Ekonomia

Alarmi i kredive: Kredimarrësit e mirë po kthehen në problematikë

Huatë nënstandarde (3-6 muaj vonesë), kategoria e parë kur një kredi fillon e klasifikohet si problematike, janë rritur ndjeshëm me 68% në 7 mujorin e parë të këtij viti…

Teksa kredia me probleme shënoi një rritje të fortë në korrik, duke u ngjitur në 21.15%, të dhënat e fundit të Shoqatës së Bankave mundësojnë një vështrim më të detajuar mbi profilin e kredimarrësve.

Rezulton se është pikërisht rritja e fortë e kredive nënstandarde (Kur këstet e kredisë nuk paguhen për një periudhë nga 91 deri në 180 ditë nga data e caktuar) që ka përkeqësuar treguesin e NPL-ve. Huatë nënstandarde janë kategoria e parë kur një kredi fillon e konsiderohet problematike. Kjo kategori është rritur me 68% në korrik, në raport me dhjetorin 2015, apo rreth 120 milionë euro më shumë, çka tregon se nuk është vetëm efekti i Kurum International, që shpalli falimentin në korrik dhe kishte rreth 30 milionë euro kredi në bankat shqiptare.

Banka e Shqipërisë i klasifikon kreditë në 5 kategori, hua standade (deri 30 ditë vonesë), hua në ndjekje (1 deri 3 muaj vonesë), hua nënstandarde (3-6 muaj vonesë), hua të dyshimta (6 muaj deri në 1 vit vonesë) dhe të humbura (mbi 1 vit vonesë). Një hua që është deri në 3 muaj vonesë (standarde ose në ndjekje) nuk llogaritet si problematike, por nëse kalon 3 muaj që nuk kthehet, atëhere klientit i shkon emri në Bankën e Shqipërisë si problematik dhe huaja klasifikohet si NPL.

Në të njëjtën kohë me rritjen e kredive nënstandarde janë ulur huatë në ndjekje (principali ose interesi nuk është paguar për një periudhë prej 31 deri 90 ditësh nga data e pagesës së këstit, por që ende klasifikohen si kredi të mira). Kjo tregon se huamarrësit e mirë janë kthyer tashmë në problematikë, duke kaluar në një kategori më poshtë atë të huave nënstandarde.

Huatë e humbura (mbi një vit vonesë), pasi u rritën në prill dhe maj, kanë shënuar një rënie të lehtë në dy muajt në vijim, ndërsa ato të dyshimta (6 muaj deri në 1 vit vonesë) nuk kanë shënuar luhatje të madhe.

Pesha e huave të mira fare, atyre standarde (deri në një muaj vonesë) ka zbritur në 73% të totalit nga rreth 75% që ishte në dhjetor 2015.

Rritja e kredisë me probleme

Kredtë e pakthyera në afat në banka kanë shënuar një rritje të fortë në muajin korrik, duke u ngjitur në 21.15%, duke u zgjeruar me të paktën tre pikë përfundje në raport me fundin e 2015-s.  Të dhënat  janë bërë të ditura nga Banka e Shqipërisë. Edhe në raport me një muaj më parë, huatë e pakthyera në afat janë shtuar me 1.2 pikë përqindjeje.

Në dhjetor të vitit të kaluar, treguesi i huave që nuk janë kthyer në banka të paktën për tre muaj (NPL) shënoi një rënie të fortë, duke zbritur në 18.22%, nga 22.8% që kishte qenë në dhjetor 2014. Por, më shumë se përmirësim të ecurisë së bizneseve dhe rritje të aftësisë së tyre paguese, kjo ulje reflektonte fshirjen e kredive me probleme, që kishin të paktën tre vjet që nuk ktheheshin, nga bilancet e bankave. Sipas burimeve nga Banka e Shqipërisë u fshinë rreth 23 miliardë lekë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button