Arratisja e Republikës
FADIL LEPAJA
Ëndrra po realizohet. Krejt po shkojmë në Europë. Republika po arratiset me autobus. Europatours!
E keni vërejtur se kur, në një dokument shqip në programin “Word”, e shkruani fjalën Europë, do të dali se e keni shkruar gabim? Programi kërkon që të shkruhet Evropë. Kështu e kërkon standardi. Për autobus, nuk reagon, as standardi e as programi. Shkruajeni si të doni! Në fakt, askush nuk po merret me autobusët. Me ata, të cilët, çdo mbrëmje, nën terrin e netëve të ftohta të këtij dimri po trafikojnë Kosovën, drejt Europës. As shteti, e as kontinenti, nuk po merret me këtë punë. Çdo muaj, po e dërgojnë drejt Europës, nga një qytezë.
Por, sot do të flas për ushtarët. Kot fjalët demilitarizim apo demokratizim. Ideali ynë është ushtria. Edhe lufta. Edhe kur ishte paqësore, luftë i thoshim. Të kuptohemi, ne këndej nuk kemi ushtarë. Janë veç Forca Sigurie! Askush nuk e di se çka i bie kjo me tamam, por kështu ishte ideja bazë. Askush të mos e kuptonte. As mish as peshk! Pushkë po, uniformë po, marsh ushtarak po … bandë ushtarake, po. Krejt i kanë, përpos emrit, të njohur ndërkombëtarisht. Se, te ne, as ti nuk ekziston nëse nuk njihesh ndërkombtarisht.
Nejse! Politika është në rregull. Si gjithkund: fjalë, fjalë, fjalë. Edhe gurë. Qeveria me fjalë, opozita me gurë. Ne, në politikën tonë, pra, nuk kemi karajfile e as kadife … as të tjerat. Nuk jemi Portugali pra, as Gjeorgji e as Çekosllovaki. E kuptuat tashmë se po luajmë një lojë asociacionesh?! Pra, zgjedhja përfundimtare e lojës së asociacioneve është … revolucioni. Apo kundërrevolucioni. Sepse te ne gjithçka është kundër. Nuk është “për”. Për çka e kemi shtetin, në fund të fundit?! E kemi për me e luftue njëri-tjetrin. Se, shteti ynë nuk është aparat i zakonshëm i dhunës në duart e klasës … qysh thoshte dikur partia. Është aparat në duart e familjes. “Famiglia” shkruhet italisht!
Keni qenë ushtarë, ju? Po mendoj, a keni qenë ushtarë në një ushtri të rregullt, të atillë që e fillon ditën me ngritjen e flamurit me ceremoni dhe e mbyll me uljen e tij? Aty ku rekrutët e rinj nderojnë flamurin dhe himnin shtetëror me qëndrim gatitu dhe … flenë në këmbë?
Nuk kanë faj! I kanë ngritur bashkë me diellin. “Shpejtoni djem, se do të ngrihet flamuri pa ju!”, u bërtasin eprorët. “Po le të ngrihet!”, mërmëritë me zë të ulët, njëri nga ata. “Se mos jam Ismail Qemali unë. Le të ngrihet pa mua! Preferoj të jem Isë Boletini! Raportojeni se jam vonuar në ngritjen e flamurit!”
Por ai, pa e kuptuar as vetë se si, e sheh veten në radhë duke marshuar nëpër pistën me çimento. Pastaj përshëndet eprorët në të majtë dhe të djathtë, ata të cilët me një logjikë të hekurt dhe të ftohtë e krijojnë rendin. Flamuri, himni dhe ata. Të tjerët gatitu përpara tyre. Atdheu gatitu!
Mësimi kryesor për rekrutët e rinj në një ushtri të rregullt është: si të gjendesh në natyrë pa pajisjet standarde ushtarake. Të mbijetosh. Merr çka të ofron natyra. Merr atë që ke më pranë dorës, të thonë oficerët. E ti domosdo e merr, se do të mbijetosh!
E pra, toka jonë parapolitike nuk i bën karajfilet! Kot ishte ajo përralla për revolucionin e karajfileve! Revolucioni i karafilave, që ta dini ju, u zhvillua në Portugali! Protestuesit përballë ushtarakëve. Vajza të bukura me karafila në duar, u dërgonin sinjale erotike ushtarakëve të përndezur. U venin lulet nëpër grykë të pushkëve. Instinkti i jetës dhe i vdekjes përballeshin në shesh. Edipi dhe Elektra.
