Andaluzia – historia e një legjende!
Ndodhi pikërisht dhjetë muaj përpara se Kolumbi të zbriste në Botën e Re. Bëhet fjalë pikërisht për fillimvitin 1492, kur mbretëria e fundit arabe në Spanjë ra në duar të forcave të Kastijës. Spanjollët e njohin si periudhën e “reconquista”-s.
E ndërkohë, në ditët e sotme, edhe pse kanë kaluar pesë shekuj, Andaluzia vazhdon të ruajë profilin e saj të veçantë, para së gjithash shqiptimin e saj me ngjyrime të ndryshme nga pjesa tjetër e Spanjës. Atje ndihen dhe sot e kësaj dite shumë mirë rrënjët e një qytetërimi tjetër, traditash e zakonesh sa të pasura, aq edhe interesante.
Në fakt, shumëkush e dallon edhe te fytyrat e banorëve të saj, një pjesë të origjinës së saj. Ndërsa në vitin 1992, u shënua 500-vjetori i një ngjarjeje të madhe për njerëzimin, siç ishte zbulimi i Amerikës nga Kristofor Kolombi, një ngjarje tjetër u përkujtua nga vetë banorët e Andaluzisë.
Ishte rënia e qytetit të Granadës (Gharnatah në arabisht), në ditën e dytë të 1492-shit, në duart e mbretërve katolikë të Kastijës, duke i dhënë fund kështu afro tetë shekujve të sundimit arabo-islamik në Gadishullin Iberik dhe duke mbyllur një nga kapitujt më të rrahur në historitë e dy qytetërimeve; atij islamik e atij të krishterë.
Zanafilla e një epoke
Sipas disa burimeve historike arabe, rezulton se ushtritë myslimane arritën fillimisht në gadishull më 711 të erës sonë, me kërkesën e një prej palëve të përfshira në një luftë civile të përgjakshme që po zhvillohej në Spanjën visigote asokohe, si pasojë e ndasive politike të sundimtarëve vendas.
Nga arkivat arabe del se qeverisja myslimane u pranua vullnetarisht nga shumë spaniardë dhe një numër prej tyre pranuan në masë edhe besimin e ri (nuk e dimë me siguri sa mund të ketë qenë numri i tyre, por mendohet se konvertimi ishte i konsiderueshëm).
Më 732, pikërisht 100 vjet pas vdekjes së Mohamedit, trupat arabe kaluan Pireun, për të bërë kështu përpara më thellë në Europën Perëndimore. Avancimi i tyre përfundimisht ndaloi në Poitiers (në Francë), në një betejë që shënohet me tone të larta në legjendat perëndimore, por që tregimet historike, si dhe arkivat islamike e kujtojnë thjesht si një konflikt të vogël e të parëndësishëm (pak a shumë, siç ndodh me Skënderbeun në këndvështrimin e historiografisë osmane).
Kontradiktat në historiografi
Arabët u tërhoqën shpejt nga planet e tyre për të ndenjur në Francën jugore dhe u përqendruan më shumë në themelimin e Islamit në Spanjë, në territoret që ata i quajtën “el-Andalus”. Shoqëria që ata zhvilluan, sipas dokumenteve, ishte në thelb tolerante për kohën dhe heterogjene (ose siç preferohet të thuhet sot: multikulturore), e përbërë nga emigrantë arabë e berberë që jetonin krah për krah me spaniardët myslimanë( të konvertuar tashmë), të krishterë e hebrenjtë spanjollë.
Në fakt, dokumentet e Kishës Katolike në përgjithësi e ato perëndimore, e trajtojnë atë periudhë, sigurisht, si të errët e të zymtë, ndërsa historiografia arabo-islamike e përkujton si një periudhë lulëzimi të plotë. Kështu, arkivat arabë sugjerojnë se për shembull, martesat mes këtyre komuniteteve ishin asokohe një gjë normale në Andaluzi.
El-Andalus u qeveris nga kalifët umajadë, që e kishin qendrën në Damask deri më 750-n, kur dinastia abaside erdhi në pushtet në Lindje. Një princ umajad i vetëm, Abdurrahman ibn Muavija, shpëtoi dhe iku në Spanjë. Atje ai krijoi një shtet umajad të pavarur më 756-n.
Sunduesit andaluzianë, sovranë politikisht, vazhduan të pranonin kalifët abasidë si autoritetin fetar më të lartë për thuajse 200 vjet, por sunduesi i tetë i dinastisë, Abdurrahmani III el-Nasir, mori titullin kalif për vete dhe pasardhësit e tij më 929-n.
