Akuzohet për krime lufte në vitin 1999, Kosova arreston ish-pjesëtarin e forcave serbe
Autoritetet kosovare e kanë arrestuar të hënën një ish-pjesëtar të forcave serbe, për të cilin dyshojnë se ishte përfshirë në kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998- ‘99.
Prokuroria Speciale i bëri të ditura vetëm inicialet e të dyshuarit, Z.S., dhe njoftoi se ai u kap nga hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës.
“I pandehuri Z.S., si pjesë e një grupi paramilitar të forcave serbe, dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Matiçan, Komuna e Prishtinës gjatë periudhës kohore 1998-1999”, thuhet në njoftim.
Prokuroria tha se i ka kërkuar gjykatës vendosjen e të dyshuarit në paraburgim por nuk dha më shumë hollësi.
Arrestimi i tij vjen pak ditë pasi një gjykatë në Prishtinë i dënoi me burgim dy ish-pjesëtarët të forcave policore dhe ushtarake të Serbisë për krime lufte në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998- ‘99.
Gjykata në Prishtinë i dënoi Zoran Kostiqit me 15 vjet burgim, ndërsa Dragan Miloviqin me 7 vjet burgim gjatë një seance javën e kaluar.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë – shumica shqiptarë – ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.
Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Kohët e fundit, autoritetet kosovare kanë arrestuar të dyshuar të shumtë dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë.
Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra të dyshuar janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).
Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë./ REL
The post Akuzohet për krime lufte në vitin 1999, Kosova arreston ish-pjesëtarin e forcave serbe appeared first on Sot News | Lajme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.