Ahmetaj në Washington DC: Shqipëria në rrugën e drejtë për të arritur rritje të qëndrueshme
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, zhvilloi një sërë takimesh të nivelit të lartë me FMN, Bankën Botërore, BERZH dhe një sërë institucionesh të tjera gjatë vizitës së tij në Washington DC, me rastin e takimeve të përvitshme të përbashkëta të FMN dhe Bankës Botërore.
Gjatë ditës së djeshme, ministri Ahmetaj dhe delegacioni shqiptar janë takuar me Presidentin e Bankës Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Suma Chakrabarti.
Pasi theksoi trendin rritës të ekonomisë dhe kthesën që po marrin sivjet si treguesit e ekonomisë reale, ashtu edhe të ardhurat dhe shpenzimet, ministri Ahmetaj theksoi se Shqipëria është në rrugën e drejtë për të arritur një rritje të qëndrueshme, bazuar mbi potencialet e pashfrytëzuara të ekonomisë dhe duke u fokusuar më shumë në një rol rajonal, që do të sillte një integrim më të zhvilluar si me tregjet e rajonit, ashtu edhe me tregun europian.
Po ashtu, Ahmetaj foli për rolin që BERZH-i mund të marrë në një sërë sektorësh me impakt real dhe imediat ku ky institucion ka ekspertizën për të ndihmuar performancën e sektorëve, që nga kreditë me probleme dhe ristrukturimi i tyre nga bankat, e deri tek investimet dhe asistenca me linja kredie për sektorë të ndryshëm.
Nga ana e tij, Presidenti i BERZH-t tha se Banka është e gatshme që të bashkëpunojë me qeverinë shqiptare, e cila pas një viti në krye të punëve po tregon një angazhim për të kryer reformat në sektorët kyçë. Sipas Chakrabarti, ky ka qenë një faktor që ka ndikuar tek angazhimi i BERZH-t, duke treguar se viti që shkoi ka qenë një vit rekord për sa i përket angazhimit të këtij institucioni në Shqipëri, me mbi 140 milionë dollarë investime. Presidenti i BERZH-it foli për përmirësimin e klimës për investitorët dhe për gatishmërinë e Bankës për të qenë prezente me projekte të reja dhe për të mbështetur qeverinë edhe me projekte në aspektin rajonal.
Ministri i Ekonomisë zhvilloi edhe një takim me Zëvendës Drejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Zhu Min. Në këtë takim u fol gjerësisht për performancën e ekonomisë dhe vazhdimësinë e programit me FMN. Sipas zv/drejtorit të Fondit, Shqipëria ka treguar se po vazhdon në rrugën e duhur me një sërë reformash strukturore që do ta çojnë përpara ekonominë. Z. Zhu ritheksoi gatishmërinë e FMN-ë për të qenë krahas qeverisë në këto procese të rëndësishme, duke ofruar asistencën dhe duke bashkëpunuar për të arritur rezultate reale dhe afatgjata pozitive. Nga ana e tij, ministri Ahmetaj theksoi se Shqipëria po performon sipas pritshmërive, duke cituar edhe vlerësimin nga Standard and Poor’s si një hap domethënës përpara në rritjen e besimit ndaj Shqipërisë.
Për ministrin e Ekonomisë, qeveria është duke marrë disa hapa të rëndësishëm për të riparuar në mënyrë definitive sektorë që kanë rënduar mbi buxhetin për 22 vjet, duke sjellë reformat ë thella në sektorë si energjia apo financat publike. Nga ana tjetër, Ahmetaj theksoi se në vazhdim të programit, si Fondi ashtu edhe Shqipëria, do të duhet të jenë fleksibël në mënyrë që të mbështetet çdo moment rritjeje i ekonomisë dhe për të mobilizuar plotësisht potencialin ekonomik të vendit.
Në vazhdim, ministri Ahmetaj zhvilloi takime të tjera me ekonomistë, personalitete nga FMN dhe Banka Botërore. Takimet e përbashkëta të FMN dhe Bankës Botërore zhvillohen çdo vit në Washington DC, duke mbledhur bashkë ekspertë, personalitete dhe përfaqësues të qeverive të të gjithë botës. Në këto takime Shqipëria përfaqësohet nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ai i Ekonomisë, Ahmetaj, ekspertë të këtyre ministrive dhe Bankës së Shqipërisë.