At Pjetër Meshkalla, kleriku i persekutuar prej regjimit komunist
Më 25 shtator të vitit 1901, lindi në Shkodër, At Pjetër Meshkalla
Pas përfundimit të ciklit të studimeve teologjike në Austri, në Slloveni, si dhe në Fakultetin e Filozofisë në Napoli, nisi të japë mësim në Seminarin Papnor në Shkodër. Themeloi rrethet “Don Bosko” dhe “Shën Pjetri”, që u bënë qendra të rëndësishme të edukimit të rinisë së kohës.
Meshkalla nuk pajtohej me asnjë palë pushtuese, qoftë e ardhur nga Perëndimi, apo nga Lindja. Nën Italinë fashiste, shprehte pa ngurrim pikëpamjet atdhetare nëpërmjet predikimeve publike dhe shkrimeve të shumta. Gjatë pushtimit nazist, ndihmoi në strehimin e popullatës së Tiranës dhe të mjaft hebrenjve, në kushtet e reprezaljeve dhe të bombardimeve.
Në Shqipërinë komuniste nuk mundi t’i shpëtonte listës së zezë të “armiqve të popullit”. Në vitin 1947, At Pjetër Meshkalla u dënua me 15 vjet burg. Në vitin 1967 u ridënua me 10 vite të tjera, ndërsa në vitin 1978 do të internohej në Vlorë.
Pati kurajon të shkruante një promemorie drejtuar diktatorit Enver Hoxha, ku nënvizonte persekutimin e klerit dhe të popullsisë katolike. Simboli i shquar i martirizimit vdiq më 28 korrik 1988. Jezuitët, shoqëri së cilës i përkiste, i kanë vënë emrin e tij një shkolle të mesme në Shkodër, e cila është vijuese e Kolegjit të famshëm Saverian.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.