Atentatet e 10 shkurtit në Tiranë, SHISH asnjë informacion para dhe pas shpërthimeve
Terrorizmi
Të dhëna
Siguria kombëtare
“SHISH-i siguron informacionin e domosdoshëm nga zbulimi dhe kundërzbulimi për problemet që lidhen me sigurinë kombëtare”
“Veprimtaria e SHISH-it mbikëqyret nga Kuvendi i Shqipërisë, Kryeministri, Prokurori i Përgjithshëm dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit”
Prokuroria dhe policia s’kanë marrë prova nga Shërbimi Informativ prej katër ditësh
Shërbimi Informativ Shtetëror vihet në shënjestër pas ngjarjeve të fundit të regjistruara në Tiranë më 10 shkurt, të cilat janë konsideruar nga policia, por edhe nga prokuroria, si vepra me qëllime terroriste. Një shpërthim dhe dy tentativa të tjera të dështuara vetëm për shkak të prishjes së mekanizmave të bombave, kanë evituar ndonjë tragjedi të mundshme. Atentatorët kanë pikasur familjen e ministrit të Brendshëm, një stacion autobusi dhe një shkollë në Tiranë, si vendet që do të shkaktonin panik, por ndoshta edhe viktima, nëse plani i tyre do të realizohej.
Prej disa ditësh, çështjet po hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka zbardhur edhe mekanizmat e këtyre atentateve, dy prej të cilave të dështuara. Por ajo që i ka çuditur hetuesit, është mungesa e një bashkëpunimi nga Shërbimi Informativ, pasi deri më tani, përveç disa letërkëmbimeve apo disa takimeve të përbashkëta, nuk është dorëzuar asnjë provë.
Policia e Shtetit e konfirmon zyrtarisht se nuk ka ndonjë të dhënë nga SHISH para, gjatë apo pas atentateve të 10 shkurtit, ndërsa prokuroria tregohet më diplomate, duke pohuar se po bashkëpunojnë të gjitha institucionet. Megjithatë, nën zë burimet pohojnë se nuk ka ndonjë provë bindëse si nga SHISH-i, por edhe nga Policia e Shtetit për ndonjë autor të mundshëm.
Sulm SHISH-it
I pari që sulmoi Shërbimin Informativ ka qenë vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, disa orë pas shpërthimit në farmacinë e prindërve të tij. Në një mbledhje të grupit parlamentar socialist, ku dhe bën pjesë Taliri, tha se kreu i këtij shërbimi, Visho Ajazi, i kishte mësuar ngjarjet vetëm në orën 09:00 të datës 10 shkurt, në një kohë që shpërthimi afër pediatrisë ka ndodhur disa metra larg godinës së këtij institucioni.
Ngjarja ka ndodhur në orën 02:50, ndërsa Ajazi, sipas Tahirit, e ka mësuar këtë atentat vetëm gjashtë orë më vonë. Madje, Ajazi nuk ka pasur asnjë informacion edhe për tritolin e hedhur te “Vasil Shanto”, pranë një stacioni autobusi, ku vetëm fati ka shmangur një tragjedi. Policia dhe prokuroria ende nuk kanë mbi tryezat e punës ndonjë provë nga SHISH-i.
Burimet zyrtare nga Ministria e Brendshme pohojnë se “nëse Shërbimi Informativ do të kishte ndonjë dyshim për persona konkretë, atëherë efektivët do të ndalonin të gjithë të dyshuarit”. Për ministrinë, të gjitha ngjarjet prej 10 shkurtit janë vepra të pastra terroriste, një fushë ku SHISH-i duhet të kishte dhënë kontributin e saj, të paktën pas shpërthimeve. Strukturat e këtij Shërbimi nuk kanë referuar asnjë dyshim në prokurori apo polici dhe për rrjedhojë çështja vazhdon të jetë e pazbuluar. Madje, rasti i biçikletës në afërsi të shkollës “Petro Nini Luarasi”, është konstatuar vetëm 48 orë pas shpërthimit te farmacia dhe tritolit te stacioni i autobusit te “Vasil Shanto”.
