Azilantët në Gjermani, shqiptarët të dytët për 2015-n
Autoritetet gjermane publikuan të dhënat e plota në lidhje me azilkërkuesit për vitin 2015 dhe ashtu siç edhe pritej, numri i shtetasve shqiptarë është në shifra rekord.
Sipas të dhënave, rreth 55 mijë shtetas shqiptarë kanë aplikuar për azil, shifër kjo që e rendit vendin tonë të dytin pas Sirisë, duke lënë pas shtetin tjetër shqiptar, Kosovën.
Numri i emigrantëve nga Shqipëria në 2015 shënoi një rritje me mbi 5 herë krahasuar me kërkesat për azil në 2014, të cilat ishin pak më shumë se 8 mijë. Në të njejtin nivel kishin qenë dhe shifrat e azilkërkuesve nga Kosova. Nga të dhënat zyrtare të autoriteteve gjermane vihet re se në tre muajt e fundit të 2015, numri i emigrantëve nga Shqipëria shënoi një rënie të ndjeshme nga 4,680 në Tetor, në 3.044 persona në nëntor dhe 1.801 në muajin dhjetor.
Në 10 vendet e para sa i takon fluksit, 4 janë vende ballkanike, ku Shqipërisë dhe Kosovës u bashkohen Serbia dhe Maqedonia.
Për të minimizuar flukset nga Ballkani, autoritetet gjermane vendosën të njohin këto vende si “vende të sigurta origjine”, duke shkurtuar e procedurat dhe refuzimin e menjëhershëm të kërkesave për azil.
Dyndjet e para të azilantëve u regjistruan në muajt e parë të 2015-ës, pas përhapjes së lajmit të rreme për sigurimin e azilit ekonomik në Gjermani nga disa agjenci udhëtimi. Ky ishte edhe argumenti me të cilat u mbrojt qeveria shqiptare përballë kritikave për fluksin e azilantëve, tezë që e braktisi shpejt, duke i mëshua më vonë asaj se shumica e azilkërkuesve ishin shtetas shqiptarë që kishin jetuar në Greqi dhe që po braktisnin atë pas krizës së thellë ekonomike.