Analize/ Eficienca e energjisë, deri në 2020 do të ulet 11% konsumi i saj
Mungesa e mjeteve financiare për krijimin e Fondit për eficencën e energjisë, që duhet të mbështesë programet me ndikim në uljen e konsumit të energjisë i ka bërë të pazbatueshëm dy ligjet e mëparshme, të 2005-tës dhe 2010-tës, c’ka e ka lënë Shqipërinë jashtë realizimit të objektit të vendosur nga Bashkimi Europian dhe Traktati i Komunitetit të Energjisë.
Por tashmë Shqipërisë i duhet që deri në vitin 2020, të ulë me 11% konsumin e energjisë, sipas objektivit detyrues që ka ndaj Bashkimit Europian.
Pas 10 vitesh, tashmë një P/ligj i ri për eficencën e energjisë merr seriozisht krijimin e fondit të eficencës dhe monitorimet e domosdoshme për përballimin e kostove për realizimin e objektivit të uljes së konsumit të energjisë elektrike nga konsumatorët. Komisionet parlamentare pritet që në muajin shtator të nisin diskutimet për P/ligjin e ri për eficencën e energjisë.
Shqipëria që e ka objektiv kombëtar uljen me 11% më pak të konsumit të energjisë deri në vitin 2020, që mund të realizohet vetëm me me një politike kombëtare, krijimin e institucioneve dhe fondeve të domosdoshme, thonë ekspertët në Ministrinë e Energjetikës.
P/ligji përcakton detyrimet ndaj autoriteteve shtetërore, sektorëve publikë e privatë, sektorëve rezidencialë, shërbimeve, industrisë, transportit, bujqësisë dhe gjithë sektorëve të ekonomisë për nxitjen e përdorimit me efiçencë dhe kursimin e energjisë, zhvillimin e tregut për shërbimet energjetike në sektorin e efiçencës së energjisë.
Masat e përmirësimit të efiçencës së energjisë parashikojnë matjen e efiçencës së energjisë, ku detyrimisht duhet të aplikohen standarde dhe norma, që synojnë përmirësimin e efiçencës së energjisë së produkteve, shërbimeve, përmirësimet në ndërtesat, skemat e etiketimit të energjisë, matjen, sistemet inteligjente të matjes, sistemet informuese të faturimit, aplikimin e teknologjisë të teknikave të efiçencës së energjisë, rregulloret, taksat, që kanë efektin e reduktimit të konsumit final të energjisë, etj.
P/ligji synon sigurimin e operimit normal të tregut në fushën e energjisë, ku futen përcaktimi i çmimeve të produkteve energjetike sipas kritereve konkurruese bazuar në koston efektive, përfitimeve të mbrojtjes mjedisore dhe promovon zgjidhjet financuese për nismat që sigurojnë eficencën dhe kursimin e energjisë.
Shoqëritë e prodhimit të energjisë, ato të shpërndarjes së energjisë, të shitjes me pakicë të energjisë, konsumatorët fundorë të energjisë janë pjesë e zbatimit të politikave për uljen e konsumit të energjisë elektrike.
Për këtë qëllim, projektligji përcakton krijimin e Fondit për Eficencën e Energjisë me statusin e organizatës jofitimprurëse me seli në Tiranë. Fondi do të japë mbështetje financiare dhe do të menaxhojë projektet për zhvillimin e një tregu për përmirësimin e eficencës së energjisë, programeve të mbështetjes të konsumatorëve fundorë kur kryejnë investime me kosto dhe risk të lartë.
Fondi për Efiçencën e Energjisë do të përdoret për financimin e investimeve që garantojnë efiçencën e energjisë në ndërtesa private dhe publike, ndërmarrjet industriale, sektorët e bujqësisë, transportit, nxjerrjen, prodhimin, transportin ose transmetimin e energjisë, përmirësimin e efiçencës së energjisë në ndriçimin publik, furnizimit me ujë, sistemet e trajtimit të ujërave të zeza, etj. Çdo fond për financimin e shërbimeve të energjisë do t’i nënshtrohet tenderimit në bazë të legjislacionit në fuqi.
Këshilli i Ministrave sipas P/ligjit do të krijojë Agjencinë për Efiçencën e Energjisë, përgjegjëse për nxitjen dhe zbatimin e masave e të politikave për efiçencën e energjisë dhe kursimin e saj. Agjencia për Efiçencën e Energjisë do të financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera si financime të huaja, nëpërmjet programeve apo projekteve të ndryshme për promovimin e efiçencës e të kursimit të energjisë.
Agjencia mund të vendosë, që një përqindje e caktuar e kostos për përmirësimin e efiçencës së energjisë dhe arritjen e një niveli të kursimit të energjisë të mbulohet nga financime, që vijnë nga fonde të caktuara për nxitjen dhe përmirësimin e efiçencës së energjisë.
P/ligji detyron emërimin e Menaxherit të energjisë për çdo ndërtesë publike, shoqëri industriale si konsumator i madh energjie. Ndërtesat publike dhe objektet industriale do të marrin masa për përmirësimin e menaxhimit të energjisë, me synim reduktimin e konsumit të energjisë.
P/ligji përfshin edhe qytetarët, për të cilët, Agjencia për Efiçencën e Energjisë detyrohet të marrë masat, që konsumatorët fundorë të energjisë elektrike, gazit natyror, ngrohje-ftohjes qendrore të banesave dhe ujit të ngrohtë sanitar të pajisen me matësa individualë, që pasqyrojnë saktë konsumin përfundimtar të energjisë. Në rastet kur ngrohje-ftohja, uji i ngrohtë sanitar në një ndërtesë furnizohen nga një rrjet qendror në banesa, do të instalohet një matës në pikën e shkëmbimit të nxehtësisë dhe dërgimit hyrës në banesë.
Në cdo rast, Agjencia për Efiçencën e Energjisë do të konsiderojë metodat alternative me kosto efektive për matjen e konsumit për ngrohje/ftohje dhe prodhim uji të ngrohtë sanitar, rregulla transparente për ndarjen e kostove të konsumit të energjisë termike, konsumit të ujit të ngrohtë sanitar në ndërtesa dhe saktësinë e konsumit individual.
Ndërtimet e deritanishme pa arritje të ndonjë standarti për izolimin që garanton kursim të energjisë, kanë rritur konsumin e energjisë për ngrohje dhe ftohje në banesat. P/Ligji për energjinë, vendos masat dhe detyrimet për ndërtuesit për standardin e ndërtimit të banesave këtej e tutje.
P/ligji i “Eficencës së Energjisë” cakton standartet për kursimin e energjisë sipas standarteve evropiane të eficencës së energjisë dhe parashikon për herë të parë auditimet dhe certifikimet energjitike të ndërtesave. Audituesit e licensuar, do të përcaktojë shkallën e eficencës energjitike të një banese. Sa më eficente të cilësohet ndërtesa, aq më e lartë mund të jetë vlera e shitjes së saj në treg.
Burime nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë pohojnë se pas ligjit të eficiencës do të hartohet dhe një ligj më vete për ndërtesat, i cili do të vendosë më të sakta detyrimet për ndërtuesit për standardin e ndërtimit të banesave.