Baba Mondi: Sulltan Nevruzi, mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin
Besimtarët bektashinj festojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu.
Në Kryegjyshatën Botërore në Tiranë u zhvillua paraditen e së dielës ceremonia e shenjtë e festës së Sulltan Nevruzit.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj në fjalën e tij për të gjithë besimtarët bektashinj që festojnë sot Sulltan Nevruzin tha se “kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin”.
Baba Mondi tha se ky vit përkon me 35-vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe lirisë së besimit bektashi.
“Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin. Për të forcuar lidhjen tonë me Zotin, për të kultivuar dashurinë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Ky vit ka një domethënie të veçantë për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, pasi kjo ditë përkon me 35-vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe lirisë së besimit bektashi”, tha Baba Mondi.
Duke cituar një fjalë të Haxhi Bektash Veliut, Baba Mondi u shpreh se pasqyra e besimit bektashi është dashuria dhe përkujdesja ndaj të tjerëve.
“Një moment historik që shënon ringjalljen e besimit dhe traditës sonë shpirtërore pas periudhave të vështira. Kjo ngjarje është dëshmi e qëndrueshmërisë dhe punës së përbashkët të brezave, për të ruajtur identitetin dhe vlerat tona. Siç thoshte Haxhi Bektash Veliu: ‘Ai që nuk e sheh veten në tjetrin, nuk e sheh Zotin në veten e tij’. Kjo tregon se dashuria dhe përkujdesja ndaj të tjerëve, janë pasqyra e besimit tonë të thellë”, tha mes të tjerash Baba Mondi.
Festa e Sulltan Nevruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.
Në Shqipëri Dita e Sulltan Nevruzit, festa më e rëndësishme e bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.
Në vendin tonë sekti i bektashinjve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në të gjithë territorin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.