Aplikimi në universitete, PD: 41 mijë maturantë mbahen në ankth
Partia Demokratike ka reaguar me anë të Luçiano Boçit mbi aplikimin në universitete të maturantëve, duke akuzuar qeverinë se po mban në ankth 41 mijë maturantë dhe familjet e tyre.
“41 mijë maturantë dhe familjet e tyre po mbahen në akth nga qeveria, e cila ende nuk ka nxjerrë udhëzimin zyrtar për aplikimin në universitet. Ndërsa korriku po ikën, 41 mijë maturantë ende nuk e kanë të qartë të ardhmen, për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë. Jemi me 26 korrik, dhe është hera e parë që nuk ka një udhëzim zyrtar për procesin e aplikimit, nuk ka shpallje të kuotave me vendim qeverie, dhe nuk janë bërë të njohura tarifat për programet e ciklit universitar. Ndërkohë që ky proces duhej të kishte nisur, ende nuk kemi një zbardhje të rezultateve të notave të provimeve të maturës”, shprehet Boçi.
Nuk janë hartuar dhe formalizuar udhëzimet teknike që do të mundësojnë një proces të qartë e transparent, të pakontestuar nga maturantët, thotë Boçi, i cili shton se portali nuk është gati nga ana teknike për hedhjen e mesatares së maturantit, gjë që bllokon gjithë procesin e plotësimit online të Formularit prej çdo maturanti.
Boçi thekson se edhe nuk kemi një afat kohor për procesin e aplikimit në Universitet, data të përcaktuara, si do të operohet dhe kur do të përfundojë ky proces.
“Nuk ka një udhëzim, që të përcaktojnë datat e konkurrimit për ata maturantë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në Universitete që kanë programe studimi me konkurrim, si US, UART, UAMD etj. Nuk është përcaktuar procedura e ndjekur ndër vite e librit të transparencës, ku çdo maturant, ka të drejtën të verifikojë rezultatet e tij, për të shmangur çdo gabim të mundshëm në hedhjen e të dhënave në data bazë. Pra MAS, nuk arrin të përmbyll një proces, i cili prej vitit 2006 e deri në vitin 2013, sot që flasim, me 26 korrik, i kishte shuar të gjitha dilemat e maturantëve, dhe ata ishin të qartë për vendimet që do të merrnin”, shprehet Boçi.
Kreu i Departamentit të Arsimit në PD i kërkon qeverisë dhe zonjës Nikolla të ushtrojnë përgjegjësinë kushtetuese.
“Të heqin dorë nga fundjavat e gjata e pushimet luksoze. Nëse i kanë rehatuar fëmijët e tyre në shkollat e europës, ata duhet të ushtrojnë përgjegjësinë kushtetuese që kanë t’u shërbejnë minimalisht 41 mijë maturantëve shqiptarë, duke kryer detyrimin e tyre ligjor”, përfundon deklarate e Boçit.
Te hapet dera per cdo te ri shqipetar ne Universitet.Eshte krim te vendosesh sanksione.Turpi shqipetar