Avionët amerikanë bombardojnë militantët e Shtetit Islamik në Irak
Avionët amerikanë bombarduan sot militantët e Shtetit Islamik në veriperëndim të Irakut, kur ekstremistët filluar të lëvizin artilerinë drejt Irbilit, ku janë dislokuar ushtarakë amerikanë. Zëdhënësi i Pentagonit, admirali Xhon Kirby tha në një deklaratë se aeroplanët amerikanë hodhën bomba 250-kilogramëshe të komanduara me lazer, kundër njësive të artilerisë të cilat bombardonin forcat kurde që mbronin Irbilin.
Presidenti amerikan Barak Obama autorizoi mbrëmë ushtrinë amerikane të ndërmerrte sulme ajrore nëse militantët islamikë përparonin drejt personelit amerikan në Irakun verior.
Persona të armatosur të grupit Shteti Islamik morën dje territore të tjera në veri të Irakut. Ata kanë tani në kontroll qytetin më të madh të krishterë të Irakut, Karakosh, duke shkaktuar një eksod të banorëve dhe një krizë humanitare.
Presidenti Obama njoftoi mbrëmë vonë nga Shtëpia e Bardhë se ndihma po vjen.
“Sot unë autorizoj dy operacione në Irak: sulme ajrore për të mbrojtur personelin tonë amerikan dhe një operacion humanitar për të shpëtuar mijëra civilë irakianë të bllokuar në një mal pa ushqim dhe ujë dhe që përballen me vdekjen pothuajse të sigurtë.”
Rreth 40,000 pjestarë të komunitetit të lashtë Yazidi kanë ikur nga qyteti veriperëndimor Sinjar për në malet përreth, ku janë bllokuar pa ushqim dhe ujë. Ka shqetësime se ky komunitet përballet me gjenocid nga ana e luftëtarëve të Shtetit Islamik.
Militantët e Shtetit Islamik i kanë mposhtur forcat kurde në disa qytete dhe thonë se kanë marrë digën strategjike të Mosulit mbi lumin Tigër. Kjo do t’u jepte atyre kontrollin mbi pushtetin dhe mbi ujin që furnizon Bagdatin. Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të përdornin sulme ushtarake nëse do të ishte e nevojshme për të mbrojtur personelin e tyre dhe goditjet nga ajri filluan sot.
“Ditët e fundit terroristët kanë vazhduar të lëvizin kudo në Irak dhe i janë afruar qytetit të Irbilit, ku diplomatë dhe civilë amerikanë shërbejnë në konsullatën tonë dhe ku ka personel ushtarak amerikan që këshillon forcat irakiane. Për të ndalur përparimin drejt Irbilit, unë kam udhëzuar ushtrinë tonë që të verë në shënjestër autokolonat terroriste të ISIL-it që lëvizin drejt qytetit.”
Por Presidenti Obama përsëriti se çdo zgjidhje e qëndrueshme për Irakun do të varet nga vetë irakianët. Uashingtoni u ka kërkuar në mënyrë të përsëritur udhëheqësve shiitë të Irakut të formojnë një qeveri gjithëpërfshirëse, me një përfaqësim të drejtë të të gjitha pakicave. Ndonëse nuk ka pasur lëvizje të mëdha në këtë drejtim, militantët i janë afruar kryeqytetit të Irakut dhe po ndërmarrin sulme me makina bombë në rrethinat e tij veriore.
Ministria irakiane e mbrojtjes tha se forca e saj ajrore kanë bombarduar pozicionet e militantëve në qytetet veriore Mosul, Tikrit dhe Amerli.
Disa ushtarë irakianë thonë se kanë arritur fitore në luftën kundër militantëve në verilindje të Bagdadit.
“Distriktet afër kryeqytetit janë të gjitha nën kontroll. Ne e kemi mundur Shtetin Islamik,” thotë një ushtar.
Por janë të pakta dëshmitë për fitore në Irakun verior. Dy makina bombë që kishin në shënjestër një xhami shiite në qytetin e madh të naftës Kirkuk, lanë të vrarë 10 vetë dhe plagosën rreth 40 të tjerë, ndërkohë që komunitetet po bien në duart e ekstremistëve njëri pas tjetrit.