Ardhja e vjeshtës, katër zakone që mund t’i ndryshoni për të qëndruar në formë
Me ndërrimin e stinëve edhe trupi ynë pëson ndryshime, ndaj për këtë arsye ju duhet të tjetërsoni dietën tuaj që ajo të funksionojë sa më mirë
Me ardhjen e stinës së vjeshtës duhet të ndryshoni edhe dietën tuaj, duke qenë se edhe trupi pëson ndryshime të vogla, por të rëndësishme. Reduktimi i sasisë së dritës në vjeshtë, ndikon si te humori, ashtu edhe te ritmet kardiake dhe për pasojë personat kanë gjasa të lëvizin më pak dhe të asimilojnë më shumë. Ja pra katër këshilla të dobishme për të ndihmuar trupin që të përshtatet me ndryshimet e stinës dhe për të mbajtur nën kontroll peshën edhe gjatë fazës “letargjike” me afrimin e dimrit:
Shtojcat e vitaminës D
Vitamina D është normalisht vitamina të cilën ne e gjenerojmë falë diellit. Një plotësim i vitaminës D ndihmon në ruajtjen optimale të niveleve të gjakut dhe në përgjithësi ajo është shumë e rëndësishme për shëndetin e kockave, ndërsa parandalon edhe disa tumore. Ndërkaq, kjo vitaminë kontribuon në humbjen e peshës dhe rrit funksionin imunitar, faktor më se i nevojshëm për sezonin e ftohtë, kur rreziku për t’u prekur nga gripi është më i madh.
Vazhdoni të merreni me ndonjë lloj sporti
Gjatë vjeshtës dhe dimrit, shumica e njerëzve janë më pak të gatshëm për të bërë vrap apo çdo lloj tjetër sporti. Në fakt, përpjekja për të praktikuar një aktivitet fizik është thelbësore qoftë për humorin ashtu edhe për gjendjen fizike në përgjithësi.
Monitoroni peshën
Një studim tregon se gjatë disa muajve të vitit, ose më saktësisht në shtator-tetor dhe shkurt-mars, njerëzit shtojnë mesatarisht një kile nga pesha e tyre. Kjo mund të shmanget duke vëzhguar çdo javë peshën trupore për të mos u larguar shumë nga standardi juaj fizik. I njëjti studim tregoi se ata të cilët peshohen shpeshherë arrijnë të mbahen më shumë në formë.
Rrisni karbohidratet
Për shkak të shkurtimit të ditëve, ju mund të “vuani” nga një lloj depresioni i lehtë i njohur ndryshe si çrregullim emocional sezonal, i cili mund të parandalohet me konsumimin e disa ushqimeve të posaçme. Kështu, shtimi i karbohidrateve në ushqyerjen tuaj të përditshme mund t’ju ndihmojë në përmirësimin e gjendjes shpirtërore, sepse këto ushqime shkaktojnë një rritje të serotoninës, e njohur pikërisht si “hormoni i humorit të mirë”.
Por cilat janë ushqimet më të mira për t’u konsumuar në vjeshtë në mënyrë që të jeni në formë të shkëlqyer?
Kungujt – Kungujt janë të stërmbushur me karrotenoide, të cilat ndihmojnë në luftën kundër radikaleve të lira të dëmshme. Përveç kësaj, janë të pasur me hekur, zink dhe fibra.
Mollët – Klasike absolute kur bëhet fjalë për ushqimin e shëndetshëm. Mollët përmbajnë kalcium dhe vitaminë C, të cilat janë të domosdoshme për shëndetin e eshtrave dhe forcimin e imunitetit për motin më të ftohtë. Fibrat e kësaj frute ndihmojnë në procesin e një tretjeje të shëndetshme, ndërsa mollët janë edhe përplot me antioksidantë.
Arrat amerikane – Arrat amerikane janë të mbushura me yndyra të cilat janë të mira për zemrën tonë dhe po ashtu janë shumë të ushqyeshme.
Boronica e kuqe – Këto fruta të vogla janë burim fantastik i antocianineve, antioksidantëve të cilët ndihmojnë shëndetin e zemrës. Antocianinet gjenden edhe te vera e zezë dhe çaji.
Fiqtë – Fiqtë përmbajnë shumë fibra, të cilat do t’i nxjerrin toksinat nga trupi ynë. Janë përplot edhe me kalium, i cili ndihmon në kontrollimin e tensionit të lartë të gjakut.