Ambasadori i Arabisë Saudite: Shqipëria, vend mjaft tërheqës për investimet e huaja
Intervistë e Sh.T.Z. Talat Salem Radwan, Ambasador i Mbretërisë së Arabisë Saudite, rezident në Tiranë dhënë për ATSH.
Në një intervistë për ATSH-në, Ambasadori i Arabisë Saudite, ka theksuar se Shqipëria është një vend mjaft tërheqës për investimet e huaja. Shqipëria, u shpreh ai, është një vend me burime natyrore të bollshme dhe me një pozicion tepër të favorshëm gjeopolitik, gjë që i mundëson afërsinë me tregjet evropiane. “Këto potenciale të mëdha dhe krahu i lirë i punës e bëjnë Shqipërinë një vend mjaft tërheqës për investime”, ka nënvizuar diplomati i Arabisë Saudite.
Zoti Ambasador, duke ju uruar për festën tuaj Kombëtare, më lejoni t’ju shpreh edhe ndjenjat e mia dhe komplimentat për punën dhe misionin tuaj në Shqipëri. Si do e vlerësonit ju këtë moment të marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe si i parashikoni ato në të ardhmen?
Fillimisht më lejoni t’i shpreh Agjencisë Telegrafike Shqiptare, falenderimet e mia për urimet e sinqerta me rastin e Ditës Kombëtare te Mbretërisë së Arabisë Saudite, ditë e cila shënon unifikimin e territoreve arabe në vitin 1932 nën drejtimin e Mbretit të atëhershëm, Abdulaziz Al Saud, në një shtet të vetëm pas përpjekjeve që zgjaten 32 vjet. Marrëdhëniet midis dy vendeve tona mike, do t’i përshkruaja si të shkëlqyera, sidomos me zhvillimet intensive që kanë njohur kohët e fundit, me realizimin e një sërë projektesh infrastrukturore të mundësuara me mbështetjen e Fondit Saudit për Zhvillim dhe Bankës Islamike për Zhvillim. Kam besim të plotë së Arabia Saudite, si një përkrahëse e pakursyer e vendeve mike por jo vetëm, do të jetë e pranishme më projekte të tjera në Shqipëri dhe mendoj se dy vendet do të vazhdojnë të konsolidojnë bashkëpunimin e tyre në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët, nën dritën e marrëdhënieve të shkëlqyera që bashkojnë dy vendet dhe popujt tanë.
Lartësia e Tij Mbretërore, Princin Sultan bin Salman bin Abdulaziz Al-Saud i Arabisë Saudite vizitoi Shqipërinë në fillim të muajit shtator, ku u takua me krerët më të lartë të vendit. Cilat ishin disa nga temat kryesore që u diskutuan në këto takime?
Sikurse është e ditur, shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë midis vendeve luan një rol kyç e të rëndësishëm një zhvillimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve mes tyre. Pikërisht në këtë kontekst erdhi vizita e Princit Sultan bin Salman bin Abdulaziz Al Saud në Shqipëri në fillim të muajit shtator. Gjatë takimeve mes Princit Sultan dhe krerëve të lartë të shtetit Shqiptar u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, duke vënë në pah rolin pozitiv dhe efikasitetin e projekteve zhvillimore të mbështetura nga Arabia Saudite, si dhe nevojën e shfrytëzimit më të mirë të potencialeve të investimeve dhe prezencës së investitorëve saudite në vend. Një tjetër çështje e diskutuar në kuadër të kësaj vizite ishte nxitja e bashkëpunimit dypalësh veçanërisht në fushën e turizmit dhe trashëgimisë kulturore.Gjithashtu, bashkëpunimi dypalësh në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar ishte një nga temat e rëndësishme që u diskutuan gjatë takimeve, ku autoritetet shqiptare vlerësuan rolin e Arabisë Saudite në këtë aspekt si dhe kontributin e saj në drejtim të ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme dhe më gjerë.
Arabia Saudite është një vend që ka ndihmuar Shqipërinë përgjatë viteve të tranzicionit. Cilët sipas jush janë sektorët ku ka vend për rritje të bashkëpunimit?
