Bahtiri: Marrëveshja ishte që Presidenti të zgjidhej mes dy leximeve të Ligjit për Specialen
Deputeti Agim Bahtiri garanton se nëse zgjidhet presidenti, votat për ligjin "do të jenë aty".
Deputeti Agim Bahtiri ka mbërritur sot në Kuvendin e Kosovës dhe, siç raporton Indeksonline, ka deklaruar se është i gatshëm të votojë ligjin për Dhomat e Specializuara, nëse paraprakisht zgjidhet presidenti i vendit.
Sipas Bahtirit, qëndrimi i tyre ka qenë që mes dy leximeve të projektligjit të realizohet edhe zgjedhja e Presidentit. “Ne çdo herë kemi qenë pro asaj që është e mirë për këtë vend. Ky vend dëshiron të ketë president, të ketë institucione dhe të punojmë në interes të gjithë qytetarëve. Marrëveshja ka qenë që mes dy leximeve të ligjit të bëhet zgjedhja e presidentit. Këtu çalon puna”, ka thënë ai.
Ai ka dhënë garanci të plotë se votat nuk do të mungojnë. “Jemi të gatshëm, them me plot përgjegjësi dhe garancion 100 për qind, se nëse zgjidhet presidenti, do ta kemi edhe votimin e ligjit”, u shpreh Bahtiri.
I pyetur për emrin e kandidatit që mund të votohet për President, Bahtiri nuk ka dhënë detaje, por ka thënë se komunikimet po vazhdojnë dhe se marrëveshja mund të bëhet publike së shpejti. “Ne jemi në kontakt, të bisedojmë dhe marrëveshja ka qenë, do të zbulohet shumë shpejt”, shtoi ai.
Kuvendi miratoi një ditë më parë në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara me 91 vota, por procedimi i tij në lexim të dytë ka mbetur pezull. LVV-ja kërkon marrëveshje paralele edhe për Presidentin, ndërsa PDK-ja ka insistuar që fillimisht të përfundojë votimi i ligjit. Sot është dita e fundit e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.