Arta Marku i çoi për hetim disiplinor, 10 prokurorët letër të hapur: Mbledhja binte ndesh me ligjin!
“Në vijim të njoftimit të datës 19.9.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme (referuar më poshtë si “Njoftimi” ) për nisjen e hetimit disiplinor ndaj 10 prokurorëve të Prokurorisë për Krime të Rënda (referuar më poshtë si “PKR”), të cilët përfaqësojnë shumicën e prokurorëve të PKR, për shkak të sensibilitetit të lartë të rastit dhe për hir të bërjes transparente të fakteve, ne, prokurorët e poshtë-shënuar kemi përgatitur këtë deklaratë, me qëllim sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe çështjeve ligjore të lidhura me të, si më poshtë vijon:
Më datën 18 Shtator 2018, jemi njoftuar përmes telefonit për të qënë pjesëmarrës në një mbledhje e cila do të zhvillohej në të njëjtën ditë në orën 15.00, pa u njoftuar per objektin e saj. Njoftimi për mbledhje nuk ishte konform kërkesave ligjore në fuqi dhe vinte në kundërshtim me nenin 56 të ligjit nr.97 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” , I cili kërkon që mbledhja të njoftohet të paktën 3 (tre) ditë përpara, së bashku me rendin e ditës“, shkruhet ndër të tjera në letër.
Letra e plotë
Drejtuar: Mediave të pavarura të Republikës së Shqipërisë
Zyrës së Delegacionit të Bashkimit Europian në Republikën e Shqipërisë
Misioni PAMECA
Përfaqësisë Diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri
Në vijim të njoftimit të datës 19.9.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme (referuar më poshtë si “Njoftimi” ) për nisjen e hetimit disiplinor ndaj 10 prokurorëve të Prokurorisë për Krime të Rënda (referuar më poshtë si “PKR”), të cilët përfaqësojnë shumicën e prokurorëve të PKR, për shkak të sensibilitetit të lartë të rastit dhe për hir të bërjes transparente të fakteve, ne, prokurorët e poshtë-shënuar kemi përgatitur këtë deklaratë, me qëllim sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe çështjeve ligjore të lidhura me të, si më poshtë vijon:
Më datën 18 Shtator 2018, jemi njoftuar përmes telefonit për të qënë pjesëmarrës në një mbledhje e cila do të zhvillohej në të njëjtën ditë në orën 15.00, pa u njoftuar per objektin e saj. Njoftimi për mbledhje nuk ishte konform kërkesave ligjore në fuqi dhe vinte në kundërshtim me nenin 56 të ligjit nr.97 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” , I cili kërkon që mbledhja të njoftohet të paktën 3 (tre) ditë përpara, së bashku me rendin e ditës.
Mbledhja në fjalë u shty për të nesërmen, më datë 19.09.2018 në orën 9.00 nga drejtuesja, për shkak të mungesës së disa prokurorëve. Kërkesa e prokurorëve për t’u njohur me objektin e mbledhjes nuk mori asnjë përgjigje nga ana e drejtueses së komanduar të PKR.
Në mbledhjen e organizuar më 19 Shtator 2018, në orën 09.00, në fillimin e mbledhjes, drejtuesja e komanduar njoftoi se, mbledhja lidhej me hedhjen e shortit për caktimin e një prokurori për çështjen penale nr.26/16 dhe se hedhja e shortit lidhej me pamundësinë e prokurorëve të çështjes për ta përfaqësuar atë. Sqarojmë këtu se, në asnjë moment nuk na është bërë i ditur urdhëri për zëvendësimin e prokurorëve në fjalë së bashku me shkaqet ligjore përkatëse. Për hir të qartësisë, çështja në fjalë, ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare.
Nga pjesa më e madhe e prokurorëve të pranishëm në mbledhje, u paraqitën pretendime në lidhje me kërkesën për hedhjen e shortit dhe ligjshmërinë e tij, pasi prokurorët e çështjes Elisabeta Ymeraj dhe Ened Nakuçi, vazhdonin të ishin prokurorë të çështjes, përfshirë këtu edhe prokurorin Besim Hajdarmataj, i cili në fakt, jo më herët se data 18 Shtator 2018, përmes një akti me shkrim, i kishte shprehur drejtueses së komanduar të PKR vullnetin e tij, për të vazhduar përfaqësimin e çështjes në fjalë, pranë gjykatës kompetente.