Për sa i përket pushtetit e stabilitetit politik, me kalifatin umajad andaluzian u shënuan dhe vitet më të arta të el-Andalusit. Dy të tretat e jugut të gadishullit Iberik u bashkuan nën Kalifatin e Kordovës (në arabisht, Kurtubah) dhe ai luante gjithashtu një rol të rëndësishëm në çështjet politike të Afrikës Veriore.
Ishin umajadët arabë, ata të cilët përmes aftësisë, zgjuarsisë dhe sigurisht shpesh edhe dhunës së tyre të pamëshirshme, shtrinë themelet e një sundimi e rrënjosjen e një kulture relativisht të gjatë në Andaluzi.
Fillimi i fundit
Ndërmjet viteve 1009 dhe 1031, një seri revoltash e sunduesish të dobët që pasuan, sollën një shpërbërje të shtetit umajad. Vakumi që u krijua u plotësua me krijimin e më se njëzet monarkive të vogla të pavarura, të quajtura “mbretër partiakë” (në spanjisht taifa), që do të thotë parti, apo fraksion.
Edhe pse këto mbretëri rivale, disa prej tyre jo më shumë se qytet-shtete, ishin shumë më të dobëta se kalifati umajad i bashkuar, periudha “taifa” përjetoi një zhvillim të konsiderueshëm në art dhe dije, pasi çdo sundues përpiqej të vilte më të mirën nga të tjerët, për të rritur prestigjin e oborrit të vet.
David Wasserstein rrëfen në veprën e tij, “Ngritja dhe rënia e mbretërve partiakë”, duke u munduar të shpjegojë atë atmosferë e tendencë që po zhvillohej asokohe, se “liberalizmi i tepërt i sunduesve do të thoshte gjithashtu një liri e madhe për padronët, kështu që artistët, dijetarët dhe shkencëtarët, mund të gjenin një sponsorizues, apo madje sponsorizues konkurrent, me lehtësi relative”.
Megjithatë, të dobësuar tashmë nga konfliktet e shpeshta të brendshme, dekadenca e tradhtitë lakmitare, mbretërit e “taifas” nisën të dorëzonin territore të konsiderueshme kundrejt mbretërive katolike që nga ana tjetër përpiqeshin sigurisht, të mbronin të drejtat e tyre në veri të gadishullit Iberik.
Nga viti 1085, kastilianët e fuqishëm kishin marrë qytetin e rëndësishëm të Toledos dhe mbretërit e vegjël i kërkuan sunduesit të ri almoravid në Marok, Jusuf ibn Tashufin, të ndërhynte. Almoravidët (në arabisht, el-Murabitun, “Trupat frontale”), ishin një dinasti puritane (e pastër religjioze), që gjendej midis berberëve të Marokut jugor dhe për një kohë ata ishin të gatshëm të ndihmonin mbretërit taifa ushtarakisht, por më 1090-n Jusufi vendosi që ata të braktiseshin e kështu që mbretërit e vegjël u hoqën.
Almoravidët në fillim imponuan puritanizmin e tyre dhe ortodoksinë e ashpër e të dhunshme islame, e cila ka lënë gjurmë evidente edhe në artin e tyre në Spanjë, por në fund, edhe ata vetë u dhanë pas luksit e rehatisë në el-Andalus, duke i hapur rrugën një periudhe të zymtë dekadence e dhune. Është pikërisht kjo periudhë, e cila identifikohet më së shumti me sundimin arab në Andaluzi e që njihet gjerësisht si ajo e maurëve.
Beteja e “Las Navas de Tolosa”
Këtu nis dhe kthesa e madhe historike. Në fakt, kjo nuk ishte tjetër veçse një rikthim në të shkruarën. Kështu, nga viti 1145, Spanja almoravide po lëkundej. Popullata myslimane u ngrit në revoltë dhe një grup i ri i monarkëve taifa u kërkuan almohadëve, të cilët zëvendësuan almoravidët në Afrikën Veriore, të ndërhynin. Almohadët u treguan të gatshëm për këtë favor dhe për një periudhë kohe, sunduesit e rinj afrikano-veriorë patën sukses në Spanjë.
