Aksioni ndaj informalitetit, Vjero: Në gusht-shtator, fluks regjistrimesh
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Vasilika Vjero ka deklaruar të premten se, efektet e operacionit të qeverisë kundër informalitetit janë ndjerë në ditët e fundit, kur është verifikuar dhe fluksi më i madh i regjistrimeve të bizneseve pranë sporteleve të QKR-së.
“Në muajin gusht ka pasur mbi 4.600 biznese të regjistruara, ndërsa në ditët e para të shtatorit kemi një fluks në rritje të kërkesave për regjistrim me mbi 2.500 biznese”, ka deklaruar Vjero në një komunikim me mediat.
Një tjetër pikë ku drejtoresha e QKR-së e ka vënë theksin ka qenë ajo e regjistrimit të kompanive të huaja, që sipas saj në 9-mujorin e fundit ka treguar një prani prej 19 për qind.
Më tej Vjero u ka bërë thirrje bizneseve që të realizojnë formalizimin nëpërmjet regjistrimit në QKR, të pajisen me kasa dhe të lëshojnë kuponin tatimor.