Politika

Aksidenti i Golemit, Blushi: Qeveria saboton interesin publik për atë privat

Deputeti socialist Ben Blushi akuzoi Parlamentin se nuk po merret me interesin publik, ndërsa akuzon qeverinë për paaftësi. Rasti konkret që solli Blushi ishte ai i aksidentit të rëndë të një jave më parë në Golem, ku humbën jetën dy fëmijë.
“E hoqi interesi privat, nevoja e qeverisë për të mbrojtur interesin privat. Ishin hequr për t’i shërbyer një karburanti privat. Kë mbrojti në këtë rast qeveria? Karburantin privat. Shihni me ca merren sot? Pse përfundoi kjo familje në burg. Sepse babai i këtyre vajzave që shteti nuk i mbrojti, përkundrazi i çoi në humbje jete, kishte ndërtuar një çati në tokën e vet. E përfundoi në burg, prej 6 muajsh ku vajzat po shkonin të vizitonin të atin. Kush e mbron pra, interesin publik këtu. Interesin e kujt mbron qeveria? Apo interesi publik cenohet kur vjen puna njerëz që nuk kanë mundësi të ndërtojnë një çati në tokën e vet”, tha Blushi.
Z. Blushi iu referuar edhe lajmeve të ditëve të fundit për trafikun e madh të drogës në Sarandë, ku tha se deri dje personi i përfolur ishte në punë.
“Rasti i fundit në Sarandë që tregon se si sabotohet interesi publik në Shqipëri. Ka 3 ditë që shkruhet për një trafik të madh droge në Sarandë. Unë nuk e di kush është ai njeri, kujt i ka dhënë më shumë para. E dini ca më intereson si interes publik që ky njeri është akoma në punë deri dje. Për çfarë mbahet në punë?”, tha Blushi.

Tahiri-opozitës: Ndajeni mendjen o reformën, o Parlamentin!

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i quan kërkesat e PD-së deri më sot si pretekste për të mos votuar reformën në drejtësi. Opozita, tha ai, po përbalt policinë e shtetit në punën e saj.
“Ç’duhet të prodhojë ky Parlament dhe sa prodhon për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë. Hajdeni te reforma në drejtësi. Për çfarë debati bëhet fjalë këtu? Ku ka debat xhanëm? Nëse keni reformën, s’keni pse vini këtu e përbetoheni. Hajdeni ta votojmë. Kjo është guri provës. Është marrë parasysh çdo sugjerim që keni bërë dhe hajdeni ta votojmë. Lërini pretekstet. Të gjitha pretekste për të mos votuar reformën. Ndajeni mendjen o reformën, o Parlamentin”, tha ministri Tahiri.

Berisha: Edescobari dhe qeveria, organizata më e rrezikshme kriminale

Ish-kryeministri Berisha, duke marrë fjalën në Parlament, e ka cilësuar qeverinë Rama si organizatën kriminale më të rrezikshme në rajon e më gjerë.
Ai ka bërë përgjegjës vetë kryeministrin, si drejtues të kësaj organizate, duke e lidhur atë me grupin e drogës të shkatërruar në ditët e fundit nga policia greke.
“Kreu i Meduzës nuk pati kurajo të qëndronte dhe të dëgjonte përgjigjet ndaj problemeve që ngriti dhe akuzave që adresoi. Unë kisha një fjalë për Edescobarin, e ka këtë etiketim për Ballkanin, por do ta ketë për të gjithë Europën”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, “ky është shembulli i organizatës kriminale, i qeverisë kriminale më të rrezikshme të planetit”. “Numri i shqiptarëve që ju shohin juve si organizatë kriminale është me qindra e me mijëra. Por shqiptarët do të çlirohen nga kjo organizatë kriminale”, ka thënë Berisha.
Më tej ish-kryeministri ka akuzuar ish-deputetin Koço Kokëdhima për lidhje me Klemend Balilaj, i konsideruar nga policia greke si “baroni i drogës”.
Edi Rama kishte ikur, kur Berisha foli dhe nuk e dëgjoi akuzën tjetër ndaj tij. “Ka 137 orë biseda me Gjykatën Kushtetuese për mandatin e Koços”, ka thënë Berisha, i cili i ka bërë thirrje prokurorisë që të marrë nën kontroll tabulatët e kryeministrit.