Misioni dhe detyrat
Sipas ligjit, SHISH-i është një organ informativ i Republikës së Shqipërisë, ndërsa misioni i tij parësor është siguria kombëtare. “SHISH-i siguron informacionin e domosdoshëm nga zbulimi dhe kundërzbulimi për problemet që lidhen me sigurinë kombëtare”, thotë ligji për SHISH, ndërsa saktëson se institucioni mbledh informacion për kërcënimet dhe rreziqet ndaj sigurisë kombëtare, ruajtjen e integritetit, të pavarësisë dhe rendit kushtetues, terrorizmin, prodhimin dhe trafikun e narkotikëve, prodhimin e armëve të dëmtimit në masë, krimet kundër mjedisit, krimin e organizuar, që cenon sigurinë kombëtare etj.
Ngjarjet e 10 shkurtit mund të konsiderohen si terrorizëm ose të paktën mund të cenohej siguria kombëtare. SHISH-i duhet të kishte informacion apo të paktën të hetojë pas zbulimit të bombës artizanale në afërsi të shkollës, pasi ajo mund të dëmtonte në masë shumë persona. Tritoli ishte i lidhur me një celular, madje në këtë bombë kishte rreth 2 kg gozhdë e sfera, si dhe 1.5 litër benzinë. Nëse bomba do të aktivizohej rreth orës 09:00 të datës 10 shkurt, atëherë mund të kishim edhe viktima, pasi biçikleta ishte vendosur në një rrugicë në afërsi të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, para një pallati shumëkatësh në atë zonë.
Sipas ligjit, SHISH-i ruan raporte të drejta ndërmjet nevojës për sigurimin e informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ndërsa mbron burimet dhe metodat informative. Por, burimet duket se i janë shteruar, pasi deri më tani, të paktën referuar provave të dërguara në polici e prokurori, nuk ka ndonjë të dhënë të besueshme rreth autorëve apo të paktën qëllimit të vendosjes së këtyre sasive të tritolit.
Kontrolli ndaj SHISH-it
Ligji përcakton se ky institucion qendror varet nga Kryeministri, megjithëse SHISH-i nuk është institucion ekzekutiv dhe nuk kryen veprimtari të karakterit ushtarak ose policor. Institucioni i drejtuar nga Visho Ajazi i merr prioritetet nga qeveria, duke u bazuar edhe në Dokumentin e Strategjisë Kombëtare.
“Veprimtaria e SHISH-it mbikëqyret nga Kuvendi i Shqipërisë, Kryeministri, Prokurori i Përgjithshëm dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit”, thuhet në ligj, ndërsa pas ngjarjeve të fundit, mund të kemi një “kontroll” të këtij institucioni, pasi deri më tani nuk ka bashkëpunuar për këtë situatë.
Detyrat e SHISH
Siguria – Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) është një organ informativ i Republikës së Shqipërisë. Misioni i tij parësor është siguria kombëtare. SHISH-i siguron informacionin e domosdoshëm nga zbulimi dhe kundërzbulimi për problemet që lidhen me sigurinë kombëtare
Informacioni – Shërbimi Informativ i Shtetit mbledh informacion për: kërcënimet dhe rreziqet ndaj sigurisë kombëtare, ruajtjen e integritetit, të pavarësisë dhe rendit kushtetues, terrorizmin, prodhimin dhe trafikun e narkotikëve, prodhimin e armëve të dëmtimit në masë, krimet kundër mjedisit, krimin e organizuar, që cenon sigurinë kombëtare etj.
Burimet – Për realizimin e detyrave të mësipërme, SHISH-i ruan raporte të drejta ndërmjet nevojës për sigurimin e informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. SHISH-i mbron burimet dhe metodat informative