Politika

Arta Dade priti Ministren për Dialog të Republikës së Kosovës, znj. Edita Tahir

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Arta Dade priti sot në takim Ministren për Dialog të Republikës së Kosovës, znj. Edita Tahiri dhe delegacionin që e shoqëronte atë.Pasi i uroi mirëseardhjen Ministres për Dialog të Republikës së Kosovës, znj. Edita Tahiri, Kryetarja e Komisionit  për Politikën e Jashtme znj. Arta Dade, përgëzoi shtetin e Kosovës për anëtarësimin në FIFA dhe për arritjet pozitive në proceset integruese drejt Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim znj. Tahiri tha se  liberalizimi i vizave ka qenë një vendim historik që ka gëzuar të gjithë popullin e Kosovës.Duke diskutuar për marrëdhëniet politike, znj. Tahiri theksoi se ato janë të shkëlqyera dhe se të dyja vendet ndajnë aspirata të përbashkëta euroatlantike.Pas takimit znj. Dade dhe znj. Tahiri dhanë një deklaratë të  përbashkët për media:

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Arta Dade

Është një kënaqësi e veçantë që të pres znj. Edita Tahiri, me të cilën përveç angazhimit tonë politik, patjetër që jemi edhe mikesha, sepse praktikisht gratë duhet ti japin një impuls të ri të gjitha angazhimeve tona politike në të dy vendet tona përtej kufijve, por gjithashtu edhe për angazhimet tona rajonale.Bashkëbiseduam edhe për aksionet tona të përbashkëta diplomatike në kuadrin e proceseve integruese. Padyshim që kemi shprehur edhe njëherë kënaqësinë e veçantë që Kosova ka nisur tashmë rrugën e proceseve integruese. Ka hapur liberalizimin e vizave. Gjithashtu, ka hapur edhe marrëveshjet për stabilizim-asociimin dhe Shqipëria në këtë aspekt luan një rol të rëndësishëm, duke dhënë edhe përvojën tonë.Ne duhet të angazhohemi së bashku për të drejtat e minoriteteve në të gjithë trevat, ku jetojnë Shqiptarët dhe për t’i bërë të dy vendet tona më të sigurta, me zhvillim ekonomik më të lartë dhe një vend më të mirë për shtetasit tanë për të jetuar.Gjithashtu, në kuadrin e sfidave që ka vetë BE , por edhe rajoni, sfidat e sigurisë dhe të bashkëpunimeve rajonale, padyshim që Shqipëria-Kosova duhet të bashkërendisin  veprimet e tyre për të përfituar nga momenti dhe për të dhënë kontributet e veta në drejtim të sigurisë dhe të zhvillimeve social-ekonomike.

Ministrja për Dialog të Republikës së Kosovës, znj. Edita Tahiri

Edhe për mua është kënaqësi të takoj Kryetaren e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Arta Dade. Miqësia jonë është aq e fortë, sa edhe lidhjet tona kombëtare që kemi.Mendoj se edhe takimi ishte kombëtar edhe në kuptimin e forcimit të marrëdhënieve midis dy shteteve, ashtu siç tha edhe kryetarja znj. Dade. Ne biseduam për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në kuadër të vizionit euroatlantik, ku konstatuam progresin edhe të Kosovës, e cila ka hyrë në rrugën zyrtare të integrimit evropian me marrëveshjen e stabilizim-asociim, por edhe liberalizmi i vizave, pra erdhi si vendim i BE-së dhe që presim zbatim së shpejti.Të mos harrojmë edhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat më të larta ndërkombëtare të sportit. Të gjitha këto kanë qenë lajme të mira për Kosovën, ku edhe Shqipëria ka luajtur rolin e saj në kuadër, jo vetëm të këmbimit të përvojave për integrimet euroatlantike dhe të mbështetjes diplomatike, që po bën dhe ka bërë edhe në të kaluarën.Edhe sot patëm rastin që të diskutojmë dhe të koordinojmë axhendën, sepse Kosova është shtet i ri dhe ka nevojë për më shumë përkrahje, jo vetëm në marrjen e përvojave, por edhe në avancimin e axhendës së saj për njohjen e plotë ndërkombëtare, por edhe që të përshpejtojmë procesin  e integrimit në BE, NATO, OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare.Së bashku diskutuam për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe ramë dakord që njohja e Pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur, sidomos është jo vetëm kontribut për stabilitetin e Kosovës, por edhe të mbarë rajonit.Në ramë dakord që fqinjësia e mirë dhe mbyllja e çështjeve të hapura në vendet e rajonit në raportin bilateral janë kontribut dhe çelës për një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm.Përmendëm edhe shqiptarët jashtë Kosovës, dhe jashtë Shqipërisë ku vumë theksin dhe në angazhimet tona të përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë, por në veçanti të Luginës së Preshevës, ku shqiptarët që jetojnë atje vazhdojnë të jenë të diskriminuar nga Serbia dhe ramë dakord, që të angazhohemi dhe të rrisim përpjekjet në këtë drejtim.Duhet që të zhvillojmë takime më të shpeshta, sepse dinamika ndërkombëtare dhe sfidat e reja, jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Evropën, sidomos në kuptimin e refugjatëve, të luftës sonë të përbashkët në kuadër të aleancës perëndimore për terrorizmin ndërkombëtar, na bëjnë që të jemi më shumë të angazhuar dhe të koordinuar në këtë drejtim.

