Arsyet se pse një pedagog duhet t’i nisë leksionet me një poezi
Pedagogu nga Pensilvania, Brett Vogelsinger, i fillon leksionet e tij me një poezi. Ai këshillon se çdo koleg i tij duhet ta bëjë këtë gjë në mbarë botën. Sepse ekzistojnë disa arsye tepër interesante
“‘O kapiten, i imi kapiten!’ – Kush i njeh këto vargje? Askush. Nuk e dini? Është një poezi e Walt Whitman, që flet për Abramo Lincoln”. Kështu profesori John Keating iu drejtua klasës së tij të kolegjit të meshkujve “Welton”, në filmin “The fleeting moment” (Moment i rrufeshëm). Mënyra e tij e mësimdhënies origjinale dhe entuziaste zuri vend në zemrat e shumë mësuesve e pedagogëve, disa prej të cilëve duket se kanë provuar të imitojnë stilin e tij. Mes këtyre është Brett Vogelsinger, pedagogu amtar i anglishtes në Pensilvani, që prej tre vitesh leksionet i nis me poezi. Sipas tij, janë katër arsye për të cilat çdo profesor duhet të ndjekë metodën e fillimit të leksioneve me poezi.
Poezitë janë të shkurtra
“Koha për një mësues është flori dhe pavarësisht se kjo duket një klishe, nuk është kurrë e mjaftueshme. Në fakt, mendimi i parë i një profesori kur dëgjon këtë teori është koha, ku mund ta gjej atë? Por mos harroni se poezitë janë të shkurtra. Jo të gjitha, sigurisht. Por edhe ato më të shkurtrat mund t’u japin vend zbulimeve të rëndësishme”, shpjegon Vogelsinger. Pra nëse poezia është e shkurtër, edhe analizat do të jenë të shkurtra: “pjesa më e mirë e një poezie të shkurtër është se ajo mund të lexohet, analizohet dhe të diskutohet në pak minuta”. Ai këshillon disa tituj si “The Balloon of the Mind” (Balona e mendjes) nga William Butler Yeats ose “We wear the Mask” (Ne vëmë maska) nga Paul Laurence Dunbar, që rezultojnë të jenë shumë tërheqëse për djemtë.
Poezitë janë intensive
Në qoftë se për një roman mund t’iu duhen kapituj të tërë për të vendosur një marrëdhënie emocionale me lexuesin, poezitë mund të bëjnë efekt në pak sekonda. “Edhe lexuesit e vegjël mund të kapin shpejt kuptimin e një poezie në sajë të kombinimit të fjalëve dhe të ritmit”, shpjegon profesori.
Poezitë lidhen me njëra-tjetrën
Poezia mund të hapë një derë ndaj diskutimit të veprave të tjera, më të gjata e më me peshë, që shpeshherë “përcaktojnë” dijen tonë. “Rumi, poeti persian, ka shkruar poezi të cilat rimojnë në disa pika me ‘Romeo dhe Zhuljeta’. Një pjesë e shkruar, që vjen nga një kulturë krejtësisht e ndryshme, e që ‘flet’ për aspekte të njeriut të përfshira edhe në ndonjë vepër tjetër, mund të japë një mesazh të rëndësishëm të përfshirjes dhe diversitetit”, thotë profesori.
Poezitë frymëzojnë
Poezitë janë një burim frymëzimi për të shkruarin. Për këtë, Brett Vogelsinger është më se i bindur: “Kur i prezantojmë një poezi studentëve e i ftojmë të shprehin idetë e tyre dhe të imitojnë formën ose stilin e atij autori, ne i stimulojmë edhe të zhvillojnë një ‘zë’ të tyrin, një mënyrë të shkruari personale dhe origjinale”.
Kështu që, merrini në konsideratë këto katër arsye për të filluar leksionet tuaja me një poezi. “Do ta kuptoni se bota juaj do të ndryshojë’, shkruan profesori në blogun e tij. Ai e përmbyll kështu fjalën për këtë çështje: “Në të vërtetë, mund të shkruaj për orë e orë të tëra mbi përvojën pozitive që kam pasur me studentët e mi në tre vitet e fundit. Ndërkohë nëse është diçka që keni dashur gjithmonë ta provoni, unë ju inkurajoj ta bëni. Kam përshtypjen se ju dhe të rinjtë tuaj do të argëtoheni pa masë!”.