Kosova

Akuza të reja për korrupsion në EULEX

Prokurorja e pezulluar e Bashkimit Europian, Maria Bamieh pretendon se kishte dyshime se janë marrë ose ofruar ryshfete në tri çështje të mëdha të trajtuara nga misioni i EULEX-it në Kosovë.

akuza-t-euml-reja-p-euml-r-korrupsion-n-euml-eulex_hdBamieh, akuzat e të cilës për korrupsion brenda radhëve të EULEX-it shkaktuan skandal në Kosovë dhe ngritën shqetësime midis ligjvënësve evropianë pasi ajo i bëri këto publike në tetor, gjatë një interviste në televizion ka shprehur supozime për shkelje të tjera të ligjit.

“Po flasim për tri çështje të ndryshme, ku pretendohet se janë marrë ryshfete. Një rast mund të jetë rastësi ose gabim, por tre raste duken vërtet shumë keq,” tha Bamieh në kanalin televiziv N1 ditën e martë në mbrëmje.

Në tetor, Bamieh akuzoi gjykatësin e EULEX-it Francesco Florit se kishte marrë rreth 300, 000 euro ryshfet në vitin 2009 për të siguruar lirimin e një të akuzuari për vrasje dhe se ka kërkuar ryshfet në një çështje kundër Ministrit të Shëndetësisë në Kosovë. Florit i mohoi të gjitha akuzat.

Bamieh tha në intervistë se ajo beson se ish-komandanti i UÇK-së, i cili tashmë është bërë politikan Fatmir Limaj, i cili është gjykuar për krime lufte, korrupsion dhe krim të organizuar, gjithashtu u përpoq të jepte ryshfete për “të dalë nga telashet”.

Ajo u shpreh se EULEX-i nuk i hetoi me qëllim akuzat e saj, duke e akuzuar kryetarin e EULEX-it në Kosovë, Gabriele Meucci, se i ka bërë presion që ajo ta ndalojë hetimin e saj.

“Ditët e para që z. Meucci mori detyrën, ai kërkoi të ndalohej hetimi për Floritin dhe dërgoi një email ku e kërkonte këtë gjë. Vetëm pasi unë i bëra publike akuzat, ai tha se po e hetonin këtë gjë,” tha ajo.

“Nuk kam thënë kurrë se ata ( Floriti dhe kryeprokurorja e EULEX-it Jaroslava Novotna) ishin fajtorë, sepse të gjithë janë të pafajshëm derisa të vërtetohet se janë fajtorë, por provat në këtë rast ishin shumë të forta dhe kjo kërkon hetim,” tha ajo.

Ajo tha gjithashtu se zyrtarët e EULEX-it kanë qenë “shumë pranë” elitës politike në Prishtinë, e cila ajo pretendon se nuk po e lejon misionin të ndjekë penalisht disa prej politikanëve kryesorë të Kosovës.

“Çështja e Sami Hamitit, ish-kryetari i Kuvendit të Qytetit të Prishtinës, u la. Ai u përgjua dhe pati panik në zërin e tij kur dëgjoi se akuzohej për korrupsion. Sapo e mori vesh, ai i telefonoi disa zyrtarëve të lartë. Pas një bisede me kode, çështja kundër tij u la,” tha Bamieh.

Ajo tha se ishte e dyshimtë që një raport i brendshëm që ajo paraqiti për shqetësimet e saj në vitin 2012 tani duket se është zhdukur.

“Zyra e Avokatit evropian të popullit së fundmi raportoi se raporti im është zhdukur, gjë që është shumë e dyshimtë, sepse e dërgova me postë elektronike dhe e dorëzova personalisht në prani të eprorit tim,” tha Bamieh.

Avokati Evropian i Popullit i caktuar nga Parlamenti Europian, Emily O’Reilly, i cili hetoi mënyrën si po trajtoheshin nga EULEX-i akuzat për marrje ryshfeti, tha këtë muaj se as misioni i EULEX-it në Kosovë dhe as Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Europian nuk kishin kopje të raportit të Bamieh.

Por zëdhënësja e EULEX-it Dragana Nikolic-Solomon tha megjithatë se misioni i kishte hetuar akuzat për ryshfet para se ato të bëheshin publike në media.

“Ekipi i hetuesve nga Kosova dhe EULEX-i u krijua disa muaj para se akuzat të publikoheshin në media për të kryer hetime penale.” Tha Nikolic-Solomon në televizionin N1, duke shtuar se akuzat po hetohen ende.

Nikolic-Solomon tha gjithashtu se pezullimi i Bamieh nuk ishte ndëshkim, por një masë parandaluese, sepse ajo dyshohet se ka shkelur rregullat e EULEX-it.

Megjithatë, Bamieh pretendon se ajo është pezulluar sepse EULEX-i mendonte se ajo i kishte dhënë fshehurazi dokumente një gazetari nga gazeta e Kosovës “Koha Ditore”, gjë të cilën ajo mohon se e ka bërë.

“S’i kam dhënë kurrë ndonjë dokument medias. Me gazetarin fola vetëm pasi raporti i parë (ai për korrupsionin e dyshuar në EULEX) u publikua nga “Koha Ditore” dhe i dhashë atij një intervistë, por nuk i dhashë ndonjë dokument,” këmbënguli Bamieh.

Muajin e kaluar, shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, caktoi Jean Paul Jacque, një këshilltar ligjor në BE, për të kryer një hetim katër mujor të situatës së EULEX-it. Rezultatet paraprake ai do t’i paraqesë në Parlamentin Europian në janar të vitit 2015.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button