Rama: Të votojmë reformën në drejtësi, meritojmë hapjen e negociatave me BE këtë vit

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar sërish opozitën se po i shmanget reformës në drejtësi, por u ka kërkuar atyre miratimin e saj, pasi sipas tij “Shqipëria e meriton të çelë negociatat këtë vit për t’u bërë anëtar i BE-së”.
“Unë di të them lërini këtë valle dhe uluni t’i japim fund kësaj historie që po bëhet gjithmonë e më shumë një barrë e rëndë në kurriz të këtij populli e këtij vendi që meriton të çelë negociatat këtë vit për tu bërë anëtar i BE-së. Dhe në të njëjtën kohë patjetër, jo për hir të negociatave po për hir të të drejtës për të pasur drejtësi ta shohë të shembet këtë sistem para syve të vet siç e garanton kjo reformë”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Rama vijoi më tej se reforma në drejtësi bëhet cilësore duke punuar së bashku. “Ju jeni ata që i shmangni reformës në drejtësi si djalli temjanit dhe nxirrni vetëm pretekste, alibi, përrallë vetëm për të shtyrë reformën në drejtësi. Nuk ka rëndësi koha po cilësia. Cilësia? Po si do bëhet më cilësore reformat në drejtësi duke mbyllur derën si një shishe vere e duke e lënë të vjetrohet dhe të përmirësohet vetë. Hajde pra ulemi në tavolinë e punojmë bashkë për cilësinë ju i ikni se bën dy gjëra. E para e shemb piramidën e sotme të sistemit të drejtësisë dhe të gjithë strukturat e mekanizmat që ju sot i kontrolloni bien dhe ndërtohet sistem i ri ku kapaciteti i influencvës politike dhe vendimmarrjes përmes pazareve të partive politike minimizohet”, vijoi Rama.
Kryeministri Rama ka reaguar gjithashtu edhe ndaj lajmeve të fundit për trafikun e drogës, duke i quajtur sulmet e PD të paskrupullta. Ndërkohë, çështja e pronave ka qënë objekt debati mes tij dhe kreut republikan, Fatmir Mediu.

Kuvend, Paloka: PS të mbështesë dekusarizimin. Ruçi: Keni refuzuar reformën në drejtësi

Partia Demokratike ka depozituar zyrtarisht në Kuvend amendamentin për dekusarizimin, për të cilën kreu i grupit parlamentar të opozitës Edi Paloka i kërkoi socialistëve ta votonin.
“Unë kërkoj që deputetët socialistë t’i bashkohen grupit të PD-së dhe ta votojnë këtë amendament. Ne këtë amendament e kemi cilësuar amendamenti i dekusarizimit. Pas dekriminalizimit, hajdeni ta bëjmë bashkarisht pa ju detyruar kush, që Koçot, Beqët e kush me vetëdije vjedh paratë e shqiptarëve të mos ketë më të drejtën të kthehet në Parlament apo qeveri”, tha Paloka.
Në vazhdën e këtij amendamenti, Paloka tha se Rama po përgatitet të sjellë në qeveri Koço Kokëdhimën si ministër të Turizmit.
“Po përgatitet të risjellë Koçon ministër të Turizmit. Jo qeshni, se ky është problemi se ne i marrim vesh gjërat para jush. Dhe ky është problemi juaj dhe jo i joni. Po përgatitet të sjellë Koçon ministër të Turizmit, sepse duhet të vjedhi prapë, duhet të grabisi prapë”, tha Edi Paloka.
Në përgjigje të tij, kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, tha se opozita do të bëjë shtyrje të zbatimit të dekriminalizimit. “Javën tejtër do sillni diçka tjetër, ne këtë e dimë. Megjithatë ne jemi të vetëdijshëm që dot ë vazhdojë për të ndërtuar shtetin dhe për të bërë dhe këtë kryereformë që e presin 97% e shqiptarëve. Sigurisht që është e vështirë, jo vetëm për numrat. Me nismën e sotme nuk kam asnjë vërejtje, le të nisë rrugën dhe ajo, por ju nuk doni atë të cilën dhe dje me të madhe e keni refuzuar moszhvillimin e reformës në drejtësi.”, tha Ruçi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button