Arabia Saudite ka qëndruar në krah të Shqipërisë gjatë viteve të vështira të tranzicionit dhe katastrofave natyrore me ndihma humanitare dhe është prezente në Shqipëri me anë të Fondit Saudit për Zhvillim dhe Bankës Islamike për Zhvillim me një sërë projektesh për përmirësimin e standardeve të jetesës dhe kryesisht të infrastrukturës në vend.
Investitorët saudit janë prezent në Shqipëri, por jo në ato përmasa që do t’i jepnin vërtet një impakt të fuqishëm zhvillimi ekonomisë shqiptare. Mendoni se ka hapësira të tjera për ta rritur këtë prezencë dhe cilat mund të jenë ato?
Shqipëria është një vend me burime natyrore të bollshme dhe me një pozicion tepër të favorshëm gjeopolitik, gjë që i mundëson afërsinë me tregjet evropiane. Këto potenciale të mëdha dhe krahu i lirë i punës e bëjnë Shqipërinë një vend mjaft tërheqës për investime. Por nga ana tjetër investimet kanë nevojë për stabilitet ekonomik dhe politik si dhe ligje që garantojnë mbrojtjen e tyre. Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm drejt forcimit të shtetit të së drejtës, ndaj besoj se me miratimin e reformës në drejtësi si dhe me zgjidhjen e disa çështjeve që lidhen me të drejtat e pronës private dhe garantimin e konkurencës së lirë, numri i investitorëve të huaj veçanërisht atyre sauditë do të njohë rritje të dukshme.
Z. Ambasador, keni ardhur në Shqipëri si përfaqësues diplomatik i vendit tuaj dhe keni takuar njerëz të politikës, ekonomisë, artit, kulturës. Si do ta përshkruanit eksperiencën e punës tuaj në Shqipëri?
Është një kënaqësi e veçantë për mua të punoj në një vend kaq të bukur dhe me njerëz kaq bujar e mikëpritës sa Shqipëria. Si përfaqësues i vendit tim, jam përpjekur të jap kontributin tim në forcimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe gjë që është bërë e mundur falë bashkëpunimeve të frytshme me zyrtarët Shqiptarë. Gjatë qëndrimit tim prej dy vitesh në Shqipëri kam pasur mundësinë të vizitoj pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe jam mahnitur nga natyra e bukur si dhe jam njohur me larmishmërinë e zakoneve, traditave dhe historinë e vendeve që kam vizituar. Nuk mund të lë pa përmendur një nga aspektet më pozitive të shoqërisë shqiptare bashkëjetesën ndërfetare që përbën një shëmbull të shkëlqyer të tolerancës dhe harmonisë në këtë botë të trazuar nga konfliktet.
ATSH si e vetmja agjenci zyrtare dhe me dimension publik, ka zgjeruar komunikimin vitet e fundit me vendet e Gjirit Arabik. Ne do ta mirëprisnim një kontribut tuajin për vendosjen e marrëdhënieve institucionale midis ATSH-së dhe agjencisë së Mbretërisë Arabisë Saudite. Si do e vlerësonit ju këtë mundësi bashkëpunimi ?
Mediat luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në informimin e publikut. Unë besoj se ngritja e një marrëdhënieje institucionale mes Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe Agjencisë Saudite të Lajmeve do të bënte të mundur shkëmbimin e përvojave mes dy agjencive në fushën e informimit dhe medias së lirë. Në këtë drejtim, çdo iniciativë për bashkëpunim është e mirëpritur.
Arabia Saudite si një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës, nga ulja e ndjeshme e çmimi të këtij produkti vitet e fundit, ka patur një ulje të ardhurave. Sa ka ndikuar kjo në ekonominë e vendit?
Siç edhe ju e cituat, Mbretëria e Arabisë Saudite është një nga prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj të naftës dhe nënprodukteve të saj në botë. Duke qenë një vend ekonomia e të cilit varet në një mase të madhe nga të ardhurat e gjeneruara nga prodhimi i naftës, rrjedhimisht çdo luhatje në çmimet e karburanteve mbart efekte të prekshme për ekonominë e saj. Së fundmi, Arabia Saudite ka shpalosur një sërë reformash rrënjësore në kuadër të “Vizion 2030” që do të çojnë në diversifikimin e ekonomisë saudite dhe zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë, duke krijuar pavarësinë nga të ardhurat që vijnë nga karburantet.