Por tashmë, koha nuk po punonte më në favor të tyre. Spanjollët kristianë, tashmë prej kohësh kishin lënë pas mosmarrëveshjet e ndasitë dhe në vitin 1212, në betejën e shënuar në historinë arabe si “Beteja e el-‘Ikabit”, dhe e njohur në atë katoliko-spaniarde si “Las Navas de Tolosa”, dhanë sinjalin e parë të “reconquista”-s.
Brenda disa dekadave, almohadët po shënonin tashmë vetëm tërheqje, duke u zhvendosur në Ngushticën e Gjibraltarit. Qytetet e tyre ranë njëri pas tjetrit deri më 1260, kur në këmbë mbeti vetëm mbretëria e Granadës. E pasigurt dhe në një pozicion sanduiç mes fuqive spaniarde kastijane e kristiane në veri, dhe sunduesve rivalë marokeno-myslimanë në jug, Granada mbijetoi për gati dy shekuj më shumë.
Megjithëse ata gradualisht po ua lëshonin territoret forcave spanjolle, sunduesit Nasr të Granadës, duke iu frikësuar gëlltitjes nga shpëtuesit e tyre, refuzuan t’u ktheheshin marokenëve për ndihmë. Të izoluar politikisht, granadasit vazhduan të jetonin ashtu si pengje të një kohe të huazuar.
Megjithatë, historiani që është marrë edhe me studimin e arkitekturës araboandaluziane, Xhon Bruks, shkruan se “pavarësisht nga rënia e organizimit të shtetit, politikisht dhe ushtarakisht, gjatë periudhës së fundit të qeverisjes myslimane në Spanjë, kjo kulturë origjinale dhe e pasur, vazhdonte të zhvillohej”.
Në të vërtetë, shumë nga shembujt më të famshëm e më të pasur të artit dhe arkitekturës andaluziane, datojnë nga kjo periudhë. Brenda enklavës së saj që zvogëlohej, Granada lulëzoi në aspektin artistiko-kulturor e atë arkitekturor deri në fund të shekullit të 15-të, kur Spanja katolike mposhti më në fund përçarjen politike dhe efektet e “Vdekjes së Zezë”, ndërsa nisi me zell zbatimin e etapave të “reconquista”-s (ripushtimit).
POST-RECONQUISTA
Inkuizicioni dhe pasojat
Përpara rënies së Granadës dëshmohet se popullsia vendase e përzier në grupime heterogjene, kishte jetuar relativisht pa trazira në zonat kristiane, gjë e cila vazhdoi e tillë edhe për një kohë të gjatë. Banorët e qytetit kishin marrëdhënie të mira dhe një shkallë të lartë lirie fetare. Në vitin 1499, megjithatë, garancitë e monarkëve katolikë u prishën dhe nisi një periudhë e dhunshme konvertimi
(rikonvertimi) me forcë e banorëve. Një pjesë e popullatës me origjinë arabo-myslimane u rebelua, por shpejt revolta u shtyp. Ndërkohë, kishte nisur një epokë e re, e ethshme, e drejtuar nga jezuitët, të cilët nisën një kryqëzatë të vërtetë ndaj myslimanëve e hebrenjve rreth vitit 1500. Atyre iu bë e qartë se alternativa e vetme ishte të konvertoheshin në katolikë, ose të dëboheshin nga Spanja. Pasoi në fakt një valë e gjerë konvertimi, ndërkohë që të tjerë vazhduan të praktikonin fenë e tyre në fshehtësi, për t’iu ruajtur ndëshkimit të inkuizicionit, kurse pjesa tjetër zgjodhi shpërnguljen, kryesisht përmes Mesdheut në Afrikën Veriore. Ndërkohë, shumë hebrenj parapëlqyen madje të shkonin në territoret e administruara nga osmanët, të cilat asokohe po dëshmoheshin shumë tolerantë ndaj tyre, duke u ofruar liri fetare dhe mundësi për të avancuar ekonomikisht.
