Ahmetaj: Ligj për turizmin detar, industri fitimprurëse për ekonominë
Shqipëria duhet të zhvillojë turizmin e detit për ta kthyer në një industri fitimprurëse për ekonominë, dhe për këtë qeveria po punon për hartimin e ligjit për turizmin detar dhe mjete lundruese.
“Po punojmë në ministri për ligjin e turizmit detar dhe mjeteve lundruese. Kemi një det të mrekullueshëm por ekonomia e detit është e vdekur, pa asnjë anije turistike, pa jahte luksoze, apo mjete të tjera lundruese. Duhet ta zhvillojmë turizmin e detit dhe ta kthejmë në një industri fitimprurëse për ekonominë shqiptare”, u shpreh ministri i MZHETS-së, Arben Ahmetaj.
Ministri mori pjesë në Konferencën për Zhvillimin e Turizmit, të organizuar nga Universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë”, në bashkëpunim me universitetin e Bolonjës.
Ministri bëri të ditur se ligji i ri për turizmin ka elemente shumë interesante, siç është ai ndërtimit të një aeroporti lovv cost në jug. Pritshmëritë e qeverisë janë që pas 4 vitesh të kemi një dyfishim të numrit të turistëve.
“Ligji i ri për turizmin ka elementë shumë interesant. Qeveria ofron pronë publike në bregdet me 1 euro për 99 vite, për investimet e rëndësishme në turizëm. Sot kemi dy interesime serioze zyrtare për investime, të dorëzuara pranë qeverisë. Është një ofertë e integruar për ndërtimin e strukturës akomoduese turistike dhe të një aeroporti low cost në jug, investim që kap vlerën 330 milionë euro”, tha ministri Ahmetaj.
Në këtë konferencë u prezantua programi i studimeve master “Start up në sektorin e turizmit”, që ka të bëjë me sipërmarrjet e reja në fushën e turizmit.