Arbëria Digital Fest 2026: Trashëgimia arbëreshe si shtysë për zhvillimin lokal
Në katundet arbëreshe Carfizzi (Karfici), Pallagorio (Puhëriu) dhe San Nicola dell’Alto (Shën Kolli) do të zhvillohet edicioni i dytë i Arbëria Digital Fest, një nismë që synon ta kthejë trashëgiminë kulturore arbëreshe në një mundësi konkrete për zhvillimin e territoreve.
Aktiviteti do të zhvillohet nga 23 deri më 25 tetor 2026, me moton “Të trashëgojmë, të tërheqim, të krijojmë”, ku për tri ditë, kultura, turizmi, inovacioni, komunikimi digjital dhe bashkëpunimi ndërkombëtar do të ndërthuren në takime, panele, aktivitete artistike, podkaste, punëtori dhe evente të shpërndara në komunitetet arbëreshe.
Një nga qendrat e festivalit do të jetë “Muzé – Spazio Arbëria” në Pallagorio, ndërsa aktivitetet do të shtrihen edhe në Carfizzi dhe San Nicola dell’Alto. Organizatorët synojnë që këto komunitete të mos shihen si realitete të veçuara, por si pjesë e një territori të ndërlidhur, me një identitet dhe vizion të përbashkët.
Programi do të fokusohet në tri fusha kryesore: marketingun territorial dhe turizmin, marrëdhëniet me Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe inovacionin. Në qendër do të jetë ideja se gjuha, kujtesa, traditat, gastronomia, arti dhe peizazhi arbëresh mund të shndërrohen në burime për projekte të reja, përvojë turistike, bashkëpunime dhe ekonomi lokale.
Një nga risitë artistike të këtij edicioni është “OPEN ARBËRIA”, projekti i artit publik i artistit arbëresh Michele Giudicissi. Dyert e banesave do të shndërrohen në sipërfaqe artistike dhe narrative, duke sjellë në hapësirën publike shenja, fjalë, simbole, imazhe dhe kujtime të komunitetit. Projekti do të shoqërohet edhe me aktivitete dhe punëtori për fëmijë e të rinj.
Festivali do të ketë gjithashtu një program të veçantë “Arbëria Digital Fest OFF”, me vizita, punëtori, muzikë, art, gastronomi dhe aktivitete që do ta çojnë festivalin drejtpërdrejt në komunitete. Për të rinjtë është parashikuar edhe “Arbëresh Remix”, një mbrëmje ku këngët arbëreshe do të ndërthuren me tingujt e muzikës bashkëkohore përmes DJ-it kalabrez Giovanni Salerno. Në program do të jenë edhe muzikantët Enzo Iovine dhe Pietro Curci, si dhe rrëfimtari Rocco Marco Moccia.
Një tjetër hapësirë do t’i kushtohet “POP ARBËRESH”, podkastit që mbledh histori dhe zëra nga komunitetet arbëreshe. Gjatë festivalit do të realizohet një episod special me protagonistë të tri ditëve, duke krijuar një urë mes brezave, territoreve dhe përvojave.
Sipas organizatorëve, synimi i Arbëria Digital Fest shkon përtej tri ditëve të aktivitetit. Ideja është që nga takimet të lindin marrëdhënie, projekte dhe bashkëpunime që të vazhdojnë gjatë gjithë vitit, duke forcuar lidhjet mes komuniteteve arbëreshe, Shqipërisë, Kosovës, Ballkanit dhe diasporës.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.