Baleti “Radian”, një krijim i ri koreografik vjen si premierë botërore, ku lëvizja, muzika dhe hapësira skenike…
Baleti “Radian” një krijim i ri koreografik, ku lëvizja, muzika dhe hapësira ndërthuren në një përvojë unike artistike. Baleti “Radian” shënon këtë muaj premierën botërore në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke sjellë në skenë solistët dhe trupën e baletit. Kjo vepër vjen në skenë për publikun si një krijim i ri koreografik nga Edi Blloshmi dhe me muzikë origjinale nga Robert Bisha. Teatri shprehet se baleti, i frymëzuar nga jehonat e Mesdheut, eksploron ndërveprimin mes lëvizjes dhe tingullit, ku trupi, muzika dhe hapësira ndërthuren në një dialog të pandërprerë, duke krijuar një përvojë artistike mes të njohurës dhe të panjohurës.
“I frymëzuar nga jehonat e Mesdheut, “Radian” eksploron hapësirën ku lëvizja bëhet rezonancë dhe tingulli merr formë fizike. Trupi, muzika dhe hapësira ndërthuren në një dialog të pandërprerë, duke krijuar një përvojë artistike ku e njohura dhe e panjohura takohen brenda të njëjtës rrahje zemre”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.
Universi vizual i veprës merr formë përmes kostumografisë që vjen e realizuar nga Edlira Qyshka dhe konceptit të ndriçimit nga Eni Tafaj, me Alisa Gjonin si asistente koreografe. Kjo vepër baleti do të jetë në skenë në mbrëmjet e datave 29 dhe 30 qershor. Pianist, kompozitor, improvizues dhe multiinstrumentist Robert Bisha ka një aktivitet të pasur artistik në skena të ndryshme brenda vendit dhe jashtë.
Pasioni për folklorin dhe për instrumentet e tij e ka shtyrë Robert Bishën, që të eksperimentojë shumë gjatë në instrumentin e tij kryesor, i cili është pianoja. Në vijim të aktivitetit të tij, vjet në muajin qershor pianisti Robert Bisha erdhi me koncertin “On the Road” në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë.
Vepra e baletit në programin artistik
Programi artistik këtë muaj qershori në Teatrin Kombëtar të Operës dh Baletit po vijon jo vetëm me koncerte muzikore, por pjesë është dhe premiera e baletit “Radian”. Premiera botërore e baletit “Radian” pasuron jetën artistike në Tiranë, por dhe sjell një përvojë të veçantë skenike, ku ndërthuren koreografia, muzika dhe hapësira. Por trupat artistike të TKOB-së po vijojnë këtë muaj aktivitetin jo vetëm në skenë e teatrit, por dhe në skena të tjera jashtë vendit.
Disa ditë më parë Kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit përfaqësoi vendin tonë në edicionin e 36-të të Festivalit Ndërkombëtar të Kantos Korale “Sergio Chiarlo”, që u zhvillua nga 5-7 qershor 2026 në Savigliano dhe Piemonte, Itali. Në vijim, konkursi “Eja këndo me ne” në 11 qershor, ku morën pjesë 50 shkolla 9-vjeçare të Tiranës. Në 15 qershor një tjetër koncert do të zhvillohet në hollin koncertor të TKOB-së, për të vijuar më tej dhe me aktivitete të tjera të programit artistik.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.