Ekonomia

Ahmetaj me delegacionin grek: Duam prezencë më të madhe të investimeve

 aaMinistri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, priti në një takim Sekretarin e Përgjithshëm për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Giorgos Tsipras dhe delegacionin që e shoqëronte atë.

Në takimin mes palëve, Ministri Ahmetaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Shifrat ekonomike tregojnë për një rritje të investimeve dhe volumit tregtar mes dy vendeve. Nga ana tjetër, bizneset greke kane një traditë në Shqipëri të lidhur me sektorin bankar, telekomunikacionin dhe sektorin e ndërtimit, ndërsa shtoi se numri i tyre po rritet në tregun vendas.

Ahmetaj bëri një prezantim të përgjithshëm të performancës ekonomike dhe nismave të ndërmarra në kuadër të konsolidimit të rritjes. “Në vitin 2014 rritja ekonomike u dyfishua krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2015, ajo është në nivelin e 2.7% ndërsa për vitin 2016 presim një kapercim në 3.4-3.5% – u shpreh Ministri. Ai përmendi disa nga ndryshimet e bëra në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit dhe investimeve në vend, me qëllim krijimi e një terreni ekonomik të shëndetshëm dhe atraktiv për investitorët.

“Kemi bërë ndryshime tejet cilësore sa i takon kuadrit ligjor. Kemi miratuar një paketë me katër ligje të rëndësishëm që impaktojnë klimën e biznesit. Ligji i ri për turizmin synon të krijoje kushtet e duhura për zhvillimin e sektorit dhe rritjen e peshës së tij në ekonominë e vendit. Për ne turizmi është një sektor prioritar që ka vëmendjen dhe angazhimin tonë maksimal, por edhe potencial të lartë për tu rritur. Ligji për Partneritetin Publik Privat ka shkurtuar ndjeshëm procedurat dhe afatet kohore të aplikimit dhe, nga ana tjetër, garanton cilësinë e projekteve duke vënë si kusht pranimin vetëm të projekteve që kanë studime fizibiliteti të avancuar. Ligji për Zonat e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, që besoj se është një nga ligjet më të mirë në rajon, ofron një sërë incentivash të rëndësishme dhe mundësi për investime në çdo sektor. Së fundi, ligji për investimet e huaja rikoncepton rolin e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve duke e kthyer atë në një “one stop shop” për investitorët, Ligji ofron shërbimin “fast track”, apo të ndjekjes së shpejtë të projekteve të investimeve dhe ofron mbrojtje ligjore për kontratat”.
Po kështu, Ministri përmendi se qeveria ka ndërmarrë një sërë reformash të thella strukturore në sektorët kyçë të ekonomisë në kuadër të modelit të ri ekonomik.
“Reforma në energji ishte një reformë madhore. E vështirë patjetër, por e domosdoshme. Ndërmarrja shtetërore, nga një kompani me 50% humbje, është kthyer në një kompani rentabël që nuk kërkon më mbështetje nga buxheti i shtetit. Po kështu, reforma kundër informalitetit në ekonomi ishte dhe vazhdon të jetë një nga betejat tona më të mëdha. Ka sjellë rezultatet e veta pozitive. Nga 1 janari, bizneset e vegjël në vend nuk i paguajnë më taksa shtetit.

