Nga Venecia në Tiranë: Maggie Gyllenhaal konkurron në TIFF
Kryetarja e Jurisë së Venecias, në edicionin e fundit të këtij festivali, do të jetë pjesë e Tirana International Film Festival, por në cilësinë e konkurrentes, me filmin e saj të shkurtër “Flesh Impact”.
Filmi do të shfaqet për herë të parë në vendin tonë, ditën e katërt të TIFF. Organizatorët bënë të ditur se, Gyllenhaal e kishte të pamundur të ishte personalisht në Tiranë. Vepra e saj, “Flesh Impact” bën bashkë aktoret Dakota Johnson dhe Ellen Burstyn në dy portrete të ndryshme të Marilyn Monroe.
Tirana International Film Festival i jep publikut shqiptar mundësinë të shohë një vepër që mbërrin nga një prej emrave më të rëndësishëm të kinemasë amerikane bashkëkohore. Aktorja dhe regjisorja amerikane është bërë një prej zërave më të komentuar të festivalit edhe për qëndrimet e saj mbi rolin e grave në industrinë e filmit. Në ditët e para të Festivalit të Venecias, ajo ka folur hapur për barrierat sistemike që vazhdojnë të përballojnë gratë regjisore dhe për mënyrën se si disa histori të rrëfyera nga gratë ende konsiderohen më pak të rëndësishme apo me më pak “art” nga industria.
Maggie Gyllenhaal është ndër emrat më të njohur të Hollywood-it, me dy kandidime për Oscars, një si “Aktorja më e mirë joprotagoniste” në filmin “Crazy heart” dhe tjetrin për “Skenarin më të mirë të përshtatur” në filmin “The lost daughter”. Pjesëmarrja në TIFF e një filmi të Maggie Gyllenhaal e ngre edhe më tej profilin ndërkombëtar të këtij festivali.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.