Pyetje: Znj. Tahiri çfarë do të ndodhë me marrëveshjen e asociacionit për në komunat pas kthimit nga Gjykata Kushtetuese  dhe kundërshtive të forta që ka opozita në Kosovë?

Znj.Edita Tahiri: E para dëshiroj t’ju them që ne kemi vënë në pritje këtë marrëveshje për zbatim për arsye se Serbia ka bllokuar kodin telefonik ndërkombëtar për Kosovën. Ka pesë vite që ne kemi negociuar për çështjen e Kodit Telefonik të Kosovës dhe marrëveshja është arritur. Plani për zbatim është arritur, por Serbia e shkel marrëveshjen. E njëjta është në fushën e energjisë. Serbia ka shkelur marrëveshjen me të cilën Kosova, përkatësisht sistemi i transmetimit të energjisë së Kosovës, duhet të nisë të veprojë i pavarur. Pra janë dy fusha ku Kosova do të ketë sovranitetin, edhe në Telekom edhe në Energji. Duke marrë parasysh bllokadat e Serbisë, ne i kemi bërë të qartë edhe Serbisë, edhe Bashkimit Evropian, që asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të presë radhën. Por për ju është rasti të them që ky asociacion për të cilën ka bërë shumë zhurmë opozita në Kosovë, nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, as nuk do të jetë një nivel i tretë i qeverisjes në Kosovë. Përkatësisht do të jetë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovë, ligjet, e Kosovës si dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila doli në fund të vitit të kaluar.Po e them këtë unë, qeveria e cila ka negociuar, por e tha edhe znj. Mogherini gjatë vizitës në Kosovë për të uruar liberalizimin e vizave, ku në fjalimin e saj në parlamentin e Kosovës e bëri të qartë pikërisht këtë që thashë edhe unë. Jo kompetenca ekzekutive dhe jo nivel të tretë të qeverisjes. Pra nuk ka nevojë për shqetësime ky asociacion. Ne kemi edhe një në Kosovë. Ligji e lejon. Ka dalë nga procesi i Vjenës dhe ky asociacion mund të ndihmojë integrimin e serbëve sepse përmes dialogut të Brukselit ne po i mbyllim strukturat paralele të Serbisë që kanë vepruar në Kosovë që nga përfundimi i luftës. Ju përmend drejtësinë, në polici. Komunat janë  duke funksionuar në bazë të ligjeve të Kosovës. Sigurisht ka ende shumë punë, por ky dialog po e mundëson nxjerrjen e Serbisë nga ndikimi i saj sidomos në pjesën veriore të Kosovës dhe në integrimin e minoritetit serb, asaj pjese që ka mbetur pa u integruar.

Znj. Arta Dade :Më lejoni që t’ju ripërsëris, sepse besoj se media e ka ndjekur, në të gjitha strukturat parlamentare ku ne jemi pjesë, sigurisht edhe Serbia, ne vazhdimisht i kujtojmë Serbisë që të zbatojë pikë për pikë marrëveshjet e nënshkruara me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë deri në zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve që ata janë angazhuar për të zbatuar.

Pyetje: Znj. Dade. Pas Kosovës që ka arritur liberalizimin e vizave, a mendoni se do të jetë radha e Shqipërisë për të pasur një lajm të mirë nga Komisioni Europian që do të thotë çështja e negociatave?

Znj. Arta Dade: Patjetër ne shpresojmë pasi jam shumë shpresëplotë që do të finalizojmë reformën në drejtësi dhe juve i keni ndjekur dhe autoritete më të larta të Bashkimit Europian. Në radhë të parë ne duhet ta bëjmë reformën për shtetasit shqiptarë, për qytetarët shqiptarë, por edhe për të marrë këtë lajm të mirë i cili do të hapë një kapitull edhe më të vështirë në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Europian.

Pyetje: Cili është reagimi i Komisionit Evropian pas njoftimit tuaj se Serbia nuk po respekton marrëveshjet?

Edita Tahiri: Bashkimi Evropian ka qenë shumë i qartë në kuptimin e masave ndaj Serbisë për shkak të shkeljeve  të marrëveshjeve. E para e ka bllokuar Serbinë dy vjet në hapjen e bisedimeve. Siç e dini në 2014-n dhe në 2015-n, ndërsa tani kur ka vendosur që të fillojnë këto negociata, i ka vendosur një kusht të lidhur me Kosovën dhe ky është kapitulli 5, i cili përmban të gjitha obligimet që ka Serbia në raport me dialogun me Brukselin dhe në raport me krijimin e fqinjësisë së mirë me Kosovë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button