“Akullthyesit” rikthehen në skenë, publiku mirëpret grupin që bëri jehonë në vitet `90
Grupi legjendar elbasanas “Akullthyesit” është rikthyer në skenën e Teatrit “Skampa”, me një koncert të veçantë që solli emocione, nostalgji dhe kujtime për disa breza.
Teatri “Skampa” u gjallërua nga energjia dhe interpretimi i një prej zërave më të njohur të grupit, Ymer Ashikut. Ashtu si në vitet e para të karrierës së tij, ai pushtoi skenën me interpretimin e tij, ndërsa publiku e mirëpriti me duartrokitje të gjata. Spektatoret kënduan së bashku me “Akullthyesit” duke përjetuar këngët që kanë shënuar historinë e grupit.
Rikthimi i “Akullthyesve” në Elbasan ishte si një takim me kujtesën muzikore të qytetit.
“Ne kemi qenë një grup që i kemi dhënë shumë qytetit dhe kjo është arsyeja pse njerëzit rikthehen te muzika jonë. Sollëm muzikë të mirë, këngë me ndjenjë dhe tekste që prekin e përjetohen. Besoj se ky koncert do të mbahet mend gjatë”, u shpreh vokalisti Ymer Ashiku.
Drejtori i Qendrës së Artit në Bashkinë Elbasan, Klinton Kapaj, e vlerësoi këtë rikthim si një moment krenarie për qytetin, duke vënë në dukje rëndësinë e trashëgimisë muzikore që grupi ka krijuar ndër vite.
“Akullthyesit” u krijuan në Elbasan në vitin 1989, me iniciativën e Bledi Shishmanit dhe Gentjan Haxhiademit. Me ndërthurjen e muzikës rock, teksteve të ndjera dhe stilit të tyre të veçantë, grupi fitoi shpejt vëmendjen e publikut, duke lënë gjurmë në jetën muzikore të qytetit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.