Analiza/ Shqiptarët dhe efekti zinxhir në rajon nëse preken kufijtë Kosovë-Serbi
Për shumë vjet, debati për kufijtë në Ballkan ishte një temë gati se e ndaluar për politikanë e liderë shtetëror të këtij rajoni. Hapja e çështjes së kufijve, në vazhdimësi shihej si një problematikë, e cila besohej se nuk do të përfshinte vetëm një apo dy shtete, ngase besohej se do të prodhonte efekte zinxhir tek të gjitha shtetet fqinje.
Shteti më i ri evropian, Kosova, e cila shpalli pavarësinë e saj në koordinim me Perëndimin, e kishte përcaktuar në Kushtetutën e saj e cila buron nga Pakoja e Ahtisaarit, si marrëveshje gjithëpërfshirëse për statusin, se Kosova nuk mund të ndahet e as të bashkohet me një shtet tjetër.
Duke e ruajtur këtë parim, presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq kanë nxjerrë formulën politike sipas të cilës nuk ka ndarje e shkëmbim të territorit, por mund të ketë korrigjim të kufirit.
Por, një ide e tillë përveç që shtron dilemën se sa mund të realizohet, shtron edhe pyetjen se çfarë efektesh mund të kishte për vendet e rajonit? Andaj, ideja e korrigjimit të kufirit, është komentuar në Prishtinë, Beograd, Shkup e Tiranë.
Ashdown: Ndryshimi i kufirit Kosovë-Serbi do të pasonte me kërkesa të ngjashme
Politologu nga Prishtina, Ramush Tahiri, thotë se nëse marrëveshja do të arrihet me vullnet të dyja palëve, atëherë mund të jetë e pranueshme edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Kurse çështje tjetër, nënvizon ai, mbetet nëse ajo marrëveshje do të merrej si model edhe nga shtetet tjera me probleme të ngjashme.
“Nëse është arritur një lloj pjekurie që serbët dhe shqiptarët ta bëjnë një kufi të ri, duke e ndryshuar këtë kufirin që është tash mes Kosovës dhe Serbisë, të jetë një kufi i pranueshëm për të dyja palët, që nuk sjell shpërngulje të popullatës nga njëra anë dhe anën tjetër dhe nuk krijon shtete etnike, atëherë është i drejtë dhe duhet të ndikoj qetësisht në vende t tjera të Ballkanit”, thotë Tahiri.
“Pra, nuk ka asnjë arsye që të ndikojë në Maqedoni, sepse nuk ka interes për kufizimin nacional ose nuk e ka shprehur ajo popullatë. Gjithashtu në Bosnje kanë qenë kushtet të caktuar të luftës, por që Bosnja duhet të bëjë si shtet i dy entiteteve dhe tre kombeve”, thekson Tahiri.
Por, ndryshe mendon, Edward Joseph, profesor në Universitetin John Hopkins, i cili ka qenë në misionet ndërkombëtare në Ballkan gjatë dhe pas luftës, ka thënë për Shërbimin për Ballkanin të Radios Evropa e Lirë se ideja për shkëmbimin e territoreve nuk është e re.
Por, sipas tij, njerëzit nuk janë në gjendje t’i shohin pasojat nga realizimi eventual i një ideje të tillë, madje edhe në rast se Prishtina dhe Beogradi merren vesh për territorin të cilin duhet ta shkëmbejnë.
“Edhe nëse Beogradi dhe Prishtina pajtohen për madhësinë e territorit që duhet ta shkëmbejnë, duhet t’i kemi parasysh pasojat ndaj Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Pse shqiptarët në Maqedoni, të cilët përbëjnë 25 për qind të popullsisë së këtij shteti, nuk do të dëshironin që t’u bashkohen shqiptarëve tjerë në shtetin shqiptar – në rast të shkëmbimit të territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës?”, theksoi Joseph.
Sipas tij, në rast se bashkësia ndërkombëtare do ta lejonte shkëmbimin e territoreve dhe veriu Kosovës i bashkohet Serbisë, atëherë nuk ka logjikë që të thuhet se këtë nuk mund ta bëjë edhe Republika Serbe në Bosnjë.
Në anën tjetër, profesori Alajdin Demiri, ish-deputet dhe ish-ambasador i Maqedonisë në Zvicër, thotë se korrigjimi i kufirit, që sipas tij do të përfundonte me shkëmbim territoresh, patjetër që do të ndikonte në gjithë rajonin.
Ai thotë se në rastin e Maqedonisë, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe te politikanët maqedonas qarkullon ideja e ndarjes, nëse nuk mund të vendoset bashkëjetesa mes shqiptarëve e maqedonëve me një shtet.
“Këmbimi i territoreve në Kosovë do të ishte alarm që të ndodhte e njëjta edhe në Maqedoni, që do ët thotë që Maqedonia perëndimore, aty ku jetojnë shumica shqiptare, duhet ose të shpallë pavarësinë e vet ose të ketë një bashkëngjitje me Shqipërinë apo Kosovën. Mirëpo, nga ana tjetër, as Kosova dhe as Shqipëria nuk janë të përgatitura dhe nuk kanë si duket as interes që këtë ta pranojnë”.
“Andaj, ky është një problem, si duket i largët dhe i hershëm për arsye se edhe pse 20 vjet e këndej Serbia nuk e njeh Kosovën, ende siç po shihet kushtet nuk janë të pjekura për një proces të tillë, të njohjes”, thekson Demiri.
Demiri thotë po ashtu se skenarët e ndryshimit të kufijve mund të jenë edhe shumë të rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Po ashtu, edhe Lisen Bashkurti, ish-përfaqësues i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ideja e hedhur në opinionin publik për debat mbi ndryshimin apo korrigjimin e kufijve, apo shkëmbimet territoriale nuk është një ide realiste, veçanërisht për faktin sepse Ballkani, thotë ai, është një rajon ende shumë delikat për çështjet e sigurisë dhe stabilitetit.
Ai e sheh një ide të tillë edhe si kërcënim për rajonin dhe mundësi për shtrirjen e ndikimit të faktorëve tjerë ndërkombëtar në rajon.
“Vendet e rajonit kanë nevojë të konsolidojnë paqen, dhe paqen nuk e konsolidon prekja e kufijve. Ideja, do të thosha se nuk është e drejtë edhe nga pikëpamja e së drejtës, sepse këtu kemi të bëjmë me një proces shtetesh të njohura, edhe Kosova është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht, mbi 116 shtete e kanë njohur tashmë”.
“Kështu që në të gjitha pikëpamjet, nga konteksti i zhvillimeve të brendshme në Kosovë dhe kushteve delikate që kanë vendet në rajonin tonë, mendoj se ideja e hedhur nga Thaçi nuk është realiste”, thotë Bashkurti.
Sidoqoftë, debati për dhe kundër idesë së korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk është shtrirë vetëm te politikanë e publicistë në rajon, por edhe te figura e personalitete të shumta politike e publike nga shtetet më me ndikim sot në botë.