“Ajatallohët i bashkohen zyrtarisht protestës”, Rama replika me zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme iraniane: S’marrim leksione nga një regjim që shtyp popullin e vet
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, i cili komentoi protestën e zhvilluar në zonën e Zvërnecit kundër ndërtimit të një resorti turistik.
Përmes një postimi në X, Rama tha se “edhe qeveria e ajatollahëve të Teheranit i është bashkuar zyrtarisht protestës”, duke akuzuar aktorë të ndryshëm politikë dhe mediatikë se po përpiqen ta shndërrojnë një protestë mjedisore në një lëvizje politike për rrëzimin e qeverisë.
“Ja edhe qeveria e ajatallohëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës, madje edhe me parrullat në shqip njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë! Bashkëngjitur edhe replika ime për ajatollahët, edhe në emrin e atyre protestuesve që janë akoma aty për të mbrojtur natyrën, jo për ta bërë Shqipërinë shesh për përsheshet e fuqive lloj-lloj, nga mesjetarët iranianë, që e duan të djegur këtë oaz shembullor të tolerancës ndërfetare e të marrëdhënieve të shkëlqyera qoftë me Izraelin, qoftë me vendet arabe apo Turqinë, tek grupime lloj-lloj e media ndërkombëtare bashkë me lloj-lloj individësh nga lloj-lloj vendesh, që dufin me Trumpin po e nxjerrin këto ditë duke i përmbytur rrjetet sociale me lloj-lloj gjysëm të vërtetash, të cilat fryhen e fryhen duke u bërë gënjeshtrat më të mëdha! Shqipëria është shumë e vogël për të rënë në këtë kurth të madh, nga ku rrezikojmë të kthehemi me këmbët tona në pikën që të mos afrohet më asnjë investitor i huaj, ndërsa turizmi të mbetet shumë mbrapa krahasimisht me konkurentët tanë…”, shkroi Rama.
Në përgjigjen e tij ndaj Baqaeit, Rama kritikoi ashpër regjimin iranian, duke e akuzuar për censurë, shtypje të lirive dhe sulme kibernetike ndaj Shqipërisë.
Rama vlerësoi protestat si shprehje të demokracisë, duke nënvizuar se në Shqipëri qytetarët janë të lirë të protestojnë, të kritikojnë qeverinë dhe të kërkojnë zgjedhje e drejtësi pa frikën e burgosjes.
“Oh, sa e turpshme nga ju! Gjithsesi, faleminderit për shqetësimin tuaj ndaj inteligjencës së popullit shqiptar. Do të ishte shumë më bindëse nëse do të vinte nga përfaqësues të një regjimi që nuk i godet vazhdimisht qytetarët e vet me censurë, intimidim, ndërprerje të internetit dhe shtypje të mendimit ndryshe.
Sa i përket sovranitetit, Shqipëria nuk merr leksione për sovranitetin nga një qeveri, operativët e së cilës u kapën duke kryer sulme kibernetike ndaj shërbimeve dhe institucioneve publike shqiptare, gjë që çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit. Ju citoni protestues shqiptarë që brohorasin në rrugë. Shumë mirë. Kjo quhet demokraci. Në Shqipëri, njerëzit janë të lirë të protestojnë kundër qeverisë së tyre, të kritikojnë Kryeministrin, të kërkojnë drejtësi dhe zgjedhje pa pasur frikë nga burgosja. A mund të thuhet e njëjta gjë për njerëzit në emër të të cilëve pretendoni se flisni.
Është veçanërisht domethënëse që papritur keni zbuluar një shqetësim kaq të madh për protestuesit në Tiranë, ndërkohë që gjaku i dhjetëra mijëra njerëzve tuaj rëndon mbi ndërgjegjen e regjimit tuaj, ndërsa të panumërt vazhdojnë të vuajnë persekutim, represion dhe burgosje, dhe ndërsa dhjetëra milionë mbeten të bllokuar në kushte që i përkasin më shumë Mesjetës sesa shekullit të 21. Populli shqiptar është vërtet mjaftueshëm inteligjent për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra. Pikërisht për këtë arsye ai di të bëjë dallimin mes një debati demokratik dhe propagandës”, shkruan Rama.
Rama kujtoi gjithashtu sulmet kibernetike ndaj institucioneve shqiptare, për të cilat Tirana zyrtare ka akuzuar Teheranin, duke theksuar se Shqipëria nuk merr leksione për sovranitetin nga një qeveri, operativët e së cilës u kapën duke kryer sulme ndaj sistemeve publike shqiptare.
“Programet tuaja të automatizuara, profilet e rreme dhe videot e manipuluara mund t’i shtojnë konfuzionit të përgjithshëm digjital helmin e regjimit tuaj plot urrejtje, por nuk do të arrijnë askund, sepse pavarësisht dallimeve që mund të kemi mes nesh si shqiptarë, ne jemi të gjithë të qartë dhe të bashkuar në bindjen se çdo lloj regjimi që e mban popullin e vet në errësirë dhe varfëri është armik i mënyrës sonë të jetesës, i maskuar si shqetësim. Dhe i juaji është më i keqi nga të gjithë: një shtet terrorist sipas vetë përkufizimit”, përfundon reagimi i Ramës.
Më herët, kryeministri Rama kishte akuzuar Iranin se qëndronte pas protestave, gjë që solli reagimin e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei.
Baqaei iu drejtua Ramës me tone kritike, duke i kërkuar të dëgjojë zërin e protestuesve që, sipas tij, po kërkojnë drejtësi dhe po shprehin pakënaqësi ndaj qeverisë.
“Në vend që të akuzoni të tjerët, dëgjoni njerëzit tuaj që brohorasin në rrugë kundër korrupsionit dhe në kërkim të drejtësisë”, deklaroi zyrtari iranian.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.