Ambasadorët mbështesin vendimin e Ramës. SHBA: Fokusi tek dialogu
Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka mbështetur thirrjen e kryeministrit për shtyrjen e zgjedhjeve bashkiake në Kavajë, me qëllim që të ruhet përqendrimi i qeverisë dhe opozitës tek procesi i dialogut.
“Nxisim vazhdimin dhe përshpejtimin e procesit të dialogut sepse koha që mbetet për t’i zgjidhur çështjet me anë të negociatave përpara zgjedhjeve të 18 qershorit është e kufizuar”, thuhet në një deklaratë për shtyp.
Nga ana tjetër, Ambasada e SHBA shpreh mbështetje edhe për të drejtat e shqiptarëve për të protestuar paqësisht, ndërsa nxit të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje.
“Iu bëjmë thirrje të gjitha partive që të mos angazhohen në akte që mund të nxisnin dhunë, veçanërisht akte që ndikojnë në aftësinë e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik”, përfundon deklarata.
OSBE: Mirëpresim vendimin, të vijojnë negociatat
Në të njëjtat linja është shprehur edhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri.
“U njohëm me nismën e kryeministrit Rama dhe mirëpresim mundësinë e vazhdimit të negociatave për zbatimin e rekomandimeve”, thuhet në një postim në rrjetin social Twitter.
Edhe ambasadori britanik në vendin tonë, Duncan Norman ka përshëndetur vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve. “Apel militantëve për shmangien e dhunës në periudhat para dhe gjatë zgjedhjeve”, ka deklaruar Norman në një reagim për shtyp.