Ekonomia

Airbnb, Shqipëria ndër destinacionet me çmimet më të lira për turistët

Vouchercloud, aplikacioni europian më popullor i blerjeve online, ka listuar vendet më të shtrenjta dhe më të lira të Europës për sa i përket çmimit për natë qëndrimi (çift apo në grup) bazuar mbi të dhënat e Airbnb.

Vendet e Ballkanit janë ndër alternativat më të lira të pushimit në Europë. Sipas renditjes së Vouchercloud, më e lira në Europë është Maqedonia, ku çmimet mesatare për një natë qëndrimi për dy persona përllogariten rreth 25 paund, ndërsa për grupet deri në gjashtë persona, çmimi mesatar është 50 paund.

E dyta renditet Shqipëria, ku një natë qëndrimi sipas Airbnb për dy persona kushton mesatarisht 26 paund, ndërsa çmimi për grupe deri në gjashtë persona është më i ulët se 50 paund, duke u renditur kështu ndër vendet më të lira në Europë. Si vende miqësore me buxhetin listohen gjithashtu Kosova dhe Serbia me çmime mesatare përkatësisht 28 dhe 30 paund për dy persona.

Vendet më të shtrenjta

Vendet nordike janë vendet më të shtrenjta të Europës. Islanda qëndron në krye të klasifikimit, ku një natë qëndrimi për dy persona kushton mesatarisht 112 paund. Islanda ndiqet nga Suedia (82 paund), Norvegjia (77 paund) dhe Danimarka (73 paund). Finlanda bën pjesë te vendet nordike më miqësore ndaj buxhetit ku nata e qëndrimit për dy persona kushton mesatarisht 71 paund.

Nga ana tjetër vendet si Polonia (31 paund), Kroacia (43 paund) dhe Portugalia (45 paund) janë alternativa të mira që nuk rëndojnë buxhetin. Madje dhe Gjermania (45 paund), Spanja (53 paund) dhe Italia (53 paund) ofrojnë mundësi joshës në disa nga destinacionet më të frekuentuara të Europës. Çmime të mira ka edhe Franca (63 paund) dhe Mbretëria e Bashkuar (75 paund).

Çmimet e kryeqyteteve sipas Airbnb

Lisbona, Amsterdami, Roma dhe Londra janë disa nga kryeqytetet më të shtrenjta, ku çmimet janë shumë më të larta se pjesa tjetër e vendit, që do të thotë se do të ishte më e leverdishme nëse qëndroni pak më larg këtyre qendrave dhe të kurseni para.

Vjena, Brukseli dhe Athina janë kryeqytete me çmime mesatare, së bashku me Bukureshtin dhe Helsinkin.

Çift apo në grup?

Qipro, Suedia, Danimarka, Gjeorgjia dhe Bullgaria janë disa nga vendet ku të udhëtuarit në grup kushton shumë më lirë se sa në çift, me çmimet për person thuajse sa gjysma në rast se do të ishit çift.

Nga ana tjetër, në Greqi kushton më lirë një natë qëndrimi në çift se sa në grup. Zvicra, Polonia, Mbretëria e Bashkuar, ngjashëm si në Greqi, kushton më lirë për çiftet se sa për grupet.

 

harta

grafiku

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button