Arrestohen katër të mitur për rrahjen e egër të 17-vjeçarit në Goudi, mes tyre dy 13-vjeçarë
Policia greke identifikoi dhe arrestoi katër të miturit që të shtunën pasdite rrahën një 17-vjeçar në lagjen Goudi të Athinës, duke i shkaktuar thyerje në hundë dhe dëmtim serioz në sy; u arrestuan edhe prindërit e tyre për neglizhim të mbikëqyrjes.
Policia greke (ELAS) identifikoi dhe arrestoi katër të mitur, të cilët pasditën e së shtunës, më 22 nëntor, sulmuan dhe rrahën një 17-vjeçar në lagjen Goudi të Athinës, siç raporton ProtoThema. Sipas portalit grek, viktima pësoi thyerje në hundë dhe një dëmtim serioz në sy.
Sipas ProtoThema-s, të arrestuarit janë dy filipinezë, 13 dhe 17 vjeç, një gjeorgjian 14 vjeç dhe një shqiptar 13 vjeç. Ata akuzohen për krijim bande, lëndim të rëndë trupor dhe tentativë vjedhjeje. U arrestuan edhe prindërit e tyre për neglizhim të mbikëqyrjes së të miturve.
Viktima i njihte autorët, të cilët e prisnin në sheshin Agios Thomas me qëllim që ta sulmonin. Në vendngjarje u thirr ambulanca e EKAV-it, e cila e transportoi 17-vjeçarin pas plagëve të marra.
ProtoThema publikoi edhe një dokument audio ku autorët dëgjohen duke e ofenduar rëndë dhe kërcënuar viktimën para sulmit, ndërsa klientët e një restoranti aty pranë ndoqën të tronditur skenat e dhunës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.