Ambasada e SHBA-së: Nxisim partitë politike të largojnë individët e inkriminuar
Ambasada e SHBA-së në Tiranë nxiti sot, të gjitha partitë politike në Shqipëri që të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive, ndërsa mbështeti me forcë punën e Kuvendit për të hartuar legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014.
Përmes një deklarate për shtyp, ambasada e SHBA-së në Tiranë e konsideroi një trillim, artikullin e botuar fillimisht në gazetën Rilindja Demokratike ditën e djeshme, i cili i referohej një liste me nëntë deputetë të Parlamentit, që ishin cilësuar “non grata” nga ambasada amerikane.
Ambasada amerikane deklaroi se, vëzhgon nga afër çështje që kanë lidhje me krimin dhe korrupsionin në të gjitha partitë politike, por Ambasada nuk e ka krijuar atë listë.
“Ne përsërisim deklaratën tonë të 2 marsit dhe nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive, si dhe mbështesim me forcë punën e Kuvendit për të hartuar legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014″, thuhet më tej në këtë deklaratë.