Albpetrol merr në ruajtje rafinerinë e Ballshit të ARMO, do e nxjerrë në ankand
Detyrimet 50 milionë euro ndaj Albpetrol: Pas vlerësimit ARMO do të dalë në ankand dhe në rast se nuk arrin të shitet pas procedurave të përcaktuara me ligj, atëherë do t’i kalojë Albpetrol.
Kompania shtetërore e naftës Albpetrol ka marrë në ruajtje një nga rafinerinë ARMO-s, atë të Ballshit. Lëvizja ka ardhur pasi pak ditë më parë Albpetrol fitoi gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë ndaj rafinerisë së përpunimit ARMO për një detyrim 30 milionë euro. Në proces gjyqësor janë dhe 20 milionë euro të tjera.
Kompania përmbarimore TDR Group ka rrethuar ARMO-n dhe ka nisur të bëjë vlerësimin e aseteve të saj. Pas vlerësimit ARMO do të dalë në ankand dhe në rast se nuk arrin të shitet pas procedurave të përcaktuara me ligj, atëhere do t’i kalojë në pronësi Albpetrol. Neni 605 i Kodit të Procedurës Civile përcakton që detyrimet ndaj shtetit kanë përparësi ndaj detyrimeve ndaj bankave.
Pak javë më parë, kompania përmbarimore EPSA nxorri në shitje një tjetër uzinë të përpunimit të naftës të rafinerisë së ARMO, (truall dhe ndërtesa në fshatin Drizë) për llogari të bankës Raiffeisen, për një kredi të pashlyer prej 2.8 miliardë lekësh (rreth 20 milionë euro). Si ankandi i parë, ashtu dhe i dyti, ku vlera e shitjes u përgjysmua në 10 milionë euro, dështuan dhe uzina i ka kaluar në pronësi bankës Raiffeisen.
Përveç Raiffeisen Bank edhe Tirana Bank është vënë në radhë për të mbledhur borxhet nga kreditori më i madh më i keq në Shqipëri. Në 3 mars, Zyra Përmbarimore Private “TDR Group” i është drejtuar QKR-së, ku, me kërkesë të kreditorit Banka e Tiranës, ka urdhëruar: Vendosjen e masës së sekuestros konservative mbi të gjitha aksionet e zotëruara nga debitori shoqëria “ A.R.M.O” dhe dorëzanësve të tij, “Anica Mercuria Refinery Associated” dhe kompanisë tjetër “Deveron Oil Albania”
Radha e gjatë e sekuestrove shtohet në mars
Radha e sekuestrove në kompaninë ARMO është e gjatë. Vetëm në mars kanë bllokuar kuotat e ARMO Dogana e Lezhës, kompania e ndërtimit Gener 2, që kërkon pagimin e faturave tatimore, shoqëria e kontabilitetit “Lireng Auditing” si dhe të punësuar apo ish të punësuar që kërkojnë dëmshpërblim për zgjidhje të menjëhershme të kontratave të punës.
Punonjësit e ARMO kanë protestuar vazhdimisht për mosshlyerjen e pagave mujore dhe disa prej tyre kanë kërkuar marrjen e parave përmes përmbarimit.
Situata e rënduar e ARMO
Kompania e rafinerisë së naftës, 15% të aksioneve të së cilës zotërohen nga shteti dhe 85% nga azerët e Heany Assets Corporation, është kreditori më i madh i keq i vetëm në Shqipëri.
Prej kohësh ARMO ndërkohë është në një situatë tejet të vështirë. Rafineria e Ballshit është mbyllur dhe vlerësohet se ajo nuk është efecientë, ndryshe nga ajo e Fierit që ka ende leverdi.
Sipas bilancit të vitit 2013 (bilanci i 2014-s nuk është dorëzuar ende në QKR), pjesa më e madhe e borxhit të ARMO është ndaj bankës FBME dhe palëve të treta, në total rreth 140 milionë euro. Ndaj bankave në Shqipëri, ARMO ka kredi prej rreth 37 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave ndaj Raiffeisen dhe Credins, përkatësisht rreth 20 dhe 15.6 milionë euro, gjithnjë sipas të dhënave të bilancit 2013.
Gati një vit më parë, një korrespondencë ndërmjet dikastereve të qeverisë zbardhte planin se si do të falimentohet dhe pas do të shtetëzohet ARMO, e cila kishte në total 207 milionë USD kredi për të shlyer në bankat dhe 53 milionë USD në tatime.
Muajt e fundit një kompani zvicerane dhe më pas një amerikane shfaqën interes për ARMO, duke parë me leverdi përpunimin e bitumit, por mali me borxhe i ARMO-s ka stepur investitorët, ndërsa azerët e Heany Assets Corporation, që kanë 85% të aksioneve pothuajse e kanë braktisur ARMO.
Ne gusht të 2013 Heany Assets Corporation bleu aksionet e Anika Merkuria Associated Oil, e cila zotëronte 85 për qind të aksioneve të ARMO sh.a. Në datën e blerjes Heany Assets Corporation njohu detyrimet e shoqërisë të cilat arrinin në 243.5 milionë dollarë. ARMO gjatë vitit 2014 përfitoi të ardhura, si qiradhënese e dy rafinerive, si pronare e tyre.