Opinion

Antishtetarët zotërojnë rotacionin

ALEKSANDЁR ÇIPA

cipa-aleksanderSa herë lexoj statuset-reagime të ish-kryeministrit Sali Berisha, vetvetiu ngre krye skepticizmi ndaj së drejtës së tij për të mos qenë i pari në krye të reagimeve opozitare. Protagonizmi i tij opozitar, në të vërtetë, duket se imponon një sistem të ndenjur referimi në misionin e opozitarizmit politik në vend. Për këtë arsye, diskutimet e gjata të tij në Parlament, statuset në rrjetin e preferuar social Facebook dhe artikulimet gjithmonë paraprirëse për qëndrimet e opozitës zyrtare, e shtojnë perceptimin se reformimi i opozitës së djathtë në vend, është i penguar, i zënë dhe i kontrolluar. Natyrisht e drejta e tij themelore si individ i kësaj shoqërie nuk përjashtohet, por këtë e penalizon konsumimi dhe kohëzgjatja në krye të politikëbërjes, sidomos tani kur ka vetëm një mandat të thjeshtë deputeti dhe opozitari. Te politikanë të tillë e djeshmja nuk ka lënë shumë peshë për të sotmen dhe sidomos të nesërmen, për të dhënë mendim apo për të bërë ankimtarin.

Kjo mënyrë ka shembur mundësinë për të krijuar opozita një rend çështjesh, të cilave u respektohet pesha specifike dhe hierarkia në listën e nevojave adekuate që ka shoqëria dhe vendi.

Mirëpo, nga ana tjetër, “eklipsi i tejzgjatur Berisha” brenda opozitës politike, po shton edhe një perceptim tjetër publik, i cili është i dëmshëm dhe që ka lidhje me qeverinë e Kryeministrit Rama.

Janë shumë ngjarje dhe episode të bujshme të këtyre dy-tre muajve të fundit, që po e gërryejnë besueshmërinë morale ndaj qeverisë së zotit Rama. Natyrisht rënia e kësaj besueshmërie nuk ka lidhje vetëm me qeverinë, por me disa struktura dhe nivele të shtrirjes së qeverisjes.

Ndërsa pak muaj më parë, masa e qytetarëve të maturuar e shihnin qartazi qëllimin e opozitës së ish-kryeministrit Berisha, sipas të cilit me çdo mundësi duhet goditur imazhi i qeverisë “Rama”. Parimi për ta mbajtur në “lupë” gjithçka dhe çdo gjë, për t’i dhënë vokacionin më të lartë çdo të keqeje, pavarësisht nga pesha dhe ndikimi real i saj, është një “aleat” i përhershëm opozitarizmi për politikanin Berisha. Këtë parim lehtësisht ia imponoi opozitës që kryeson aktualisht Lulzim Basha. Mirëpo me arritjen e vitit të parë qeverisës prej rrëzuesit të tij Rama, ky parim dhe shtimi i problematikave që lidhen me një realitet dhe grumbull çështjesh që ai i la si “trashëgimi të qeverisjes së vet”, koha nuk punon më për të dënuar Sali Berishën, por ka filluar ajo për të vlerësuar qeverisjen e Edi Ramës. Këtë kapërcyell, politikani i regjur Berisha, i palarguar me çdo mënyrë nga politika, përmes mundësish që do t’i shumëfishojë me kalimin e kohës, tenton ta shndërrojë në aleat të përsëritshëm për vetveten dhe të tijtë. Arsenali i mjeteve dhe ushtarëve nuk i mungon. Vini re se sa fuqishëm vepron përmes hapësirës virtuale. Janë mbi 70 site dhe portale të ndryshme të krijuara rishtazi gjatë këtij viti dhe që i shquan fryma dhe patosi, deri edhe patologjik antiqeveri. Sipas Open Data Albania, në vend është shumëfishuar network-u i OJQ-ve, të cilat duket se po pasurojnë kurorën e organizatave të shoqërisë civile, por në të vërtetë po ristrukturojnë rrjetin e organizatave të shoqërisë parapolitike dhe pro-partiake të vendit. Frymëzimi dhe origjina themeluese e tyre, janë lehtësisht të identifikueshme.

