Politika
Alvin po kthehet te i ati/ Rama: Një falenderim i veçantë për kryeministrin italian Giuseppe Conte
Ka marrë fund drama e Alvin Berishës në kampin Al Hol në Siri.
11-vjeçari ka dalë nga kampi i ferrit në Siri falë një operacioni të organizuar mes Shqipërisë dhe Italisë. Fotot e Alvin nën kujdesin e vullnetarëve të Gjysmë Hënës së Kuqe u përhapen menjëherë duke dhënë lajmin që Alvin shpëtoi. Top Channel zbulon detajet e këtij operacioni të vështirë. Ai nisi pas takimit të kryeministrit Rama dhe homologut të tij italian Konte në Romë, ku u krijua edhe një grup i përbashkët operacional ku bënin pjesë diplomatë italianë e shqiptarë dhe operacionin në terren e kanë ndjekur forca operacionale të policisë shqiptare dhe shërbimit sekret italian.
Me ndihmën e Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës së Kuqe u arrit hyrja në kampin nën kontrollin e milicisë kurde dhe u paraqitën të gjitha dokumentet. E gjithë lëvizja është mbajtur nën terr informativ për të mos rrezikuar jetën e Alvin, por edhe për të negociuar më lehtë me autoritetet kurde. Me vullnetarët e gjysmëhënës Alvin është transportuar në Damask ku qëndroi një natë e më pas në rrugë tokësore është nisur drejt kufirit mes Sirisë dhe Libanit. Gjatë kësaj kohe fëmija ka kontaktuar me të atin disa herë, i cili e ka qetësuar se shoqëruesit e tij ishin miqtë e tij.
Në kufi është pritur nga një grup forcash speciale të policisë shqiptare që drejtoheshin nga ministri Lleshaj, diplomatët italianë. Kjo është edhe foto e takimit të Lleshajt me vogëlushin. Lleshaj ndodhen në Bejrut prej 5 ditësh së bashku me diplomatët italianë. Ambasada italiane në Bejrut e ka pajisur 11-vjeçarin me dokumentet e udhëtimit dhe Alvin është nisur drejt Romës. Ndërkohë Kryeministri Rama shpërndau në rrjetin social Facebook foton kur Alvini me ministrin Lleshaj duke treguar se ministri ndodhej me një skuadër speciale të policisë shqiptare dhe në bashkëpunim me partnerët italianë, e ka përcjellë Alvinin në ambasadën italiane në Beirut.
Një falenderim i veçantë për kryeministrin Giuseppe Conte, i cili u angazhua personalisht në ndjekjen e operacionit për palën italiane. Faleminderit edhe dy organizatave humanitare që u bënë pjesë jetike e këtij operacioni tejet kompleks e të rrezikshëm, pa harruar konsullin e nderit të Shqipërisë në Liban, që luajti një rol të pazëvendësueshëm. Por për ne, shkruan Rama përpjekja nuk mbyllet këtu, sepse fëmijë e gra nga Shqipëria vazhdojnë të jenë peng në kampin-burg prej ku arritëm të nxjerrim Alvinin. Në kampin Al Hol ndodhen dhjetëra fëmijë të tjerë shqiptare për të cilët duket se po punohet ashtu si edhe me Alvin, për t’u nxjerrë prej andej.