Atelier Albania, konkurs ndërkombëtar për ishullin e Beratit
Atelier Albania, me kërkesën e Bashkisë së Beratit dhe e mandatuar nga Zyra e Kryeministrit nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit shpall , konkursin ndërkombëtar të ‘kërkimit nëpërmjet projektimit’ për të propozuar idenë e zhvillimit pejsazhistik të Ishullit të Osumit në Berat, si edhe për të gjetur mënyra për të qenë elastik dhe të ripërtëritshëm ndaj fenomeneve natyrore, duke e përdorur ishullin si vend testimi.
Në njoftimin për mediat sqarohet se ky konkurs ndërkombëtar po shpallet me qëllimin për të lidhur Ishullin e Osumit në Berat me rrjetin e hapësirave të qytetit të Beratit. Kjo thirrje ndërkombëtare është në kërkim të mënyrave ku ajo ç’ka quhet urbane mund të bashkëjetojë me natyrën dhe të jetë njëkohësisht elastike dhe e ripërtëritshme kundrejt çdo fenomeni natyror.
Përmes kësaj thirrjeje të hapur, Atelier Albania, synon të tërheqë ekipe me arkitektë, pejsazhistë dhe dezajnera. Qëllimi është që të përftohen koncepte sa më origjinale dhe vizionare për ndërhyrje të karakterit arkitektonik dhe urban për vend-testimin Ishulli i Osumit në Berat, si edhe për zgjidhje inovative për zhvillimin e pejsazhit, e mbi te gjitha per nje bashkjetese harmonike midis jetes urbane dhe thesarit natyror. Konceptet duhet të bazohen në parimet që gjenerohen dhe gjithashtu i përgjigjen veçantive të zonës, kërkesave të ushtrimit , si edhe nga parime që informohen nga eksperiencat e vendeve të tjera.