Alibeaj: Qytetarët të pasigurtë. Rama-Tahiri i kanë dhënë krahë krimit
Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar këtë të martë se, qytetarët në mbarë vendin janë të pasigurt për jetën dhe pronën, pasi kryeministri Rama dhe ministri Tahiri i kanë dhënë krahë krimit.
“Një valë e paprecedentë krimi ka mbërthyer vendin, duke goditur qytetarët në gjënë më të shtrenjtë, sigurinë për jetën dhe për pronën. Ekzekutim në mes të Tiranës, grabitje me armë në Shkodër, grabitje dhe plagosje të pronarit të shtëpisë në Kuçovë, të gjitha në harkun e disa orëve, janë dëshmitë tronditëse të fuqizimit të krimit dhe rënies së shtetit”, ka deklaruar Alibeaj.
Ai ka nënvizuar se, më shqetësuese është lehtësia me të cilën kryen këto akte të rënda, çka tregon sipas tij se krimi nuk parandalohet më.
“Dhe më keq akoma, reagimi i policisë pas ngjarjes nuk është efiçent, kështu që kemi çdo ditë një vrasje më shumë pa autor, çdo ditë një grabitje më shumë pa autor”, ka thënë Alibeaj.
Ai është shprehur se, “kjo situatë po i nxjerr qytetarët gjithnjë e më të pambrojtur dhe me më pak besim tek policia”, e cila tek e fundit nuk ka asnjë faj.
“Por sigurisht nuk është faji i trupës së oficerëve, i burrave dhe grave në uniformë. Kur Saimir Tahiri prej tre vitesh sillet si ortak i Habilajve dhe Shullazëve, dhe këtë e di gjithë Shqipëria, atëherë krimit dhe kriminelëve në gjithë vendin iu ke thënë ngrihuni, merrni armët dhe bëni çtë doni se keni imunitet.
Kur me Edi Ramën kryeministër, Shullazët dhe Hakmarrja me kompani bëhen pronarë trojesh e pasurish, vendosin gjoba e plaçkisin, atëherë i ke thënë krimit marshalla, dhe krimi sjell krim, sjell vrasje, grabitje, rrënim.
Kur paligjshmëria ka mbuluar vendin dhe gjithë territori është mbjellë me drogë si kurrë më parë në 25 vjet, i ke dhënë krimit dritë jeshile, i ke dhënë krimit legjitimitet. Situata e rendit dhe e krimit është dramatike dhe ne jemi çdo ditë në kontakt me qytetarët që vuajnë pasigurinë për jetën e pronën”, ka thënë Alibeaj.
“Ai duhet shkulur me rrënjë dhe rrënjët e tij janë në qeveri. Qytetarët vetë e kanë në dorë, koha po vjen, zgjedhjet nuk janë larg”, ka vijuar Alibeaj, i cili ka premtuar se Partia Demokratike do ta shtypë krimin me fuqinë e ligjit.
“Ne do t’i shpartallojmë bandat dhe do t’i japim shqiptarëve siguri në qytete dhe fshatra, rrugë dhe sheshe, siguri të pronës, të jetës dhe të shtëpive të tyre”, ka shtuar Alibeaj.