Sidoqoftë, edhe po të ketë qenë diku tjetër, kjo puna e karafilave, ju lutem mos u skandalizoni me padijen time. Me rëndësi është mesazhi. Ushtarë, policë, mos përdorni armët mbi civilë! Civilë, mos përdorni gurët!
E këtu, ka vetëm gurë. Shkrepa, shkrepa kjo toka jonë! Kështu, këto ditë dikush më rrëfeu një histori të trishtë me gurë. Dy zonja po bisedonin te hyrja e emergjencës dhe po fshinin lotët. Njëra e kishte djalin polic e tjetra protestues. Të dy të lënduar rëndë. Nuk po e kuptonin (kundër)revolucionin, nënat.
Ishte luftë për sheshin. Kontejnerët u mbushën me gurë një natë më parë. Edhe policët kishin mbushur armët me plumba gome. Kështu filloi …
I kujt është sheshi? I qytetarëve? Mos ia fut kot! Sheshi është i Skënderbeut … Skënderbeu me shpatën e zhveshur, mbuluar me një flamur kuqezi rreth qafe dukej sikur pionier. Sheshi është yni. Me kë ishte Gjergji? Me ne apo me ata?
Fluturoi, fluturoi … guri. Kështu luajnë fëmijët atë lojën e vjetër, mbase sa njerëzimi. Fluturojnë gurët apo jo? Këtu fëmijët fillojnë të grinden. Nuk e kuptojnë dallimin në mes asaj që fluturon vetë dhe asaj që hidhet … drejt teje. Policët tanë e dallojnë. Edhe kryepolici!
“Nuk fluturojnë gurët vetë”, arsyeton krejt logjikshëm ministri i Brendshëm, i cili e mbron policinë nga protestuesit e zemëruar që hedhin gurë dhe shprehet se nuk i pëlqen kur Prishtina ngjan me Lindjen e Afërme. E kujt i pëlqen, ministër?! Pastaj, kush i mbron qytetarët z. ministër? Ju? Policia?
Të katër sheshet, të cilat me një buxhet të shpenzuar prej 8 milionë eurosh nga Komuna e Prishtinës, u ndërtuan sipër rrugës që dikur e mbante emrin e mbretit të kuq, të ish-Jugosllavisë, të quajtur me përkëdhelje si “shoku” Tito. Thënia e tij e famshme: “Prej fjalëve, në vepra” dikur ishte e shkruar me shkronja të mëdha në ballinën e një ndërtese që edhe sot shënon hyrjen në sheshe. Veprat nuk po duken, ende, të dashur miq. Shesheve po ushtojnë vetëm premtimet.
Të pakënaqurit që nuk protestojnë nëpër sheshe, kanë nxjerrë biletë në njërin prej autobusëve të linjës Prishtinë-Beograd. Kjo duket si meritë e bisedimeve, në mes baroneshës dhe shefit lokal të familjeve tona të organizuara në shtet. Edhe “kryefamiljarit” serb, Daçiç. Sidoqoftë, patatja e nxehtë tash përvëlon duart e Kryeministrit aktual, i cili pas gjashtë muajsh negociata në opozitë, bëri pakt me … “shefin”.
Nejse, edhe në kushtet më të rënda të okupimit, viteve ’90, slogani më frymëzues ishte: “Me laps në Europë!” Atëherë ishte rrënuar sistemi i arsimit dhe lëvizja paqësore përmes këtij slogani mezi po e shprehte misionin dhe vizionin e saj, për integrime europiane.
Pastaj erdhi liria. Meritat. Edhe oligarkia! Lapsat u harruan, sepse mbizotëruan kompjuterët dhe celularët. E slogani? Cili është slogani i luftës kundër oligarkisë dhe krimit që i ka hipur shtetit, në Kosovë: “Ke sheshi, ke sheshi …”? Apo është “Me autobus, në Europë”?
Republika po arratiset, miq! Po arratiset ky popull, i cili dikur, duke ecur pas tankeve të NATO-s po kthehej nëpër shtëpitë e veta, të djegura deri në themel. I patën gjetur në këmbë vetëm oxhaqet. Të nesërmen ato filluan të qesin tym!