Trashëgimia kulturore
Ndikimet dhe tradita
Megjithëse sundimi maur në Spanjë kishte përfunduar, trashëgimia intelektuale e kulturore e pasur e el-Andalusit mbijetoi. Elemente të trashëgimisë së saj mund të gjenden në të gjithë Spanjën dhe në vitet e fundit Spanja moderne ka treguar se ndihet krenare për këtë pjesë të historisë së saj. Shumë emra vendesh (toponime) të tilla si qyteti port i Algesiras, lumi Guadalkuivir (nga el-Uadi el-Kebir, lumi i madh) dhe rajoni jugor i Andaluzisë vetë, të gjitha vijnë nga arabishtja e përdorur në el-Andalus. Gjuha spanjolle vetë
është influencuar jo pak nga arabishtja, veçanërisht pasurimi i fjalorit dhe shumë terma me origjinë arabe janë kaluar nëpërmjet spanjishtes në anglisht e kështu kanë mbijetuar deri në epokën e globalizmit. Gjithashtu, një element i rëndësishëm i kësaj kulture dhe madje shumë i prekshëm, është ai i arkitekturës. Disa nga monumentet
më të famshme të arkitekturës së Spanjës datojnë nga ajo periudhë. Arkitektura në Spanjën Jugore dhe Amerikën Latine ka marrë shumë elemente e motive nga ndërtuesit arabë, si nga ana e materialeve të përdorura, tjegullat, stuko, ashtu dhe në elementet dizenjative në oborret qendrore, zbukurimet abstrakte dhe një përdorim më të efektshëm të ujërave e shatërvanëve. Punët e mjeshtërve të asaj kohe mund të shihen edhe sot në të gjithë Andaluzinë në rezidencën mbretërore të Seviljes, Alkazari (nga arabishtja el-Kasr, që do të thotë pallati), për shembull. Përveç tyre, edhe instrumentet muzikore, motivet muzikore, ritmet, konventat vokale e struktura në përgjithësi, si dhe organizimi i muzikës andaluziane, kanë pasur gjithashtu ndikimin e tyre në muzikën spanjolle, dhe deri diku në atë amerikano-latine. Po kështu, ajo periudhë njohu e trashëgoi më pas një seri ndikimesh në art, letërsi, mjekësi e filozofi, duke u përcjellë të dy qytetërimeve një seri të vlefshme veprash e idesh.
RËNIA E GRANADËS
El ultimo sospiro del Moro
Nga fundi i vitit 1491, ushtritë e Ferdinandit dhe Izabelës ishin në portat e Granadës. Kishte mbetur vetëm një akt final për t’u luajtur, mjaftonte një kambanë e gjithçka do të merrte formën e një legjende. Arkivat arabë sugjerojnë se sunduesi i Granadës, Muhamed XII Ebu Abdullah, i njohur në perëndim si Boabdil, ra dakord në fshehtësi t’ua dorëzonte qytetin spanjollëve, si shkëmbim për kalimin e tij të sigurt jashtë Spanjës. Në fakt, ky nuk duket të jetë kështu në historiografinë spanjolle. Për reagimin e Boabdilit në ato çaste flet më së miri Stanley Lane-Poole, në veprën kushtuar kësaj periudhe të vitit 1887, me titull “Maurët në Spanjë”: Nëna e tij, Aisha, qëndroi
pranë tij: “Ti mund të qash si grua, tha ajo, për çfarë t’i nuk munde të mbroje si burrë”. Aty Boabdili i dha një shikim të fundit lamtumire të trishtuar qytetit të tij, nga i cili ai u dëbua përgjithmonë dhe që mban deri sot e kësaj dite emrin e “el ultimo sospiro del Moro” (psherëtima e fundit e maurëve). Kështu, më 2 janar 1492, sovranitetit politik arab në Spanjë i erdhi fundi.
Efektet e Andaluzisë në botën arabe
Efektet e menjëhershme të ngjarjeve në vitet 1492 deri 1500, u ndien në qytetet e mëdha të Afrikës Veriore, ku shumica e refugjatëve andaluzianë shkuan pas dëbimit të tyre. Rezidentë nga çdo qytet spanjoll tentuan të emigronin në një qytet të veçantë të Magrebit, kështu që shumë të mërguar nga Valencia përfunduan në Tuniz, ata nga Kordova në Tlemsen, refugjatët nga Sevilja në Fez, e kështu me radhë. Dijetarët, tregtarët dhe zejtarët andaluzianë e rigjallëruan në shumë aspekte shoqërinë afrikano-veriore, duke e pasuruar kulturën e tyre e duke i shtuar një influencë të re traditës ekzistuese.
Kjo influencë vazhdoi për rreth 200 vjet, derisa trashëgimia andaluziane u integrua plotësisht në jetën arabe afrikano-veriore. Megjithatë, shumë marokenë, algjerianë e tunizianë të ditëve të sotme, akoma përpiqen t’i gjejnë gjurmët e tyre prapa në disa qytete të Andaluzisë.
Përgatiti: Armand Plaka