ose ta stërkeqe ngjarjen e madhe të Shqipërisë. Këta janë shqiptarë, të gjithë; të gjithë këta që luten me sytë nga qielli. Atëherë do të mburren se ‘ua thamë se zoti nuk është me këta!’.
‘Me këta’ që tërhoqën karron e mundimshme me vite të tërë për drejt Europës; ja kjo do të thotë.
-Mos e thuaj më se Samiti i NATO-s do të mbahet në Tiranë, mbylle atë muhabet- tha një zyrtar dhe familjar i ‘dëshirës së keqe’.
Gazetari u përpoq ta qetësonte, sepse ky mori zjarr.
-Si e thua këtë, ke informacion?
-Nuk kam nevojë për informacion. Nuk mbahet Samit në Shqipëri. Kaq. Mbylle tani. Propagandë e Edi Ramës…
Ndodhi qind për qind kështu para një jave në një televizion vendas.
Këta nuk dinë nëse ‘ditën e mirë do të bjerë shi apo tërmet, por atë që dëshirojnë, pikërisht atë e pllakosin në realitetin e tyre. Realitetin e tyre duan tua imponojnë të tjerëve.
Shqipëria është e keqe, Shqipëria nuk bën, Shqipëria nuk bëhet në BE, Shqipëria nuk ia vlen o vëlla… Kjo është e gjitha për ta, edhe sikur të jetë ndryshe. Dhe është plotësisht e kundërta. Hera më e fundit: Në Samitin e BE në Irlandë u deklarua dje: “Po, Samiti i NATO-s do të mbahet në Tiranë!”. Nuk dëgjon më ai njeriu, tha të ligën dhe iku.
Po edhe sikur të mos mbahej në Tiranë, qoftë për shkak se ‘do të bjerë shi’. Domethënë qoftë pse një shkak i vogël ose i madh, aq më tepër jashtë mundësive tona si qytetarë ose si politikë, ose si shtet!?…
A do të ishte një rast për të brohoritur disa njerëz mes qytetarëve shqiptarë? Por edhe sikur pse diçka do të shkonte jo mirë (si puna e shiut) qoftë për shkakun tonë, a vallë duhet të gëzohen njerëz pse vendit po i ndodh një gjë jo e mirë!?
Tani vendit tonë i duhet të bëjë investime edhe për të përballuar ‘dëshirën e keqe’ të qytetarëve të vet. Sot qeveria shqiptare , me ligj, krijoji ‘Inteligjencien Kibernetike’. Kjo shoqërohet me infrastrukturë, me investim, me ‘ushtri’ të tërë në mbrojtje të sistemeve të informacionit. Është njësoj si në një situatë tjetër të kishe ngritur një ushtri të tërë me trupa, aviacion, marinë, tanke dhe topa…, për të mbrojtur vendin nga e keqja e pushtimit. Në këtë rast sulmi kundër vendit tonë vjen nga ‘lajmi i dëshirë së keqe’.
Këta që e sulmojnë vendin e tyre me dëshirën e keqe dhe me lajmin e rremë, a janë vallë ‘të këqij’? Edhe janë, sigurisht, kur çfarë u del përpara e bëjnë keq për veten dhe vendin.
Por më shumë janë të sëmurë. Jo të sëmurë viral, sigurisht. Por si ‘sëmundja’ e marrëzisë, për shembull, që nuk është klinike por magjeps shumë njerëz.
E keqja është si magneti, tërheq shumë njerëz. Por kush e shet këtë ‘magnet’ në mexhlis? Për disa kohë u shfaq hapur mes lajmësve se ‘lajmi i mirë nuk është lajm, duhet ‘njeriu të hajë qenin, jo qeni njeriun’.
Tani po korret suksesi: E pavërteta dhe ligësia ta shet lajmin.
Pas lajmit të remë do të sulmohet dikush. Do të vihet në pikëpyetje ngjarja e madhe e ‘ditës me shi’. Atë ditë edhe mund të bjerë shi, por e keqja se ‘ne mbajmë anën e shiut’. Atë ditë do të jemi në BE, edhe pse me shi.
Një stuhi e tërë u ngrit me lajmin e lig të Zvërnecit. Atje binte shi, si në zhvarrimin e Gjeneralit italian të Ushtrisë së Vdekur. Shiu litar u mor jo si shi i romanit, por si sulm kundër vendit. U sulmua vendi dhe u dogj Tirana, u vodhën banka, u verbua qyteti, u mbyllën ‘për gjak’ qytetarët e kryeqytetit…
Po ndodh shërimi pesëqind vjeçar i qytetërimit tonë, por lajmësit e lig shikojnë litarë shiu mbi varr.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.