Auditorët e BE-së: Unioni po lëviz shumë ngadalë kundër kimikateve të përjetshme PFAS
Bashkimi Evropian po lëviz shumë ngadalë për të mbrojtur njerëzit nga rreziqet shëndetësore të kimikateve të njohura si PFAS, apo “kimikatet e përjetshme”, me shumë substanca që mbeten ende të patestuara dhe të pakufizuara, ndërsa kufijtë ligjorë për ushqimin dhe ujin e pijshëm bazohen në shkencë të vjetruar. Kështu konstaton Gjykata Evropiane e Auditorëve në një raport të publikuar të mërkurën, siç njofton Reuters.
BE-ja filloi t’i kufizojë substancat per- dhe polifluoroalkile (PFAS) që në vitin 2006, por ekzistojnë më shumë se 10.000 lloje të tyre dhe mbi 1.400 prodhohen aktivisht. Ato përdoren në produkte që nga buzëkuqi e deri te tiganët jo-ngjitës, si edhe në industri si pajisjet mjekësore, gjysmëpërçuesit, ndërtimi dhe transporti. PFAS shpërbëhen shumë ngadalë në mjedis dhe janë lidhur me rrezik më të lartë për disa lloje kanceri, çrregullime të tiroideve, probleme riprodhuese dhe dobësim të sistemit imunitar.
“Jemi në një garë me kohën. Shumica e PFAS nuk janë të regjistruara në REACH, sistemin e BE-së për rregullimin e kimikateve”, u tha gazetarëve Joëlle Elvinger, anëtarja e Gjykatës së Auditorëve përgjegjëse për raportin. Sipas saj, një kufizim i BE-së hyn në fuqi mesatarisht pas 11 vjetësh, përfshirë gjashtë vjet për vlerësimin e rrezikut dhe pesë vjet për vetë procesin e kufizimit, ndërsa shpesh substanca e kufizuar zëvendësohet nga një tjetër PFAS me rreziqe të ngjashme. Shumica e PFAS mbeten jashtë REACH sepse nuk i plotësojnë kriteret e regjistrimit ose pragun minimal të importit prej një ton në vit.
Raporti vë në dukje se kufijtë ekzistues për PFAS në ujin e pijshëm, ndonëse respektohen përgjithësisht, bazohen në shkencë rreth një dekade të vjetër, ndërsa për ushqimin kontrolli dhe testimi ndryshojnë ndjeshëm nga vendi në vend. Sipas Elvinger, nëse disa ushqime do të përmbanin nivelin maksimal të lejuar të PFAS, një person mund ta tejkalonte dozën javore të tolerueshme duke ngrënë vetëm rreth 7 gramë açuge, 39 gramë salmon të egër, 181 gramë vezë ose 237 gramë mish viçi. Franca dhe Danimarka kanë vendosur kufizime më të rrepta pa pritur legjislacionin evropian, por më shumë se një e treta e vendeve të BE-së nuk kryejnë kontrolle për zbatimin e rregullave ekzistuese.
Komisioni Evropian po shqyrton ndalimin e PFAS në produktet e konsumit si kozmetika, materialet në kontakt me ushqimin dhe veshjet për jashtë, duke lejuar përdorimin në raste kritike nën kushte të rrepta derisa të gjenden alternativa, tha një zëdhënës i Komisionit në reagimin ndaj raportit. Agjencia Evropiane e Kimikateve (ECHA) pritet të paraqesë muajin e ardhshëm vlerësimin përfundimtar për një ndalim të mundshëm të PFAS, mbi të cilin Komisioni do të ndërtojë propozimin e tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.