Nga ana e tij, z. Tsipras u shpreh se Greqia ka kaluar një periudhë të vështirë, por pritshmëritë e qeverisë këtë vit janë për një përmirësim nga -3% në -0.5%. “Kemi ndërmarrë shumë reforma, kryesisht për menaxhimin e borxhit dhe kontrollin e financave publike. Kemi përmirësuar kapacitetet e pagimit të borxhit dhe po punojmë për rimëkëmbjen e ekonomisë”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, z. Tsipras theksoi se Greqia është një partner natyral i Shqipërisë, të dy vendet janë anëtarë të NATO dhe Greqia mbështet Shqipërinë në rrugën e saj të anëtarësimit europian. “Në rajonin e Ballkanit nuk ka dy ekonomi kaq të integruara sa ekonomitë e dy vendeve tona, e megjithatë ka ende shumë hapësirë për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin “ – tha z. Tspiras.
Në mbyllje të takimit, Ministri Ahmetaj theksoi se ajo që është e rëndësishme për ekonominë greke, shqiptare dhe çdo ekonomi është pozitiviteti që injektohet. “Ekonomia është perceptim. Nëse ne jemi pozitivë dhe besojmë tek ekonomia, konsumi rritet, investimet rriten, ekonomia në tërësi rritet, – përfundoi ministri.

Në lidhje me sektorët potencialë për të thithur investime, ministri Ahmetaj tha se : “Sot kompanitë greke janë prezente në sektorin bankar, janë në sektorin e telekomunikacionit, në sektorin e industrisë së lehtë, pra kompanitë greke janë pothuajse prezente në të gjithë sektorët. Ne duam prezencë më të madhe të kompanive greke në Shqipëri në turizëm, në energji, në bujqësi, në sistemin bankar pse jo të zgjerohen, në telekomunikacion. Pra, nuk është se ka ndonjë kufizim. Përkundrazi. Shqipëria është kthyer në një destinacion investimesh të huaja dhe është mikpritëse, siç ka qenë, për kompanitë greke dhe për kapitalin grek”.

Ndërsa sekretarin i përgjithshëm Tsipras deklaroi se : “Shqipëria dhe Greqia janë vende që kanë marrëdhëniet më të ngushta ekonomike në të gjithë Ballkanin. Njëkohësisht, janë dy vende që po kalojnë një tranzicion reformash, duke u nisur secili prej vendeve tona nga pika të ndryshme. Për Greqinë 2016-a do të jetë një vit ku gjendja nga ana ekonomike do të përmirësohet, e kam fjalën që do të fillojë të ketë zhvillim me ritme pozitive, me shifra pozitive dhe kjo gjë do të jetë pozitive edhe për Shqipërinë dhe për firmat dhe për kompanitë greke në Shqipëri. Veç kësaj, përmirësimet ligjore që filluam vitin që kaloi në lidhje me emigrantët e brezit të dytë, për përmirësimin e statusit të tyre, e ardhmja që skicohet për këtë brez emigrantësh në Greqi është shumë e mirë dhe do të ndihmojë edhe për vendin tuaj, ashtu siç do të jetë e ardhmja më e mirë edhe për minoritetin grek në Shqipëri. Sigurisht që vendi ynë do të vazhdojë të mbështesë ecurinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”

Marrëdhëniet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë njohur rritje të dukshme. Niveli i shkëmbimeve tregtare pas një periudhe rënieje për shkak të krizës greke filloi të rritet në vitin 2014-2015 duke kaluar në një fazë stabël. Sipas të dhënave të INSTAT 2016, importet e mallrave nga Greqia në Shqipëri gjatë vitit 2014 arritën në rreth 371.84 milionë euro, ose me një rritje prej 14% në krahasim me një vit më parë. Edhe eksportet drejt Greqisë për këtë periudhë kanë shënuar një rritje prej 13% ne krahasim me vitin 2013. Treguesi i raportit të mbulimit eksporte/importe në vitin 2015 paraqitet i përmirësuar në krahasim me vitin 2014, nga 17% në 22.15% në vitin 2015. Sipas klasifikimit për stokun e investimeve të huaja direkte në Shqipëri sipas shteteve, investimet Greke zënë vendin e parë në këtë klasifikim dhe përfaqësojnë 26 % të totalit të stokut vjetor të investimeve të huaja direkte në Shqipëri ose 7 % më shumë se 2013. Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë, Fluksi i Investimeve greke në vendin tonë, për vitin 2014, kap vlerën e 118 milion euro.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button