Ekonomia

Akuzat për shtesat në koncesion/ MIE: Projekti synon zhvillimin ekonomik të zonës, padi për shpifje ndaj PD

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaron se do të padisë Partinë Demokratike për akuzat që ajo i drejtoi sot lidhur me shtesën në kontratën e portit në Porto Romano.

“Sulmet e PD-së synojnë të dezinformojnë opinion publik, për të denigruar punën e Qeverisë, duke hedhur baltë mbi një projekt, i cili synon të rrisë zhvillimin ekonomik të zonës së Porto Romanos, por edhe më gjerë”, bëri të ditur përmes një deklarate për shtyp, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Parlamenti miratoi sot me shumicë votash, projektligjin “Për miratimin e shtesës së kontratës së koncesionit të formës BOT (Ndërtim, shfrytëzim, transferim) të një porti të llojit MBM në Porto Romano Durrës, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë koncesionare “Porti MBM (multi buoy mooring)”.

Kontrata bazë e këtij koncesioni është miratuar me ligjin Nr. 104/2015. Kjo kontratë është ndryshuar në vitin 2018 me ligjin nr.13/2018.

“Ndryshimet e bëra së fundmi në këtë kontratë janë tërësisht ligjore dhe në përputhje me dokumentet strategjikë të zhvillimit të sektorit detar, të miratuar nga Qeveria shqiptare”, deklaroi ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas MIE-s, në kontratën e vitit 2015, në nenin 3 përcaktohet objekti i koncesionit, i cili parashikon ndërtimin e Portit dhe ofrimin e shërbimit të ngarkim-shkarkimit të mjeteve lundruese që transportojnë hidrokarbure.

“Në pikën 1 të kontratës bazë, cilësohet se shërbime do të thotë veprimtaria që do të kryhet nga koncesionari, sic përcaktohet në nenin 25. Kjo do të thotë se ndryshimi në kontratë nuk parashikon ofrimin e një shërbimi të ri në port”, thuhet më tej në deklaratën e MIE-s.

Më tej, MIE sqaron se ligji “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” i ndryshuar, në nenin 31, pika 2, germa “ç”, parashikon se “ndryshimet në kontratë mund të bëhen me iniciativën e të dyja palëve kontraktuese, veçanërisht në raste që çojnë në ndryshimin e situatës reale ose ligjore për përdorimin e objektit apo ofrimin e shërbimeve, ose në realizimin e kontratës”.

Sipas MIE-s projektligji i miratuar sot është në përputhje të plotë me Strategjinë Sektoriale të Transportit dhe Planit të Veprimit 2016-2020 ku në objektivat e prioritetit të dytë strategjik “Rritja e qëndrueshme për tregjet detare dhe portuale” parashikohet rehabilitimi dhe modernizimi i infrastrukturës dhe shërbimeve portuale, edhe nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës së koncesionit Porti MBM.

“Shtesa e kontratës koncesionare ka qëllim të vetëm shfrytëzimin maksimal të kapaciteteve të lira të akuatoriumit në terminalin verior edhe në argjinaturën jugore, si dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj klientëve dhe zhvillimin e mëtejshëm të zonës së Porto Romanos”, bën të ditur MIE.

Nga ana financiare, sqaron MIE, kjo shtesë e kontratës nuk shoqërohet me efekte shtesë për buxhetin e shtetit, përkundrazi, duke u shtuar të ardhurat e koncesionit, shtohen të ardhurat në buxhetin e shtetit nga Fee koncesionare. Referuar nenit 13 të kontratës bazë, koncesionari i paguan autoritetit kontraktues, një tarifë koncesioni të barabartë me 2% të xhiros vjetore, që koncesionari grumbullon nga tarifat e aplikuara.

Po ashtu, thotë MIE, shtesa e kontratës nuk ka asnjë ndikim në çështjet e sigurisë kombëtare, pasi sipas legjislacionit në fuqi të gjitha anijet që hyjnë në Republikën e Shqipërisë janë të detyruara, që 24 orë përpara mbërritjes në port, të dërgojnë dokumentacionin e nevojshëm pranë të gjitha strukturave shtetërore, të cilat kanë detyrimin për monitorimin dhe kontrollin e mallit.

“Porti MBM në këtë aspekt nuk ka asnjë ndryshim, nga portet e tjera të vendit, për sa i përket procesit të monitorimit të anijeve. Janë të njëjtat institucione, që monitorojnë anijet që hyjnë si në portin MBM, ashtu dhe portet e tjera detare të vendit. Pjesa më e madhe e këtyre institucioneve kanë zyra brenda territorit të portit, ose në afërsi të tij, pasi ky port është prej kohësh funksional”, thuhet në deklaratën e MIE-s.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button