Politika

Austria PO dhe në krah të Shqipërisë për çeljen e negociatave

Austria është një vend partner i Shqipërisë dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe i mbështesim në rrugë drejt Bashkimit Europian.

Kështu deklaroi të mërkurën Kancelari austriak Sebastian Kurz, gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Vjenë, me Kryeministrin Edi Rama.

Kurz tha se “ne sigurisht i mbështesim të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Shqipërinë në përafrimin e tyre në Bashkimin Europian”.

“Ne duam që ato të kryejnë reformat e duhura dhe në Ballkanin Perëndimor këto të bëhen hap pas hapi. Ka disa shtete anëtare në BE që për shkak të situatës së tyre të brendshme kanë një qëndrim tjetër, apo një qëndrim kritik të themi për gjërat. Por ne jemi këtu, një partner i Shqipërisë dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i afrojmë me BE-në”, – tha Kurz.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas tij, kanë nevojë për një perspektivë europiane. “Kjo është rruga e reformave, është gjithashtu edhe mënyra brenda shteteve në rajon, sepse më përpara ka pasur disa tensione për shkak të problemeve etnike apo problemeve të tjera politike. Kjo është edhe garancia për sigurinë tonë, për stabilitetin tonë në Europë. Ky stabilitet në vendet e Ballkanit do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet edhe në Austri”, – tha Kurz.

Duke u ndalur te bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, ai tha se “… eksportet janë rritur me Shqipërinë dhe shkëmbimi ekonomik po ashtu”.

“Ne jemi mjaft të kënaqur që kemi një bashkëpunim mjaft të mirë ekonomik dhe politik”, – shtoi ai.

Kurz: Mbështetje Shqipërisë për të luftuar emigracionin ilegal

Ndërkohë tema kryesore e takimit Rama-Kurz ishte edhe lufta kundër emigracionit ilegal nga Lindja e Mesme. Kancelari austriak u shpreh se BE do të mbështesë financiarisht Shqipërinë dhe vendet e tjera të BE për të bllokuar rrugën e re që po përdorin emigrantët nga Greqia përmes Shqipërisë për të arritur në BE.

“Ne po përjetojmë në Ballkan në këtë moment një rrugë të re të emigracionit. Kontrabandistët përpiqen që njerëzit t’i marrin nga Greqia dhe t’i kalojnë përmes Shqipërisë drejt pjesës tjetër të Europës. Ne duhet të luftojmë kundër këtij fenomeni dhe kundër kësaj rruge”, – tha Kurz.

Kancelari austriak nënvizoi se shifrat e refugjatëve po rriten, ndaj duhet që ky problem të trajtohet tani dhe të mos lihet që të bëhet shumë i madh, si në vitin 2015.

“Dua ta falënderoj përzemërsisht Kryeministrin Rama për gatishmërinë e Shqipërisë për të luftuar emigracionin ilegal”, – tha Kurz.

Ai theksoi se Shqipëria ka nevojë për mbështetje në këtë sfidë dhe e ka merituar mbështetjen tonë.

“Kryeministri më ka kërkuar që unë ta mbështes dhe unë i kam thënë që do ta mbështesim fort Shqipërinë edhe nga ana financiare, por edhe vendet e tjera që janë në këtë rrugë në Ballkan, që të luftojmë emigracionin ilegal”, – tha Kurz.

Rama: Austria, avokat i paçmuar në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së

Kryeministri Edi Rama vlerësoi përkushtimin e Austrisë lidhur me procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor dhe të Shqipërisë.

“Marrëdhënia e Shqipërisë me Austrinë është e shkëlqyer. Që në ditën e parë të ndryshimeve demokratike në Shqipëri, Austria ka qenë mbështetëse e palëkundur e Shqipërisë në procesin e rimëkëmbjes”, – tha Rama.

Austria, tha Kryeministri Rama, është edhe sot një avokat i paçmuar në rrugën tonë në drejtim të integrimit të plotë në familjen europiane.

“Shpreh mirënjohjen tonë për këtë mbështetje të pakursyer. Ne shikojmë një progres të vazhdueshëm në marrëdhëniet bilaterale në aspektin ekonomik e tregtar, por falë edhe kontributit të dhënë nga Austria po bëhet një progres i rëndësishëm në procesin e përmirësimit të marrëdhënieve brenda rajonit”, – tha Rama.

Rama shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Austrisë për të vazhduar procesin e integrimit dhe për të çelur negociatat për Shqipërinë.

“E falënderoj Kancelarin edhe për gatishmërinë e tij për të na ndihmuar për shpjegimin deri në fund të domosdoshmërisë për të vazhduar procesin e integrimit, për të çelur negociatat. Shqipëria e meriton, e ka marrë me meritë rekomandimin pozitiv të pakushtëzuar në KE për çeljen e negociatave edhe nga disa vende mike që për arsyet e tyre të brendshme janë në pozita skeptike për momentin”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “në takim është folur edhe mbi pritshmëritë tona nga presidenca austriake e BE-së në 6 muajt e ardhshëm”. “Dëshirojmë të bashkëpunojnë për të shtyrë më tutje projektin e lançuar për tregun e përbashkët në Ballkanin Perëndimor, për të cilën jam falënderues që kryeministri austriak ka shprehur interesin dhe mbështetjen e tij”, – tha Rama.

Refugjatët, Rama: Kemi planin e duhur për të ndaluar përsëritjen e situatës së 2015-s

Po ashtu, Kryeministri Rama vlerësoi harmoninë me Austrinë sa i përket çështjes së mundësisë të një rruge të re në Ballkanin Perëndimor, përmes Shqipërisë, të emigrantëve që lëvizin nga Greqia për të ardhur në Europën Qendrore”.

“Kemi një fluks që rritet në mënyrë shqetësuese, por për momentin ka qenë tërësisht i kontrolluar prej nesh. Na duhet një bashkëpunim i ngushtë dhe i menjëhershëm për të shmangur rishfaqjen e skenave që tronditën Europën në vitin 2015. Kemi dakordësi të plotë për një bashkëpunim të ngushtë me Austrinë dhe vendet e tjera të përfshira në këtë proces”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se Shqipëria kërkon që të ndërtohet një bashkëpunim tani, pa pritur që gjërat të shkojnë në rrugën e vitit 2015.

“Nëse në janar-maj të vitit të kaluar kemi pasur 162 emigrantë të parregullt, në janar-maj të këtij viti numri i tyre është 2311. Është një shifër e vogël në rast se konsiderojmë flukset e 2015-s, por është një shenjë shqetësuese”, tha Rama.

Ai theksoi se “për momentin situata është administruar me forcat e brendshme, por duhet të mos përsëriten gabimet e viti 2015 dhe Europa të mos gjendet e papërgatitur në rast se fluksi shkon në rritje”.

“Moti i mirë është një faktor që e rrit fluksin, ndaj kemi diskutuar ekzaktësisht se si do të bashkëpunojnë dhe çfarë mbështetje kërkojmë që ne t’i përgjigjemi kërkesës. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë gjë, por vetëm kjo gjë nuk mund të bëhet dhe ne nuk duam që në Shqipëri njerëzit që vijnë të merren dhe hidhen në kufirin tjetër, por duam të trajtohen në mënyrë dinjitoze e të rregullt”, – tha Rama.

Ai siguroi se në këtë bashkëpunim do të vendosim të gjithë kapacitetet për të garantuar  sigurinë e kufirit dhe një trajtim dinjitoz të gjithë njerëzve. “Kemi planin e duhur për ta ndaluar një rishfaqje të filmit të 2015, që do të ishte dramatike për gjithë ne”, – tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button