Ahmetaj: Ja rezultatet e operacionit për hidrokarburet
Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në një konferencë për shtyp të mbajtur paraditen e së premtes, ka publikuar rezultatet e operacionit në tregun e hidrokarbureve.
Ahmetaj ka nënvizuar se disa subjekte tregtare janë penalizuar për abuzime; disa pronarë janë arrestuar, ndërsa ndaj disa të tjerëve ka nisur procedimi penal.
“Gjatë aksionit janë verifikuar 122 pika karburantesh që tregtojnë me pakicë në disa qytete, 4 prej të cilave janë gjobitur për shkelje të procedurave të tregtimit të karburantit, ndërsa ndaj 40 të tjerave ka nisur procedimi penal për fshehje të ardhurash. Ndërkohë, janë arrestuar në flagrancë 6 pronarë të pikave të karburantit, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim”, ka theksuar Ahmetaj.
Ministri i Ekonomisë ka shtuar se, operacionet për kontrollin e hidrokarbureve do të vazhdojnë, që nga pikat e importit e deri tek ato të furnizimit.