Aksi Shkodër-Muriqan, model suksesi i programit të mirëmbajtjes së rrugëve
Aksi Shkodër-Murriqan, një segment i rëndësishëm rrugor, sidomos gjatë sezonin turistik, përfaqëson sot një tjetër model suksesi të programit kombëtar për rindërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore.
Nga një rrugë në degradim vetëm 4 muaj më parë, ky aks prej 12 kilometrash, pasi iu nënshtrua rindërtimit, sot është një realitet i transformuar tërësisht.
Kryeministri Edi Rama inspektoi këtë segment pas rindërtimit me vlerë afro 1.5 milionë euro. Rama tha se Programi Kombëtar për infrastrukturën po vendos standarde të larta në mirëmbajtjen e rrugëve.
“Programi Kombëtar i mirëmbajtjes, për herë të parë është program mirëmbajtjeje, se deri dje ka qenë program grabitjeje dhe program gallate. Absolutisht s’ka pasur mirëmbajtje rrugësh, por vetëm hidh pluhur sipër dhe ik. Pas kësaj do të jetë shumë më e qartë dhe shumë e lehtë për të vazhduar për të mirëmbajtur mbi këtë bazë, se është ndërtuar me standarde të larta dhe faktikisht është një mirëmbajte e thellë. Ky është rindërtim rruge, nuk është mirëmbajtje, në kuptimin që u hap një gropë dhe u vu një shtresë,” tha Kryeministri.
Kryeministri u shpreh se ky program është mirëpritur edhe nga Banka Botërore. “Me Bankën Botërore që financojnë një pjesë të programit. Ne patëm një takim dhe u shprehën me nota superlative për programin dhe për mënyrën se si është i gjithi i ndërtuar. Se nuk është thjesht çështja e financimit, se në këtë histori për 30 vjet nuk është se kanë munguar lekët, thjesht, këtu ka munguar komplet e gjithë mënyra e konceptimit dhe e organizmit.”
E vërteta është, – nënvizoi Kryeministri Rama, – që programet e mirëmbajtjes në të gjithë rajonin për një kohë të gjatë kanë qenë dështime spektakolare, ndërkohë që ky program mirëmbajtjeje është program me standarde të larta”. “Në rrugën Tiranë-Durrës, siç u bë mirëmbajtja, ishte një estradë shumëvjeçare që përsëritej dhe gropat vetëm shtonin gropat. Tani është mirëmbajtje e thellë”, shtoi Rama.
Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro tha se rruga shkurton gjysmën e kohës që shpenzonin drejtuesit e mjeteve para ndërhyrjes.
“Është një aks gati 12 km nga Shkodra në Murriqan, i cili i është nënshtruar programit të qeverisë shqiptare për rehabilitimin. Është rehabilitimi i shtresave komplet, sidomos sinjalistikës dhe sigurisë rrugore, plus veprave të artit, se kjo rrugë ka qenë problem me tubinat, me kanalet anësore, një histori 25-vjeçare e pavënë dorë. Ka qenë në gjendje shumë të keqe. Nëse sot përshkohet për 40-45 minuta, për shkak të shpejtësisë së ulët që ka si aks, këtë e bëje për një orë e gjysmë, vetëm nga cilësia që ka pasur rruga,” u shpreh Qendro.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Artan Shkreli theksoi se siguria rrugore ka qenë fjala kyçe edhe në këtë projekt. “Ishte parashikuar të bëhej për 6 muaj, është bërë gati për 4 muaj. Ka një risi të madhe sa i përket elementëve dhe standardit. Ky është standardi që duam të arrijmë me mirëmbajtjen e rrugëve, gjë që nuk ka ndodhur më përpara”, tha ai.
Mirëmbajtjet e rrugëve, sipas tij, “përveç një abuzimi të madh, nuk merrej vesh çfarë ndodhte e si ndodhte”. “Është pas shumë kujdes siguria rrugore këtu. Për fat të keq ka pasur një regjistër negativ edhe në humbje jetësh, por edhe në plagosje e në humbje të pasurisë së njerëzve. Kështu që ka qenë një pikë shumë e rëndësishme fakti i rritjes së elementëve të sigurisë,” tha Shkreli.
Ndërkaq, kreu i ARRSH-së, Afrim Qendro e informoi Kryeministrin dhe lidhur me ecurinë e ndërhyrjeve të tjera infrastrukturore në Qarkun Shkodër, që, siç u shpreh ai, janë drejt përfundimit total.
“Ne kemi mbaruar në Shkodër edhe rrugën Mergushë-Mjedë, e cila i është nënshtruar një përmirësimi të plotë, ose plotësimit të elementëve të sigurisë rrugore. Edhe atje është bërë një investim gati 500 mijë euro, është e mbaruar dhe po vazhdojmë e jemi në përfundim për të gjithë rehabilitimin dhe ndërhyrjet që kemi në rrugën e Tamarës dhe drejt përfundimit segmentin nga Gurrë i Zi deri në Mjedë. Ndërkohë projektet kanë mbaruar dhe ne presim brenda pak ditëve, të fillojmë më në fund, edhe nga Mjeda deri në Fushë Arrëz, që do të thotë se pjesa më e madhe e projekteve rehabilituese në Qarkun e Shkodrës mbaroi,” tha Qendro, duke shtuar se ka përfunduar dhe ndërhyrja në aksin Lezhë-Shëngjin.