Këtë arsenal në shtim opozitarizmi, Kryeministri Rama duhet ta lexojë drejt. Opozita që ka për mentor ish-kryeministrin Berisha po e godet qeverinë e Kryeministrit Rama me shigjeta që nuk “synojnë zemrën, por realizimin e vrimave të shumta në trup”. Sado makabër të tingëllojë kjo metaforë gjuetie, sërish ndikimi i saj dhe qëllimi që mbart, vetëm kështu mund të ilustrohen.

Në këtë mënyrë po eklipsohet diçka më substanciale në marrëdhëniet dhe rolet brenda kastës politike të vendit. Po ikin nga rendi i shqetësimeve reale dhe po sajojnë e deformojnë rendin e çështjeve që u nevojiten.

Ka gati dy javë që skandali seksual i sekretarit partiak të deputetit Kokëdhima në Sarandë, mbuloi dhe evitoi skandalin më të madh të historisë së Bankës Kombëtare Shqiptare, atë të vjedhjes së thesarit nga vetë stafi i bankës dhe nën përgjegjësinë e guvernatorit Ardian Fullani. Opozita, por së pari, ish-kryeministri Berisha, nën pretendimin për stabilitet dhe mbrojtje të sistemit bankar, dolën hapur në mbrojtje të guvernatorit të akuzuar më keq se ish-bosët e firmave rentiere të vitit famëkeq 1997. Është po kjo politikë që frenon përmes ndikimit dhe autoritetit mbi media të mos ndërmerren apo realizohen investigime të pavarura për të parë se si dhe se ku kanë shkuar paratë e vjedhura. Një gropë e hapur nga brenda, që nuk duhet të njihet nga ne jashtë! A thua se kemi të bëjmë me një bankë private dhe jo me Bankën Kombëtare Shqiptare.

Shumëkush që ndjek me qetësi e maturi këtë skandal të pangjarë në ndonjë bankë kombëtare në shtete e vende të tjera, mund të ushqejë iluzionin se kjo ka të bëjë me maturitet dhe mendjeftohtësi politike. Pasi në këtë mënyrë po i dilet të mos shkaktohet shembje dhe anarki në sistemin apo ekuilibrin tonë bankar. Ndërkohë që diçka e tillë, nëse do të ndodhte në një vend tjetër, do të pasohej me një mbledhje urgjente të Parlamentit, një vendimmarrje të re audituese dhe monitoruese mbi Këshillin Mbikëqyrës, Guvernatorin dhe çdo strukturë administrative të BKSH-së për të vlerësuar realisht se sa dhe se deri ku shkon vjedhja, por sidomos, pasoja mbi fondin kombëtar të monedhës, mbi inflacionin që shkaktohet prej kësi vjedhjeje dhe sidomos mbi traumën që ajo shkakton mbi sistemin bankar të vendit. Për këtë arsye, qeveria dhe Parlamenti me kohë do të ishte me vend të kërkonin një ekspertizë prej Bankës Qendrore Europiane dhe strukturave që merren me sistemin bankar global. Pse jo, edhe me ftesë ekspertësh nga vendet që kanë statusin e partnerëve strategjikë si SHBA etj. Kësi masash nuk do të vlenin për të konsumuar paturpësisht kjo kastë politike akuza dhe kundërakuza brenda sojit dhe mes llojesh. Por do të krijohej akti i parë për model të ri reagimi dhe masash ndaj vjedhjes dhe grabitjes së ripërsëritur mbi thesarin dhe monedhën kombëtare, dikur në tunelet sekrete dhe tani brenda Bankës Kombëtare.

Kjo sjellje dhe qëndrim i kësaj kaste në raport me vjedhjen e BKSH, vlen për të parë shumëkush se ç’diferencë po krijohet mes qytetarëve europianistë shtetdashës dhe së quajturës klasë politike të vendit. Një pasojë që edhe pse ripërsëritet, le në fuqi regjimin e antishtetarëve. Kriza e gjatë në shtetbërje dhe në shtetmosveprimin shqiptar, ka në thelbin e vet antishtetarët. Ata që e zotërojnë atë dhe e mbajnë të kapur, duke lejuar vetëm rotacionin, por natyrisht si zotërues të tij. Ky zotërim nëse do të vijojë të provohet edhe në qeverinë e Edi Ramës, do të sjellë pasoja të rënda dhe shkaktojë trauma shumë më të rrezikshme se ato që na rënduan në kulmet e këtij tranzicioni, që u dominua nga demiurgu i tij, zoti Berisha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button