Aksidenti tragjik në Durrës me 2 viktima, nëna e të miturit apel drejtësisë: Kërkoj dënimin maksimal
Emisioni Review në Euronews ka rikthyer në vëmendje këtë të premte aksidentin e rëndë të ndodhur më 3 maj 2026 në qytetin e Durrësit, ku humbën jetën dy të mitur dhe mbeti i plagosur një i tretë.
Aksidenti u rikthye në vëmendje në një kohë kur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Durrësit ka nisur procesi gjyqësor ndaj shoferit 57-vjeçar, Nikoll Radaçi.
Në një intervistë për gazetaren e Euronews, Matilda Braho, nëna e Eneas, 12-vjeçarit që humbi jetën pas përplasjes, ka bërë apel për dënim maksimal ndaj të pandehurit, duke treguar se deri më tani janë zhvilluar tri seanca gjyqësore dhe se është në pritje të seancës së radhës.
“Kemi zhvilluar tre seanca deri tani dhe presim kur të na thërrasin për seancën tjetër. Kërkoj që shteti të marrë masat, që ai të marrë dënimin maksimal që i takon, që edhe fëmijët tanë, jo se më jep një ngushëllim, por sadopak të gjejnë paqe atje ku janë, sepse unë nuk gjej ngushëllim askund”, tha ajo.
E pyetur nga gazetarja nëse kishte pasur ndonjë kontakt nga familjarët e 57-vjeçarit apo nëse ata kishin shkuar për t’iu kërkuar falje, nëna e të miturit u shpreh se nuk kishte pasur asnjë komunikim.
“Jo, në asnjë moment nuk kanë ardhur, as për falje, asgjë. Po edhe sikur të vinin, unë nuk do t’i falja. Fëmijët nuk kthehen më. Kërkoj që gjyqtari ta mendojë mirë këtë çështje për dy fëmijë që kanë humbur jetën dhe të marrë vendimin e duhur për atë person, që ai të marrë dënimin e merituar. Të shkatërruar jemi familjarisht. Nuk është më njësoj shtëpia pa djalin. Ndihemi të shkatërruar.
Çdo gjë është si në erë, siç i thonë. Në çdo cep nuk gjejmë më asgjë. Atë dikush po e ndihmon. Se kush? Nuk e di. Nuk kemi shtet. Shteti duhet ta kishte parandaluar këtë person, pasi disa herë është paralajmëruar nga familjarët dhe nga të gjithë, por nuk u bë asgjë.
Bashkëshorti im e kishte paralajmëruar disa herë që të mos ecte me shpejtësi, sepse në këtë lagje ka shumë fëmijë dhe të moshuar. Fëmijët luajnë çdo ditë, çdo orë, çdo minutë dhe çdo sekondë. Ai kalonte me një shpejtësi marramendëse dhe me muzikë aq të lartë sa nuk tolerohej”, u shpreh ajo.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.